Leoni XIV në Vatikan: përfundojnë pushimet e tij verore në Castel Gandolfo
Vatican News
Leoni XIV u kthye mbrëmë në Vatikan, duke e lënë rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo, pranë Romës, mbrëmë, më 27 korrik, në orën 20.34. Papa ndodhej atje për pushimet e verës që nga 5 korriku. Largimi i tij nga rezidenca papnore me makinë u përshëndet me duartrokitje nga njerëzit e pranishëm e me thirrjet: "Rroftë Papa!" Papa bekoi disa fëmijë nga dritarja e makinës e u dha lamtumirën të gjithëve. Do të kthehet sërish në Castel Gandolfo të mërkurën, më 29 korrik, për të marrë pjesë në takimin e lutjes "Kënga e Paqes". I organizuar nga Qendra Laudato si' për Studime të Avancuara dhe nga Fondacioni Andrea Bocelli, veprimtaria e lidhur me kremtimet për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, do të zhvillohet duke filluar nga ora 7 e mbrëmjes në kopshtet e Vilave Papnore.
Ditët e Papës në Castel Gandolfo
Gjatë qëndrimit të tij 23-ditor në Castel Gandolfo, Papa iu përkushtua lutjes, leximit dhe pak sporteve. Përveç tri lutjeve të Engjëllit të Tënzot të dielave, në mesditë, para Pallatit Apostolik, Leoni XIV u angazhua publikisht edhe në dy ngjarje të tjera. Ato ishin dreka në kopshtet papnore të Castel Gandolfo me 200 persona, përfshirë 35 fëmijë nga dioqeza e Romës, në situata të vështira shoqërore, më 11 korrik, si edhe një koncert i ofruar nga dioqeza e Albanos në oborrin e Pallatit Apostolik më 18 korrik. Papa bëri gjithashtu dy vizita private javën e kaluar: më 20 korrik, në Abacinë Benediktine të Montecassino-s dhe më 22 korrik, në shenjtëroren e Trinisë Shenjte në Vallepietra dhe në manastiret e Shën Benediktit e të Shën Skolastikës në Subiaco.
