Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e gjerë (@VaticanMedia) Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e gjerë (@VaticanMedia)

Papa: liturgjia, tradita dhe progresi integrohen dhe bëjnë të rritet jeta e krishterë

Në audiencën e sotme të përgjithshme, në katekizmin e dytë kushtuar Kushtetutës së Koncilit Dytë të Vatikanit "Sacrosanctum Concilium", Leoni XIV shpjegon se kulti i Kishës është “mishëruar” në format kulturore të çdo epoke duke u shndërruar në motor të ungjillëzimit: sot "duhet përtërirë kjo energji" duke respektuar normat liturgjike; të mos çorientohen besimtarët duke shtuar, hequr apo ndryshuar diçka, risitë nuk e cenojnë bashkimin e bashkësinë kishtare, por e konfirmojnë atë.

R.SH. – Vatikan

“Të ruhet tradita e shëndoshë dhe të hapet rruga ndaj një progresi të ligjshëm”: ky është qëllimi i Sacrosanctum Concilium, dokumentit të parë të shpallur nga Koncili II i Vatikanit, i thirrur për “të bërë që të rritet gjithnjë e më shumë jeta e krishterë mes besimtarëve”, “të përshtaten me kërkesat” e “kohës” institucionet që “u nënshtrohen ndryshimeve”, “të nxitet çdo gjë që mund të kontribuojë në bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin” dhe “të rigjallet ajo që shërben për t'i thirrur të gjithë në gjirin e Kishës”. Leoni XIV e shpjegon këtë në katekizmin e dytë kushtuar Kushtetutës së Koncilit të Dytë të Vatikanit mbi liturgjinë e shenjtë, në kuadër të ciklit mbi dokumentet e asamblesë konciliare, gjatë audiencës së sotme përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme . Papa gjatë audiencës së sotme të përgjithshme shtjelloi temën “Reforma e liturgjisë: tradita dhe zhvillimi”.

Të synohet gjithmonë bashkësia kishtare

Progresi i përmendur nga dokumenti Sacrosanctum Concilium është një progres që “nuk e cenon aspak bashkimin kishtar”, nënvizon Papa para besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, përkundrazi kërkon “ta konfirmojë dhe ta nxisë atë”. Prej këtu buron edhe ftesa për të zbatuar rregullat dhe normat liturgjike të Kishës.

Prandaj, u bëj thirrje të gjithë atyre që janë të thirrur të përgatisin kremtimin e mistereve hyjnore, veçanërisht meshtarëve që ushtrojnë shërbesën e udhëheqjes liturgjike, që të ruajnë gjithmonë atë respekt ndaj teksteve dhe rregulloreve të liturgjisë, i cili lind nga qëndrimi i brendshëm i gatishmërisë dhe i besimit te Zoti, duke dëshmuar përvujtëri para madhështisë së Tij Hyjnore dhe besnikëri të sinqertë ndaj bashkësisë kishtare.

Tradita dhe progresi

Duke shtjelluar temën “Reforma e liturgjisë: tradita dhe zhvillimi”, Papa sqaron paraprakisht se në vitet e gjashtëdhjeta, periudhë gjatë së cilës u zhvillua Koncili II i Vatikanit, “ndihej fort nevoja për një përtëritje të formave rituale” dhe se “falë Lëvizjes liturgjike ishte pjekur bindja” për “lidhjen” e ngushtë midis “përtëritjes së liturgjisë” dhe “përtëritjes së mbarë jetës së Kishës”. Kjo gjë ishte vënë në dukje që më parë nga Papa Piu XII në Enciklikën Mediator Dei, ku lexohet se “Kisha është një organizëm i gjallë”, prandaj, “edhe për sa i përket liturgjisë së shenjtë, duke mbetur e paprekur tërësia e mësimit të saj, ajo rritet dhe zhvillohet, duke iu përshtatur dhe përgjigjur rrethanave dhe kërkesave” të kohës.

Siç ka sqaruar Benedikti XVI, ndonëse “tradita dhe progresi” shpesh kundërvihen, “në realitet, të dyja këto koncepte plotësojnë njëri-tjetrin”. Dhe në fakt, Etërit konciliarë në dokumentin Sacrosanctum Concilium specifikuan se progresi “është i rrënjosur në Traditën autentike”, kujton Leoni, por duke “dalluar brenda liturgjisë ‘një pjesë të pandryshueshme, sepse është e institucionit hyjnor’ dhe ‘pjesë të ndryshueshme’.

Një kult i mishëruar

Për t'u mundësuar “besimtarëve një pjesëmarrje të frytshme, përmes veprimeve rituale, në misterin pashkor të Krishtit”, që është “themeli i fesë së krishterë”, kësisoj, ka pasur “ndryshime” në liturgji “përgjatë shekujve”.

Kulti i Kishës është “mishëruar” në format kulturore të çdo epoke dhe ka qenë i aftë të ndikojë mbi to e madje edhe t'i shndërrojë ato. Liturgjia ka qenë kështu, për shekuj me radhë, një motor i ungjillëzimit. Sot duhet përtërirë kjo energji në vazhdimësi me traditën autentike dhe të gjallë katolike, domethënë sipas një dinamike që synon t'i fusë besimtarët në plotësinë e së vërtetës.

Të shmanget çorientimi i besimtarëve

Lidhja e ngushtë midis traditës liturgjike dhe progresit shfaqet gjithashtu në rekomandimin e etërve konciliarë për një “rishikim të riteve”, aty ku do të kishte “një dobi të vërtetë dhe të vërtetuar të Kishës”, i bërë në mënyrë të tillë që “format e reja të lindin organikisht nga ato ekzistuese”, saktëson Papa, i cili këshillon reforma të peshuara mirë dhe të studiuara hollësisht në respekt të traditës.

Për të mirën e mbarë Kishës, çdo reformë duhet të jetë gjithmonë “e paraprirë nga një kërkim i kujdesshëm teologjik, historik dhe baritor”. Magjisteri konciliar, në këtë mënyrë, fton të shmanget çorientimi i besimtarëve, duke shkurajuar këdo që, në çështjet liturgjike, të shtojë, të heqë apo të ndryshojë diçka me nismën e tyre personale.

27 maj 2026, 11:11

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >