Papa: Eukaristia, Buka që shëron zemrat e thyera dhe botën e përçarë
Vatican News
„Misteri eukaristik” ishte tema e katekizmit të katërt të Papa Leonit XIV mbi dokumentin Sacrosanctum Concilium, Kushtetutën që Koncili II i Vatikanit ia kushtoi liturgjisë. Gjatë audiencës sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, pas xhiros së zakonshme me papamobil mes besimtarëve, Leoni XIV u ndal te kuptimi i pjesëmarrjes në Eukaristisë.
Për të krishterët, të marrësh pjesë në tryezën e Zotit do të thotë pikërisht „të formohesh nga Fjala e Zotit, të përtërihesh në tryezën e Korpit të Krishtit Zot dhe të falënderosh Hyjin”. E duke e pranuar Atë në Fjalën e Tij dhe në Eukaristi, ne bëhemi atë çka marrim.
Rruga drejt bashkimit me Zotin
Shën Augustini u predikoi kështu të sapopagëzuarve në Sermonin 272: meqenëse besimtarët janë "trupi i Krishtit" dhe për këtë arsye "gjymtyrët e tij", e duke marrë Eukaristinë, "trupi i Krishtit", "është misteri juaj, të cilin ju e merrni". Kjo është arsyeja pse Ipeshkvi i Iponës këshillonte: "Jini çka shihni e pranoni çka jeni". Në praktikë, sqaroi Papa, "ne bëhemi Korpi, Koka e të cilit është Krishti i Ngjallur", kështu Eukaristia është "Buka e udhëtimit, që na çon drejt Atdheut qiellor", ndërsa në liturgji besimtarët bëhen një me kremtuesin.
Asambleja liturgjike e kushton Flijimin «jo vetëm përmes duarve të meshtarit, por edhe e bashkuar me të». Në këtë këndvështrim, Eukaristia është trajta e flijimit shpirtëror të të krishterëve, si rrugë e bashkimit me Zotin dhe e bashkimit me njëri-tjetrin.
Përvetësimi i stilit të jetës së Jezusit
Duke marrë pjesë në Eukaristi, të krishterët "mësohen ta dhurojnë veten dhe, ditë për ditë, të konsumohen, nëpërmjet Krishtit, në unitet me Zotin dhe me njëri-tjetrin'", shpjegoi Papa, duke cituar dokumentin e Koncilit II të Vatikanit Sacrosanctum Concilium.
Duke na bërë një trup të vetëm me Krishtin, Eukaristia na mëson të përvetësojmë vetë mënyrën e jetesës së Zotit Jezus, të shënjuar nga dhurimi falas i vetvetes. Kjo dhuratë na mundëson të hyjmë, prandaj, në dinamikën e unitetit, i cili ofron një kundërhlem të fuqishëm kundër filizave të përçarjes që munojnë botën tonë, bashkësitë tona, familjet tona dhe vetë zemrën tonë.
Dëgjimi i Fjalës e i Bukës Eukaristike
Lidhur me kremtimin e Meshës, Papa shpjegon se ajo përbëhet nga "Liturgjia e Fjalës" dhe "Liturgjia e Eukaristisë", "të lidhura aq ngushtë, sa formojnë një akt të vetëm kulti". E më pas tregon se si t'i përjetojmë ato. Kur marrim pjesë në Eukaristi, jemi të ftuar të dëgjojmë Fjalën e Zotit dhe të ushqehemi në tryezën e Krishtit Zot, ku Ai vetë i ofrohet Atit.
Dëgjimi i Fjalës nuk ka të bëjë thjesht me "fitimin e njohurive intelektuale të Shkrimeve të Shenjta", thekson Papa Leoni; do të thotë të "marrësh Fjalën 'e gjallë dhe efektive'" që Zoti ua drejton "të gjithëve" e që "ushqen së bashku me Bukën Eukaristike", duke na mundësuar të "kalojmë nga prishja e mëkatit, në jetën e re në Krishtin".
Të shndërrohemi nga misteri që kremtohet
Kushtetuta Sacrosanctum Concilium, pra, bën thirrje për një ofertë gjithnjë e në rritje të "thesareve të Biblës" - kujton Papa - në mënyrë që Fjala e Zotit të bëhet më e njohur gjerësisht. Kjo është arsyeja pse u krijua më pas "Leksionari", domethënë Libri që mbledh të gjitha leximet biblike për kremtimet liturgjike", duke iu referuar Traditës, "e cila shtrihet nga Etërit e Kishës - deri tek ne".
Është "gurrë jete hyjnore" ku mund të mbështetemi "me fe", përfundoi Leoni XIV, që na fton të "shndërrohemi nga "misteri" që kremtohet.
