Kërko

Papa: feja lind nga takimi, duke rizbuluar Eukaristinë e së Dielës

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Leoni XIV ftoi për ta ushqyer dhe për ta mbështesim përshpirtërinë, pavarësisht vështirësive, e për të mos hequr dorë nga Mesha, burim i jetës së krishterë dhe mision që i bën dëshmitarët besnikë të bamirësisë dhe bartës të paqes në botë.

R.SH. / Vatikan

Ftesë për të ripërtërirë fenë, duke nisur nga takimi personal me Krishtin e Ngjallur, jetuar në bashkësi e ushqyer nga Eukaristia. Këto janë fjalët e Papës Leoni XIV gjatë lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore  në Sheshin e Shën Pjetrit sot, 12 prill, në të Dielën e dytë të Pashkëve, kushtuar Mëshirës Hyjnore.

Njohja e të Ngjallurit

Duke kujtuar Ungjillin e Gjonit që përshkruan dukjen e Jezusit Tomës apostull, Papa, nga Pallati Apostolik i Vatikanit, iu drejtua besimtarëve të mbledhur në shesh, pavarësisht nga moti i pasigurt, si dhe atyre që e ndiqnin përmes medias. Theksoi se si dishepulli u takua me Zotin "tetë ditë më vonë", nësa ishte me dishepujt e tij. Kjo hollësi bëhet udhëzuese për çdo besimtar: pikërisht në bashkësinë dhe në shenjat e Pashkëve ne mund ta njohim të Ngjallurin.

E pikërisht aty Toma apostull e takon Mësuesin Jezus, të Ngjallurin i cili e fton të shikojë shenjat e gozhdave, të  prekë me dorë plagën në brinjën e tij e të besojë.

Një skenë që, vazhdon Papa, na nxit të mendojmë për takimin tonë me Jezusin e Ngjallur, për vendet ku e gjejmë dhe për mënyrën se si ta njohim dhe të besojmë në Të. Në këtë drejtim, episodi i Ungjillit përmban "tregues të saktë": Toma takon Jezusin e Ngjallur ditën e tetë, në bashkësinë e mbledhur, dhe e njeh atë në shenjat e flijimit të tij.

Ta ushqesh dhe ta mbështetësh fenë!

Nga kjo përvojë rrjedh rrëfimi i tij i fesë, "më i larti në të gjithë Ungjillin e katërt", edhe pse  të besosh “nuk ishte gjithnjë e lehtë për Tomën, e nuk është as për ne", kujtoi Leoni XIV, duke theksuar se feja duhet të "ushqehet dhe të mbështetet vazhdimisht". Në këtë kontekst Papa riafirmon vlerën qendrore të së Dielës. "Dita e tetë" bëhet koha e privilegjuar për t'u takuar me Krishtin në kremtimin e Eukaristisë, "e domosdoshme" për jetën e krishterë. Në të dëgjojmë fjalët e Jezusit, lutemi, rrëfejmë fenë tonë, ndajmë dhuratat e Zotit në bamirësi, ofrojmë jetën tonë në bashkim me Flijimin e Krishtit, ushqehemi me Korpin dhe Gjakun e Tij, e pastaj, jemi dëshmitarë të Ngjalljes së Tij, siç e tregon fjala "Meshë", që do të thotë "dërgim", "mision".

Në gjurmët e martirëve afrikanë të Abitenës

Papa foli, më pas, për udhëtimin e tij të ardhshëm apostolik në Afrikë, për ku do të niset nesër në mëngjes dhe, në veçanti, për "dëshminë e bukur" të dhënë në Kishën e hershme Afrikane nga Martirët e Abitenës, të cilët, "ofertës për të shpëtuar jetën e tyre me kusht që të hiqnin dorë nga kremtimi i Eukaristisë, iu përgjigjën se nuk mund të jetonin pa kremtuar Ditën e Zotit".  

Duar të afta për vuajtje dhe butësi

Përmes takimit eukaristik, duart e besimtarëve shndërrohen gjithashtu në "duart e të Ngjallurit":  bëhen "dëshmitare të pranisë së Tij, të mëshirës së Tij, të paqes së Tij" në shenjat e gdhendura nga puna, flijimi, sëmundja, vuajtja dhe koha, si dhe "në butësinë e një përkëdheljeje, një përqafimi, një gjesti bamirësie".

Të dëshmosh bamirësinë e të sjellësh pajtimin

Së fundi, thirrja: "në një botë që ka kaq shumë nevojë për paqe", të jeni "të zellshëm dhe besnikë" në takimit eukaristik me të Ngjallurin, për t’u rinisur që andej si "dëshmitarë të bamirësisë dhe mbartës të pajtimit".

Këtij udhëtimi i prin Virgjëra Mari, "e bekuar sepse ishte e para, që besoi pa e takuar".

12 prill 2026, 14:46

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >