Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Leoni XIV: përballë plagëve të njerëzimit, Krishti e thërret Kishën në mision

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV theksoi se shikimi i Krishtit mbi vuajtjet e burrave dhe grave bëhet angazhim konkret për shërim e shpengim. E ndërsa bota është e shtypur nga luftërat, dhuna, konsumizmi e zhgënjimi, Papa bën thirrje për shërbim vetmohues ndaj atyre që vuajnë e që kërkojnë drejtësinë e shpresën.

R.SH. - Vatikan

"Shtypja që ndrydh", së bashku me "dhunën që shteron forcën". "Plagët e luftës", së bashku me "zbrazëtinë e konsumizmit". E përsëri, "fytyra të katandisura në maska, familje të shkatërruara nga e keqja, të rinj të mashtruar nga ideale të rreme". Këtë shikon Jezusi: kur "shikon njerëzit, Shikon njerëzimin". Megjithatë Ai "sheh e do".

Këto janë fjalët e katekizmit të Leonit XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën, më 14 qershor, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan - i pari pas udhëtimit të tij apostolik në Spanjë - duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele të 11-të gjatë vitit kishtar (Mt 9:36–10,8), në të cilin dhembshuria e Jezusit për njerëzit shndërrohet në dërgimin e dishepujve për të vazhduar veprën e tij të shpalljes e të shërimit, me stil bujarie e shërbimi.

Vështrimi i vëmendshëm i Jezusit

Një tregim ungjillor që Papa, duke shikuar nga dritarja e studios së tij në Pallatin Apostolik rreth njëzet mijë besimtarët dhe ata që e ndiqnin përmes medias, e quan "dhuratë e madhe" sepse "i përfshin të gjithë ata që e dëgjojnë në shikimin e Jezusit" dhe "dëshmojnë për vëmendjen e shikimit të tij", veçanërisht ato turma "të lodhura dhe të rraskapitura" për të cilat Biri i Zotit kishte "dhembshuri".

Jezusi sheh, e do. Do e vuan për ne, me ne: dhembshuria e tij shpreh jo vetëm afërsi vëllazërore, por edhe dëshirë për shëlbim.

Është reagimi i Jezusit, i cili "i njeh zemrat tona dhe kujdeset për to": përballë njerëzve që janë si "dele pa bari", Krishti ia kushton veten të gjithave "si bari i mirë e, si Zot i të korrave, dërgon punëtorë në fushat e botës". Detyra e tyre është t'u japin "ngushëllimin e Zotit, atyre që vuajnë", "të sjellin bamirësi, aty ku ka mjerim; shpresë, aty ku ka mundim; besim, aty ku ka mosbesim".

Fjala e gjallë dhe e vërtetë

Një nga një, Ungjilli kësaj së diele përmend dymbëdhjetë "punëtorët" e parë, "dishepujt që u bënë apostuj, domethënë misionarë dhe predikatarë": ndërmjet tyre, Simoni i quajtur Pjetër, i pari, dhe Juda Iskarioti, i fundit, "për të na kujtuar", theksoi Papa, "se dikush mund ta ndjekë Jezusin dhe ta tradhtojë atë, por Ungjilli mbetet fjalë e gjallë dhe e vërtetë për të gjithë".

Lajmi i Mirë që përfshin shekujt është i njëjtë, gjithmonë rinor, i freskët e çlirues: "Mbretëria e Qiellit është pranë!".

Një Mbretëri që është "afër", sepse në Jezusin "Zoti i afrohet çdo burri e çdo gruaje, çdo populli e çdo kombi". E kur ky Ungjill "shpallet dhe praktikohet, e keqja shembet e zhduket si sëmundje që mbaron, si natë që i dorëzohet agimit, e si vdekja e mposhtur nga i Ngjalluri".

Një mision falas

Në këtë mënyrë, shikimi i Jezusit është i aftë ta transformojë realitetin: "plot dashuri, iniciativa e tij i jep jetë një populli të ri, Kishës, të thirrur për të vazhduar misionin e apostujve", duke dhënë lirisht aq lirisht, sa dikush ka marrë. Plotësisht falas, dhurata e Jezusit ka vlerë që "tejkalon çdo masë: është e pamundur ta meritosh ose ta 'blesh' atë".

Detyra e ungjillëzimit lind nga dhurata e Zotit, e cila në Krishtin bëhet falje për botën, shërbim ndaj më të vegjëlve dhe më të varfërve dhe angazhim për drejtësi.

Së fundi, Papa i kërkon ndihmën Zojës Mari për t'iu përgjigjur "me gëzim e guxim misionit në të cilin na thërret Jezusi".

14 qershor 2026, 16:25

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >