2026.07.27 Papa Leone XIV lascia Castel Gandolfo

Leoni XIV në Vatikan: përfundojnë pushimet e tij verore në Castel Gandolfo

Papa u largua nga Pallati Apostolik i qytetit në Castelli Romani mbrëmë, më 27 korrik, për t'u kthyer në Vatikan. Para se të nisej me makinë në orën 20.34, ai bekoi disa fëmijë që, së bashku me prindërit e tyre, po e prisnin për ta përshëndetur. Papa mbërriti për pushime më 5 korrik. Gjatë qëndrimit të tij, drekoi me 200 të varfër të dioqezës së Romës dhe mori pjesë në një koncert

Vatican News

         Leoni XIV u kthye mbrëmë në Vatikan, duke e lënë rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo, pranë Romës, mbrëmë, më 27 korrik, në orën 20.34. Papa ndodhej atje për pushimet e verës që nga 5 korriku. Largimi i tij nga rezidenca papnore me makinë u përshëndet me duartrokitje nga njerëzit e pranishëm e me thirrjet: "Rroftë Papa!" Papa bekoi disa fëmijë nga dritarja e makinës e u dha lamtumirën të gjithëve. Do të kthehet sërish në Castel Gandolfo të mërkurën, më 29 korrik, për të marrë pjesë në takimin e lutjes "Kënga e Paqes". I organizuar nga Qendra Laudato si' për Studime të Avancuara dhe nga Fondacioni Andrea Bocelli, veprimtaria e lidhur me kremtimet për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, do të zhvillohet duke filluar nga ora 7 e mbrëmjes në kopshtet e Vilave Papnore.


Ditët e Papës në Castel Gandolfo

Gjatë qëndrimit të tij 23-ditor në Castel Gandolfo, Papa iu përkushtua lutjes, leximit dhe pak sporteve. Përveç tri lutjeve të Engjëllit të Tënzot të dielave, në mesditë, para Pallatit Apostolik, Leoni XIV u angazhua publikisht edhe në dy ngjarje të tjera. Ato ishin dreka në kopshtet papnore të Castel Gandolfo me 200 persona, përfshirë 35 fëmijë nga dioqeza e Romës, në situata të vështira shoqërore, më 11 korrik, si edhe një koncert i ofruar nga dioqeza e Albanos në oborrin e Pallatit Apostolik më 18 korrik. Papa bëri gjithashtu dy vizita private javën e kaluar: më 20 korrik, në Abacinë Benediktine të Montecassino-s dhe më 22 korrik, në shenjtëroren e Trinisë Shenjte në Vallepietra dhe në manastiret e Shën Benediktit e të Shën Skolastikës në Subiaco.

28 korrik 2026, 07:58