Papa: liturgjia e gjallë dhe e devotshme hap rrugën për takimin me Zotin
R.SH. / Vatikan
Ndalet te riti, shenja dhe simboli në liturgji Papa Leoni XIV në audiencën e sotme të përgjithshme, në katekizmin e tretë kushtuar Kushtetutës Sacrosanctum Concilium, si pjesë e serisë kushtuar dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit.
Në liturgji, konkretizohet misteri i fesë
Pas sjelljes së zakonshme në Papamobil ndërmjet besimtarëve e shtegtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa, që arriti para Bazilikës së Vatikanit, shpjegoi së pari se "ritet e liturgjisë së krishterë" janë, në praktikë, "ndërmjetësimi kishtar përmes të cilit dhurata hyjnore na arrin", jo thjesht "një mbulesë e jashtme e misterit sakramental". Në të vërtetë, Sacrosanctum Concilium sqaron se "në liturgji, përmes riteve dhe lutjeve", konkretizohet "Mysterium fidei" (Misterit të fesë) dhe se është "riti" që i jep "formë veprimit liturgjik" i cili, tek besimtarët që marrin pjesë jo si "spektatorë të heshtur", por me "trup, mendje dhe zemër", përfton atë "ndjeshmëri shpirtërore" që të lejon "shijimin e pranisë së Zotit, përmes Jezu Krishtit".
Nëpërmjet ritit të shenjtë, formohemi kështu për të dëgjuar Fjalën e Zotit, për të falënderuar e për të adhuruar, për ndarje vëllazërore dhe për bashkim kishtar. Zbulojmë se jemi një asamble shumëfytyrshe, e bashkuar nga e njëjta fe.
Një ndalesë që ripërtërin zemrën
Riti liturgjik ka "një sekuencë gjestesh e lutjesh të mirëpërcaktuar ", kujton më tej Papa, "logjika e të cilit, megjithatë, nuk është të shfrytëzojë lirinë brenda skemave". Përkundrazi, "me maturinë solemne të ritmeve të tij, riti ndërpret aktivitetin frenetik, duke na rikthyer në themeloren". Prandaj, na lejon ta provojmë "një përvojë tjetër të kohës e të hapësirës".
Në rit provojmë logjikën e bujarisë, gjejmë një pauzë që e ripërtërin zemrën, pranojmë se na paraprin hiri i Zotit, mësojmë të jetojmë me një ritëm të banuar nga Shpirti Shenjt. Gramatika e ritit është e endur me shenjat dhe simbolet e duhura për liturgjinë.
Lëre veten të edukohet nga ritet
Për Leonin XIV, sot duhet ta lejojmë veten të "edukohemi nga ritet e liturgjisë". E për këtë, është e nevojshme të kultivojmë "me dorë të hollë e pa arbitraritet bukurinë e kremtimeve" liturgjike dhe të angazhohemi "në mistagogji autentike".
Përvoja e një liturgjie të gjallë dhe të devotshme, e shoqëruar nga katekizmi i përshtatshëm mistagogjik, është burimi më i mirë për të rizgjuar tek të gjithë atë hapje ndaj takimit me Zotin e cila, në logjikën e Mishërimit të Hyjit, mund të ndodhë vetëm duke angazhuar të gjithë njeriun: frymën, shpirtin, korpin.
Shenjat në veprimin liturgjik
Përsa i përket shenjave, në liturgji ato nënkuptojnë "shenjtërimin e njeriut". Kështu, për shembull, uji, "nga origjina e krijimit e deri në përmbytje, nga kalimi i Detit të Kuq e deri në Jordan" deri në atë "që rrjedh nga ana e Krishtit", është liturgjikisht "shenjë sakramendore e zhytjes" në "vdekjen dhe ringjalljen" e Jezusit. Por "shenja" është gjithashtu "simbolike", kur i referohet "një sistemi të tërë kuptimesh dhe vlerash", saktësoi Papa Leoni XIV.
Ky është rasti i spërkatjes "me ujë të bekuar", gjest me të cilin "ringjallet tek ne vetëdija për dhuratën e marrë me Pagëzimin dhe për hyrjen tonë në jetën e re në Krishtin”.
Simbolet
E përsëri, në liturgji, janë "simbolet", të cilat mund të jenë "veprimet më të thjeshta dhe më të zakonshme, siç është gjunjëzimi e dhënia e shenjës së paqes për veten, ose më kërkuese, siç janë aktet e çdo Sakramenti". Çka i karakterizon, është "përmasa unike performuese dhe transformuese, si ndaj elementeve materiale që i përbëjnë, ashtu edhe ndaj atyre që vijnë në kontakt me to" e që krijojnë "përkatësinë", prekin "zemrën e mendjen" dhe frymëzojnë "marrëdhënie të mirëfillta kishtare", përfundoi Papa.
Ashtu si paraardhësi i tij Françesku në Letrën Apostolike “Desiderio desideravi”, duke cituar teologun Romano Guardini-n, Leoni XIV theksoi se "në punën e formimit liturgjik", "detyra e parë" për njeriun është të "të bëhet përsëri i aftë për simbolet".
