Kërko

Papa: polarizimet dhe përbuzja e diversitetit sjellin shkatërrim

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të së dielës, i ndjekur në Sheshin e Shën Pjetrit nga 20.000 besimtarë, Papa Leoni XIV reflektoi mbi Misterin e Zotit Trini, që na kujton "një bashkësi dinamike, të pashtershme e të frytshme, e cila tani na përfshin". Në Solemnitetin e sotëm, Papa na fton të rizbulojmë se "Trinia na bën të duam gjithçka, e të gjithë" dhe se çdo krijesë është bërë për bashkësi, marrëdhënie dhe takim.

R.SH. / Vatikan

Një qarkullim dashurie që gjallëron dhe lidh tre personat hyjnorë: Atin, Birin e Shpirtin Shenjt. Kështu, në Lutjen e Engjëllit  të Zotit të kësaj së dieleje,  e fundmja e muajit maj tradicionalisht kushtuar Virgjërës Mari, Papa Leoni XIV shpjegon kuptimin e Solemnitetit të Trinisë Shenjte, që Kisha e kremton sot, 31 maj. Një dashuri përherë e zjarrtë, nga e cila njerëzimi mund të shikojë për të krijuar unitet, përtej çdo pengese urrejtjeje.

Jeta në Jezusin është bashkësi dinamike dhe e frytshme

Kisha, vëren Pasardhësi i Pjetrit në katekizmin e tij, është "sakrament i bashkësisë, hapësirë takimi". Prandaj, ajo është pasqyrim i asaj dashurie Trinitare të ushqyer nga zjarri i Shpirtit. Atij Shpirti për të cilin Jezusi i foli Nikodemit, siç tregohet në Ungjilin e Gjonit, nata e të cilit u ndriçua "me të vërtetën që në festën e sotme jehon në të gjitha kishat tona", thotë Papa

Duke kremtuar sot Misterin e Zotit Trini, na ofrohet mundësia të rimendojmë udhëtimin që bëmë, duke filluar nga qendra e tij: jeta e Zotit që na u dhurua ne në Jezu Krishtin. Kjo jetë është bashkim dinamik, i pashtershëm dhe i frytshëm, që tani na përfshin: Shpirti që lidh Atin dhe Birin është derdhur në zemrat tona, në mënyrë që në botë të marrë formë Kisha, sakrament bashkimi, hapësirë ​​takimi, dashurie dhe jete, në të cilën qielli dhe toka tashmë preken.

Triniteti na bën të duam gjithçka e të gjithë

Nikodemi bënte pjesë në Sinedër, Këshill i udhëheqësve të Izraelit. Papa kujton sesi nuk u bashkua me korin e përbuzjes kundër Jezusit, por përkundrazi, i ftoi të gjithë ta dëgjonin, para se ta dënonin. Kishte jetuar një takim që do ta shndërronte thellësisht, do t'ia hapte zemrën "ndaj të vërtetës së re dhe risisë së vërtetë", asaj të jetës në Krishtin. Papa Leoni na nxit ta rijetojmë udhëtimin e Nikodemit dhe ta kremtojmë me shpirtin e gëzueshëm. Kush nuk e mirëpret këtë Shpirt "plaket shpejt, ndër ankime, ankohet dhe mbetet vetëm", ​​vazhdoi Papa.

Jeta e Zotit është e mrekullueshme e magjepsëse; i jep paqe zemrës sonë, shpesh të trazuar, e na bashkon me vëllezërit e motrat në gëzimin e Shpirtit. Trinia Shenjte na bën të duam gjithçka, e të gjithë: të zbulojmë se çdo krijesë është bërë për bashkim, marrëdhënie, takim. E, në të kundërt, e kuptojmë pse ndarjet, polarizimet dhe përbuzja për diversitetin sjellin në botë shkatërrim, trishtim dhe thatësi.

31 maj 2026, 13:49

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >