Papa: polarizimet dhe përbuzja e diversitetit sjellin shkatërrim
R.SH. / Vatikan
Një qarkullim dashurie që gjallëron dhe lidh tre personat hyjnorë: Atin, Birin e Shpirtin Shenjt. Kështu, në Lutjen e Engjëllit të Zotit të kësaj së dieleje, e fundmja e muajit maj tradicionalisht kushtuar Virgjërës Mari, Papa Leoni XIV shpjegon kuptimin e Solemnitetit të Trinisë Shenjte, që Kisha e kremton sot, 31 maj. Një dashuri përherë e zjarrtë, nga e cila njerëzimi mund të shikojë për të krijuar unitet, përtej çdo pengese urrejtjeje.
Jeta në Jezusin është bashkësi dinamike dhe e frytshme
Kisha, vëren Pasardhësi i Pjetrit në katekizmin e tij, është "sakrament i bashkësisë, hapësirë takimi". Prandaj, ajo është pasqyrim i asaj dashurie Trinitare të ushqyer nga zjarri i Shpirtit. Atij Shpirti për të cilin Jezusi i foli Nikodemit, siç tregohet në Ungjilin e Gjonit, nata e të cilit u ndriçua "me të vërtetën që në festën e sotme jehon në të gjitha kishat tona", thotë Papa
Duke kremtuar sot Misterin e Zotit Trini, na ofrohet mundësia të rimendojmë udhëtimin që bëmë, duke filluar nga qendra e tij: jeta e Zotit që na u dhurua ne në Jezu Krishtin. Kjo jetë është bashkim dinamik, i pashtershëm dhe i frytshëm, që tani na përfshin: Shpirti që lidh Atin dhe Birin është derdhur në zemrat tona, në mënyrë që në botë të marrë formë Kisha, sakrament bashkimi, hapësirë takimi, dashurie dhe jete, në të cilën qielli dhe toka tashmë preken.
Triniteti na bën të duam gjithçka e të gjithë
Nikodemi bënte pjesë në Sinedër, Këshill i udhëheqësve të Izraelit. Papa kujton sesi nuk u bashkua me korin e përbuzjes kundër Jezusit, por përkundrazi, i ftoi të gjithë ta dëgjonin, para se ta dënonin. Kishte jetuar një takim që do ta shndërronte thellësisht, do t'ia hapte zemrën "ndaj të vërtetës së re dhe risisë së vërtetë", asaj të jetës në Krishtin. Papa Leoni na nxit ta rijetojmë udhëtimin e Nikodemit dhe ta kremtojmë me shpirtin e gëzueshëm. Kush nuk e mirëpret këtë Shpirt "plaket shpejt, ndër ankime, ankohet dhe mbetet vetëm", vazhdoi Papa.
Jeta e Zotit është e mrekullueshme e magjepsëse; i jep paqe zemrës sonë, shpesh të trazuar, e na bashkon me vëllezërit e motrat në gëzimin e Shpirtit. Trinia Shenjte na bën të duam gjithçka, e të gjithë: të zbulojmë se çdo krijesë është bërë për bashkim, marrëdhënie, takim. E, në të kundërt, e kuptojmë pse ndarjet, polarizimet dhe përbuzja për diversitetin sjellin në botë shkatërrim, trishtim dhe thatësi.