Kërko

Papa: në Afrikë, një festë e fesë, thesar i paçmuar për shërbesën time

Në audiencën e përgjithshme, Leoni XIV ripërshkoi fazat e udhëtimit të tij në Afrikë, nga 13 deri më 23 prill, duke shprehur emocionet dhe përshtypjet e tij. Në kontinentin afrikan, është themelore të shpërndahet drejt pasuria, të luftohet korrupsioni dhe neokolonializmi, me një bashkëpunim ndërkombëtar largpamës. Papa nënvizoi se nuk mund t'i harrojë të burgosurit e Batës, të cilët, nën shi, kërkuan lutje "për mëkatet dhe për lirinë e tyre": "Nuk kam parë kurrë diçka të tillë"

R.SH. – Vatikan

Sot, audienca e parë e përgjithshme e Papës Leoni XIV pas udhëtimit të tij në Afrikë, prandaj, nuk mund të mos i kushtohej atij, siç është tashmë traditë në magjisterin papnor. Ati i Shenjtë ndau me besimtarët e pranishëm në Vatikan kujtimet e vizitës së tij në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe në Guinenë Ekuatoriale. "Që nga fillimi i papnisë – përsëriti diçka, që e ka thënë edhe herë të tjera - kam menduar të udhëtoj në Afrikë". Papa vuri në dukje se shtegtimi pati për qëllim takimin me popullin e Zotit, që kishte nevojë për një mesazh paqeje, në një kontekst të karakterizuar nga konflikte dhe nga shkeljet e së drejtës ndërkombëtare. Çdo vend i vizituar pati një kuptim të veçantë: në Algjeri, Papa reflektoi mbi rrënjët e tij shpirtërore të lidhura me Shën Augustinin, por vendosi edhe një urë të rëndësishme me Islamin dhe me traditën e krishterë. Gjithashtu, vizita vuri në dukje dëshirën për të promovuar unitetin, që të gjithë të jetojnë si vëllezër pavarësisht nga dallimet fetare.

“Provania Hyjnore – vërejti Leoni XIV - deshi që etapa e parë të ishte pikërisht shteti ku ndodhen vendet e Shën Augustinit, pra, Algjeria. Kështu, nga njëra anë, u gjenda para rrënjëve të identitetit tim shpirtëror dhe, nga ana tjetër, synova të kaloj e të konsolidoj ura shumë të rëndësishme për botën dhe për Kishën e sotme: urën me epokën tejet të frytshme të Etërve të Kishës; urën me botën islame; urën me kontinentin afrikan”.

Papa në Algjeri
Papa në Algjeri   (@Vatican Media)

Pajtimi në Kamerun dhe thirrja për paqe

Papa kujtoi thirrjen e fuqishme për paqen gjatë vizitës së tij në Kamerun, ku gjeti një atmosferë gëzimi, por edhe tensioni, për shkak të konflikteve të brendshme.

"Vizita në Kamerun më dha mundësinë ta përforcoj thirrjen për të punuar së bashku për pajtim e paqe, sepse edhe ai vend, për fat të keq, vuan nga tensioni e dhuna. Jam i kënaqur që shkova në Bamenda, në zonën anglishtfolëse, ku inkurajova të punojmë së bashku për paqen".

Në veçanti, Leoni XIV i inkurajoi kamerunasit të kapërcejnë përçarjet, për të ndërtuar një të ardhme paqësore. Vizita e tij ishte ftesë për të kapërcyer vështirësitë përmes angazhimit të përbashkët, duke theksuar nevojat e kontinentit, si shpërndarjen më të drejtë të burimeve dhe mbështetjen për të rinjtë.

Papa në Bamenda, Kamerun
Papa në Bamenda, Kamerun   (@Vatican Media)

Udha e shpresës në Angolë dhe në Guinenë Ekuatoriale

Në Angolë, Papa qe dëshmitar i forcës së fesë së krishterë, e cila e ka shoqëruar kombin në rrugën e vështirë drejt pajtimit, pas luftës së gjatë civile. Ati i Shenjtë kujtoi vizitën në Muxima. "Në shenjtëroren mariane të Mamã Muxima - që do të thotë 'Nëna e Zemrës' - ndjeva zemrën e popullit angolez të rrihte", vërejti Leoni XIV, duke evokuar përshpirtërinë e madhe, që i jep gjallëri vendit.

Nga vizita në Guinenë Ekuatoriale, Papa kujtoi takimin prekës me të burgosurit e Batës, të cilët kënduan me gëzim dhe shpresë. Ky takim ishte shenjë e vërtetë e Mbretërisë së Zotit, thirrje për të jetuar sipas parimeve të krishtera të lirisë dhe të drejtësisë, të cilat janë themelore për një të ardhme më të mirë.

“Nuk mund ta harroj çfarë ndodhi në burgun e Batës, në Guinenë Ekuatoriale: të burgosurit kënduan me sa zë kishin një këngë falënderimi për Zotin dhe për Papën, duke kërkuar lutje “për mëkatet dhe për lirinë e tyre”. Nuk kisha parë kurrë asgjë të ngjashme. E pastaj, ata lutën “Ati ynë” me mua, nën shiun e rrëmbyeshëm. Një shenjë e vërtetë e Mbretërisë së Zotit!”

Në shenjtëroren mariane të Mamã Muxima
Në shenjtëroren mariane të Mamã Muxima   (ANSA)

Nevojat e mëdha dhe shpresat e Afrikës

Gjatë udhëtimit të tij, Leoni XIV vuri në dukje nevojat e mëdha të Afrikës, si luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, nevoja që i përmendi sërish sot gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan. Ai kërkoi edhe një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të përballuar sfidat ekonomike dhe politike afrikane. Papa shprehu mirënjohjen për pritjen që iu bë, duke theksuar se populli afrikan është bartës i një pasurie të paçmueshme shpirtërore, e cila ia ka pasuruar zemrën dhe shërbesën e tij. Pavarësisht nga vështirësitë, pa shenja shprese në çdo vend që vizitoi, që dëshmojnë për një fe, e cila u reziston ideologjive dhe zhgënjimeve të botës.

Të burgosurit e Batës, Guinea Ekuatoriale
Të burgosurit e Batës, Guinea Ekuatoriale   (@Vatican Media)
29 prill 2026, 11:15

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >