Papa: Vatikani II, ftesë për të qenë dëshmitarë të guximshëm të drejtësisë e të paqes
R.SH. / Vatikan
Leoni XIV nisi një cikël të ri katekizmash në audiencën e përgjithshme, e para e vitit 2026. Tema është "Koncili II i Vatikanit përmes dokumenteve". Besimtarëve të mbledhur në Sallën Pali VI, në Vatikan, u shpjegoi se qëllimi është të "rizbulohet bukuria dhe rëndësia e kësaj ngjarjeje kishtare" dhe të gjenden "mënyra e mjete" për të zbatuar njohuritë e saj. Prej këndej, "do të jetë e rëndësishme ta njohim përsëri nga afër".
Prandaj Papës i duhet të rilexojë Dokumentet dhe të reflektojë "mbi përmbajtjen e tyre", Magjisterin që mbetet "ylli polar i udhës së Kishës" sepse, siç ka shpjeguar Benedikti XVI, është veçanërisht i rëndësishëm "në lidhje me nevojat e reja të Kishës dhe të shoqërisë së sotme të globalizuar".
Koncili II i Vatikanit rizbuloi fytyrën e Zotit si Atë që, në Krishtin, na thërret të jemi bijtë e tij; ai e shikoi Kishën në dritën e Krishtit, dritën e kombeve, si mister bashkimi dhe sakrament uniteti ndërmjet Zotit e popullit të tij; nisi kështu një reformë të madhe liturgjike, duke vënë në qendër të saj misterin e shëlbimit dhe pjesëmarrjen aktive e të vetëdijshme të të gjithë Popullit të Zotit.
Realizimi i reformës kishtare
Përveç ndihmës për hapjen e Kishës ndaj botës, Koncili II i Vatikanit ndërmjet tjerash, ndihmoi edhe, "për të kuptuar ndryshimet dhe sfidat e epokës moderne përmes dialogut dhe bashkëpërgjegjësisë". Papa Leoni XIV nënvizoi se Koncili II i Vatikanit foli "për një Kishë që dëshiron t'ia hapë krahët njerëzimit, t'i bëjë jehonë shpresave dhe anktheve të popujve dhe të bashkëpunojë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore". Pikërisht "falë Koncilit II të Vatikanit, Kisha u bë 'fjalë', 'mesazh', 'bisedë'", shpjegoi Pali VI në letrën enciklike Ecclesiam Suam, "duke u angazhuar për të kërkuar të vërtetën përmes ekumenizmit, dialogut ndërfetar" dhe dialogut "me njerëz vullnetmirë". E kjo duhet ta dallojë "jetën shpirtërore të të krishterëve" si dhe "veprimin baritor".
Ne duhet ta zbatojmë më plotësisht reformën kishtare në një mënyrë ministrore e, përballë sfidave të sotme, jemi të thirrur të mbetemi interpretues të vëmendshëm të shenjave të kohërave, lajmëtarë të gëzuar të Ungjillit, dëshmitarë të guximshëm të drejtësisë e të paqes.
Të shkojmë për të takuar njerëzimin
Ndoshta do të duhet ende kohë që të dalin në pah frytet e Koncilit II të Vatikanit, e për këtë nuk do të ketë më shumë nevojë për "organizata, metoda ose struktura, sesa për shenjtëri më të thellë dhe më të përhapur", tha Papa Leoni XIV gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, duke e bërë të tijin një reflektim nga Papa Albino Luciani, në kohën kur ishte Ipeshkv i Vittorio Veneto, por duke i nxitur më pas të vepronin.
Çka Shën Pali VI u pati thënë Etërve konciliarë në përfundim të punimeve mbetet edhe për ne sot parim udhërrëfyes; ai pohoi se kishte ardhur koha për t'u nisur, për ta lënë asamblenë e konciliare, për të dalë e për ta takuar njerëzimin e për t'i kumtuar lajmin e mirë të Ungjillit, me vetëdijen se kishte jetuar një kohë hiri të Zotit në të cilën përmblidhej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja.
Të sjellim Mbretërinë e Zotit, të dashurisë, drejtësisë e paqes
Papa Montini, në Mesazhin e 8 dhjetorit 1965 drejtuar Etërve të Koncilit, e konsideronte Kishën "me traditën e saj, historinë e saj, Koncilet e saj, Dijetarët e saj, Shenjtorët e saj", e shikonte botën "me mjerimet e saj, me dhimbjet e saj, mëkatet e saj, por edhe me arritjet e saj të jashtëzakonshme, vlerat e saj, virtytet e saj", e konsideronte "thirrjen e domosdoshme të popujve për drejtësi më të madhe, në dëshirën e tyre për paqe", kujtoi në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme Leoni XIV i cili, me të njëjtat premisa, na fton t'i afrohemi Dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit. Për të rizbuluar "profecinë dhe aktualitetin e tyre", për të vënë në pikëpyetje të tashmen, për të "vrapuar drejt" njerëzimit dhe "për të sjellë Ungjillin e Mbretërisë së Zotit, mbretëri dashurie, drejtësie e paqeje".
