Kërko

Papa: në Spanjë pritje festive, shenjë e nevojës për unitet jo-ideologjik

Në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV kujtoi çastet kryesore të udhëtimit apostolik në Spanjë. Nënvizoi nevojën e fjalëve të shpresës për njerëzimin, përplot "me pasojat negative të një modeli mashtrues zhvillimi". Kujtoi, më pas, dëshmitë që dëgjoi dhe Meshën e kryesuar në Bazilikën e Sagrada Familia, simbol i takimit ndërmjet kulturave tradicionale dhe bashkëkohore, si përvojë që tregon rrugën përpara për mbarë kontinentin evropian

Vatican News

Fytyra të veçanta, që transmetojnë një nevojë universale. Atë të fëmijëve, me pakujdesinë e tyre guximtare; të viktimave të abuzimit, në kërkim të   drejtësisë; të burgosurve, emigrantëve, të rinjve të shqetë e ëndërrimtarë. Pikërisht në këtë mozaik njerëzimi, Papa Leoni XIV njohu dëshirën e përbashkët: të jenë të bashkuar rreth një themeli autentik dhe të qëndrueshëm, të aftë të kapërcejë ideologjitë dhe interesat partiake. Nevojë që shfaqet me forcë në një botë të prekur nga "pasojat negative të një modeli mashtrues zhvillimi", e në një Evropë të thirrur të rizbulojë veten, si Bazilika e Sagrada Familia, e cila ndërthur traditën dhe modernitetin, "realitet aktual, jo të vjetruar". Këto janë disa nga reflektimet e Leonit XIV gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, 17 qershor, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke ripërshkuar fazat më domethënëse të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, që përfundoi javën e kaluar.

Të shmangen unitetet e pjesshme

Papa Leoni XIV  falënderoi popullin spanjoll, Mbretin, autoritetet civile dhe bashkësinë kishtare për pritjen festive në një vend që përjetoi ndryshime të dukshme shoqërore e kulturore. Pastaj, siç ka bërë disa herë në fjalimet e tij në tokën iberike, kujtoi temën e unitetit, të aftë për të kapërcyer përçarjet dhe konfliktet, duke theksuar se është detyra e Pasardhësit të Pjetrit ta zbatojë këtë shërbim në situatat e ndryshme kishtare e shoqërore të Vendeve të vizituara.

Besoj se kjo tregon nevojën e përhapur për t'u bashkuar mbi një themel të vërtetë e të thellë, jo ideologjik, as të interesave të pjesshme. Atë themel që, në fund të fundit, vetëm Krishti mund ta ofrojë, e që Ungjilli, nëpërmjet "inkulturimeve" të nevojshme, mund ta transmetojë në jetën e popujve. Mund ta bëjë këtë, sepse mesazhi i Tij i përgjigjet plotësisht të dyja këtyre nevojave: kërkimit të së vërtetës dhe etjes për drejtësi.

Shkrirja e traditës dhe e bashkëkohësisë

Papa Leoni përkujtoi edhe një herë gjurmët e tubimeve të mëdha në Katedrale, ndër stadiume ultramoderne, lutjen e Rruzares në Abacinë e Montserratit si dhe Meshën në Bazilikën e Sagrada Familia.

Ky takim i lashtësisë e i modernes, i traditës katolike e i kulturës bashkëkohore, më bëri të përceptoj një ndjesi të gjallë të karakterit unik të Evropës, pasurisë së saj të paçmueshme, si një realitet bashkëkohor dhe i pakrahasueshëm. Bëhet fjalë për një trashëgimi që duhet ruajtur me kujdes, që të mund të investohet në botën e sotme globale me sfidat e saj epokale: paqen, ekologjinë integrale, zhvillimin e barabartë dhe të qëndrueshëm si dhe respektin për dinjitetin njerëzor.

Nevoja universale

Papa vuri në dukje edhe vazhdimësinë e këtyre sfidave, që nga Koncili II i Vatikanit, deri te enciklika e tij e parë, Magnifica Humanitas.

Ndjeva, përmes takimeve të ndryshme, nevojën për të dëgjuar në zërin e Papës Ungjillin e shpresës për njerëzimin tonë të sotëm, sprovuar rëndë nga pasojat negative të një modeli zhvillimi mashtrues.

Drejt "qytetërimit të dashurisë"

Papa theksoi edhe vlerën e dëshmive të mbledhura gjatë udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, veçanërisht ato të migrantëve të mirëpritur në qendrat fillestare të pritjes së Ishujve Kanarie, të cilat i ofruan "çelësin për një kuptim gjithëpërfshirës". Kjo perspektivë buron si nga vendndodhja gjeografike e arkipelagut, ashtu edhe nga përvoja e Kishës lokale, e përkushtuar për të mirëpritur shumë migrantë të detyruar, veçanërisht nga Afrika.

Ne e dimë se fenomeni i migrimit është kompleks dhe kërkon plane veprimi të koordinuara dhe të koncentruara. Po ky interpretim hap një perspektivë të ndryshme, edhe më të gjerë: na bën të kuptojmë se si jemi të thirrur ta rilexojmë Ungjillin në botën e sotme, duke shkëmbyer dhuratat e kulturave tona përkatëse e, në veçanti, frytet e prodhuara brenda tyre nga fekonditeti i mesazhit të Krishtit.

Bota, përmes "syve të Zotit"

Një nga këto, saktësoi Papa Leoni, është shpirti i vëllazërisë që frymëzon dialogun dhe shkëmbimin e ndërsjellë të vlerave. Rrugë jo e lehtë, por e aftë të çojë në "qytetërimin e dashurisë".

Papa përfundoi duke na nxitur ta “lartojmë  shikimin tonë", duke ndjekur moton e udhëtimit apostolik në Spanjë, e duke mësuar t'i shohim fqinjët tanë, njerëzit dhe botën "me sytë e Zotit", domethënë me dashuri, respekt e dhembshuri.

Të rinjtë ndërmjet provimeve e pushimeve

Pas katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, në përshëndetjet e tij drejtuar besimtarëve italishtfolës, Papa u drejtoi një mendim të rinjve që do të japin provime, duke i nxitur më pas ta shfrytëzojnë sa më shumë sezonin e ardhshëm veror, "kohë turizmi e shtegtimesh, pushimesh e çlodhjesh", duke shijuar "përvoja shoqërore e fetare". E duke iu drejtuar besimtarëve polakë, Papa kujtoi kremtimet e 30-vjetorit të riaktivizimit të Veprimit Katolik në vend, të cilat u realizuan falë frymëzimit të Shën Gjon Palit II, që e quajti "shkolla e fesë”.

17 qershor 2026, 11:12

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >