Kërko

Papa: të rizbulohet lutja si pëmasë themelore e natyrës sonë njerëzore

E vërteta e lutjes në Kishë, vend i takimit me Zotin dhe "shtyllë kurrizore e pjesëmarrjes aktive të besimtarëve", ishte në qendër të katekizmit të Leonit XIV gjatë audiencës së përgjithshme në Bazilikën e Vatikanit, e pesta mbi Kushtetutën konciliare "Sacrosanctum Concilium", kushtuar liturgjisë. Ftesa, ta jetojmë në bashkësi Liturgjinë e Orëve dhe ta transmetojmë përsëri lutjen në familje

Vatican News

Lutja nuk është "formë e padobishme arratisjeje" ose teknikë psikologjike për mirëqenien vetjake, por përmasë themelore e natyrës sonë njerëzore" dhe për këtë arsye "meriton të rizbulohet në të vërtetën e saj". Edhe duke e mirëpritur Liturgjinë e Orëve "në jetën e zakonshme të të pagëzuarve dhe të bashkësive". Leoni XIV e theksoi këtë në katekizmin e tij të pestë të audiencës së përgjithshme mbi Sacrosanctum Concilium, Kushtetutën që Koncili II i Vatikanit ia kushtoi liturgjisë. Tema e sotme: "Lutja e Kishës".

Nga Rrëshajët, Shpirti Shenjt na mëson të lutemi

Sot, 5 gusht, pas pushimeve të korrikut, audienca u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit, për shkak të vapës së fortë të ditëve të fundit në Romë. Pasi kaloi navaten qendrore për të përshëndetur 5 mijë besimtarët e pranishëm, Papa, duke vazhduar serinë e  katekizmave mbi dokumentet e Koncilit, shpjegoi se donte të përqendrohej në përmasën kishtare të lutjes liturgjike. Siç këshillon Shën Pali në fragmentin e Letrës drejtuar Efesianëve, që hap katekizmin, "është Shpirti Shenjt që na mëson të lutemi", e këtë e bën duke banuar në Kishë që nga dita e Rrëshajëve. Që atëherë, kujton Koncili në dokumentin e tij të parë të miratuar, "Kisha u mblodh gjithnjë në kuvend për të kremtuar Misterin e Pashkëve", duke lexuar Shkrimet Shenjte, duke kremtuar Eukaristinë dhe duke falënderuar Zotin "për dhuratën e tij të patregueshme në Krishtin Jezus".

Në kohën tonë, në kontekste të dominuara nga mendësia efiçentistike dhe konsumistike, lutja mund të duket një gjë e padobishme dhe e parëndësishme. Në një botë ku shkenca dhe teknologjia pretendojnë se i ofrojnë të gjitha përgjigjet, lutja mund të duket si formë shmangje nga realiteti.

Familjet e krishtera që nuk e transmetojnë më lutjen

Edhe në "shumë familje të krishtera - u ankua Papa - lutja nuk transmetohet më, ndërsa shumë njerëz ka rrezik ta ngatërrojnë atë thjesht me një teknikë tjetër, me natyrë psikologjike e që synon mirëqenien personale".

Ndërsa lutja, si përmasë themelore e humanizmit tonë, meriton të rizbulohet në të vërtetën e saj.

  (@Vatican Media)

Lutja e pjesëmarrja e besimtarëve në liturgji

Një kërkesë që, kujtoi Papa Leoni XIV, Sacrosanctum Concilium "e mori shumë seriozisht", aq sa Shën Pali VI, duke e shpallur, deklaroi: "Zoti në vendin e parë; lutja, detyrimi ynë i parë; liturgjia, burimi i parë i jetës hyjnore që na komunikohet, shkolla e parë e jetës sonë shpirtërore". Në Kushtetutë, sqaron Papa, termi "lutje" lidhet me gjithë liturgjinë në një perspektivë "vendimtare", sepse "udhëhoqi reformën liturgjike, duke i dhënë pjesëmarrjen aktive të besimtarëve si gurthemelin e saj". E “liturgjia paraqitet, mbi të gjitha, si vendi i takimit, i iniciativës së Zotit që i afrohet njerëzimit në Birin e vet".

Liturgjia e Orëve, si shkollë e lutjes së krishterë

Ndaj për këtë arsye, vazhdoi Leoni XIV, Papa Montini dëshironte me forcë "që Liturgjia e Orëve, domethënë lutja e përditshme publike e Kishës, e pandashme nga Eukaristia, të përshkojë thellësisht, të gjallërojë, të udhëheqë dhe të shprehë gjithë lutjen e krishterë dhe të ushqejë, në mënyrë efektive, jetën shpirtërore të Popullit të Zotit".

Që kjo dëshirë të realizohet, Liturgjia e Orëve duhet të mirëpritet dhe të përjetohet gjithnjë e më shumë në jetën e zakonshme të të pagëzuarve dhe të komuniteteve. Për shumë njerëz, të cilët dëshirojnë të mësojnë për t’u lutur, veçanërisht katekumenët,  mund të ofrojë rrugën dhe shkollën e lutjes së krishterë.

  (@VATICAN MEDIA)

Frymëmarrja e jetës së Kishës

Për Papën, çdo javë dhe çdo ditë, "Eukaristia dhe Liturgjia e Orëve janë fryma e jetës së Kishës, e  cila bën që Shpirti Shenjt të qarkullojë në të gjithë Korpin e saj". E citon Shën Agustinin, ndërsa na kujton se “Kur i flasim Zotit në lutje, të mos e ndajmë Birin prej tij; e, kur trupi i Birit lutet, le të mos e ndajë kryet nga vetja… Prandaj, le ta njohim zërin tonë tek ai dhe zërin e tij tek ne”.

Një Liturgji që shenjtëron kohën e jetës së përditshme

Leoni XIV e përfundoi katekizmin duke theksuar se Liturgjia e Orëve, e cila "zgjat dritën" e Eukaristisë, "shenjtëron kohën e jetës sonë të përditshme":

Në mëngjes, e fillojmë ditën me fe e mirënjohje; në mesditë, kërkojmë forcën e besnikërisë, mes mundit; në mbrëmje, kur puna mbaron, uratët e mbrëmjes shoqërojnë çastin e perëndimit të diellit; natën, biem në gjumë, duke ia besuar veten paqes së Zotit.

Kështu, "çdo Orë është akt shprese" dhe na lejon të vigjilojmë, “duke pritur me të gjithë Kishën kthimin e lavdishëm të Zotit".

05 gusht 2026, 12:41

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >