Papa: feja lind nga takimi, duke rizbuluar Eukaristinë e së Dielës
R.SH. / Vatikan
Ftesë për të ripërtërirë fenë, duke nisur nga takimi personal me Krishtin e Ngjallur, jetuar në bashkësi e ushqyer nga Eukaristia. Këto janë fjalët e Papës Leoni XIV gjatë lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit sot, 12 prill, në të Dielën e dytë të Pashkëve, kushtuar Mëshirës Hyjnore.
Njohja e të Ngjallurit
Duke kujtuar Ungjillin e Gjonit që përshkruan dukjen e Jezusit Tomës apostull, Papa, nga Pallati Apostolik i Vatikanit, iu drejtua besimtarëve të mbledhur në shesh, pavarësisht nga moti i pasigurt, si dhe atyre që e ndiqnin përmes medias. Theksoi se si dishepulli u takua me Zotin "tetë ditë më vonë", nësa ishte me dishepujt e tij. Kjo hollësi bëhet udhëzuese për çdo besimtar: pikërisht në bashkësinë dhe në shenjat e Pashkëve ne mund ta njohim të Ngjallurin.
E pikërisht aty Toma apostull e takon Mësuesin Jezus, të Ngjallurin i cili e fton të shikojë shenjat e gozhdave, të prekë me dorë plagën në brinjën e tij e të besojë.
Një skenë që, vazhdon Papa, na nxit të mendojmë për takimin tonë me Jezusin e Ngjallur, për vendet ku e gjejmë dhe për mënyrën se si ta njohim dhe të besojmë në Të. Në këtë drejtim, episodi i Ungjillit përmban "tregues të saktë": Toma takon Jezusin e Ngjallur ditën e tetë, në bashkësinë e mbledhur, dhe e njeh atë në shenjat e flijimit të tij.
Ta ushqesh dhe ta mbështetësh fenë!
Nga kjo përvojë rrjedh rrëfimi i tij i fesë, "më i larti në të gjithë Ungjillin e katërt", edhe pse të besosh “nuk ishte gjithnjë e lehtë për Tomën, e nuk është as për ne", kujtoi Leoni XIV, duke theksuar se feja duhet të "ushqehet dhe të mbështetet vazhdimisht". Në këtë kontekst Papa riafirmon vlerën qendrore të së Dielës. "Dita e tetë" bëhet koha e privilegjuar për t'u takuar me Krishtin në kremtimin e Eukaristisë, "e domosdoshme" për jetën e krishterë. Në të dëgjojmë fjalët e Jezusit, lutemi, rrëfejmë fenë tonë, ndajmë dhuratat e Zotit në bamirësi, ofrojmë jetën tonë në bashkim me Flijimin e Krishtit, ushqehemi me Korpin dhe Gjakun e Tij, e pastaj, jemi dëshmitarë të Ngjalljes së Tij, siç e tregon fjala "Meshë", që do të thotë "dërgim", "mision".
Në gjurmët e martirëve afrikanë të Abitenës
Papa foli, më pas, për udhëtimin e tij të ardhshëm apostolik në Afrikë, për ku do të niset nesër në mëngjes dhe, në veçanti, për "dëshminë e bukur" të dhënë në Kishën e hershme Afrikane nga Martirët e Abitenës, të cilët, "ofertës për të shpëtuar jetën e tyre me kusht që të hiqnin dorë nga kremtimi i Eukaristisë, iu përgjigjën se nuk mund të jetonin pa kremtuar Ditën e Zotit".
Duar të afta për vuajtje dhe butësi
Përmes takimit eukaristik, duart e besimtarëve shndërrohen gjithashtu në "duart e të Ngjallurit": bëhen "dëshmitare të pranisë së Tij, të mëshirës së Tij, të paqes së Tij" në shenjat e gdhendura nga puna, flijimi, sëmundja, vuajtja dhe koha, si dhe "në butësinë e një përkëdheljeje, një përqafimi, një gjesti bamirësie".
Të dëshmosh bamirësinë e të sjellësh pajtimin
Së fundi, thirrja: "në një botë që ka kaq shumë nevojë për paqe", të jeni "të zellshëm dhe besnikë" në takimit eukaristik me të Ngjallurin, për t’u rinisur që andej si "dëshmitarë të bamirësisë dhe mbartës të pajtimit".
Këtij udhëtimi i prin Virgjëra Mari, "e bekuar sepse ishte e para, që besoi pa e takuar".