Kërko

Papa Leoni XIV gjatë audiencës jubilare, 06 dhjetor 2025 Papa Leoni XIV gjatë audiencës jubilare, 06 dhjetor 2025

Papa: "Shtegtarë të shpresës", program jete, të shpresosh do të thotë të marrësh pjesë së bashku

Në Audiencën Jubilare të përgjithshme mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa kujtoi se "në problemet dhe bukuritë e botës, Jezusi na pret e na përfshin, duke na kërkuar të punojmë me Të". Më pas Ati i Shenjtë kujtoi shembullin e Alberto Marvellit, një anëtar i ri i Veprimit Katolik, i cili u shpall i Lum nga Gjon Pali II në vitin 2004.

R.SH. / Vatikan

Koha e Ardhjes të mëson pritjen, e cila "nuk është pasive". Të ndihmon për të nxitur shpresën, të përgatit të jesh me Jezusin dhe të mëson të dallosh shenjat e kohërave. Është kohë e frytshme që çon në Krishtlindje, në të cilën Zoti përfshin secilin prej nesh në historinë e Tij. Papa Leoni e shpjegoi këtë gjatë katekizmit, në Audiencën e sotme Jubilare, 6 dhjetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, paraprirë nga një shëtitje në Papamobil ndërmjet tridhjetë mijë shtegtarëve të pranishëm, duke u ndaluar disa minuta për të përshëndetur e për të bekuar shumë fëmijë.

Duke kujtuar Marinë, Jozefin, barinjtë, Simonin, Anën dhe shumë të tjerë, Papa theksoi se të gjithë janë të thirrur të marrin pjesë.

Është nder i madh, dhe sa marramendës kur mendojmë se Zoti na përfshin në historinë e tij, në ëndrrat e tij. Të shpresosh, pra, do të thotë të marrësh pjesë. Motoja e Jubileut, "Shtegtarët e Shpresës", nuk është parrullë që do të dalë jashtë përdorimi brenda një muaji! Është program jete: ‘Shtegtarë të Shpresës’ do të thotë njerëz që ecin e presin, jo si përtacë, por duke marrë pjesë.

Inteligjencë, zemër dhe mëngë të shpërvjelura

Merrni pjesë duke shpresuar dhe duke lexuar shenjat e kohërave, të cilat Koncili II i Vatikanit na mësoi t'i interpretojmë së bashku, kurrë vetëm. "Janë shenja të Zotit", pohoi Papa, "të Zotit që vjen me Mbretërinë e tij, përmes rrethanave historike. Zoti nuk është jashtë kësaj bote, jashtë kësaj jete". Ai është Zoti-me-ne  ndërmjet realiteteve më të larmishme në të cilat njerëzimi është i thirrur ta kërkojë atë, shpjegoi Papa, "me inteligjencë, me zemër dhe mëngë të përveshura!". Një mision që Koncili ua besoi kryesisht laikëve.

Në problemet dhe bukuritë e botës, Jezusi na pret dhe na fton, duke na kërkuar të punojmë me Të. Kjo, arsyeja pse shpresa është pjesëmarrje!

Marvelli: një botë më e mirë, nëse zgjedhim të mirën

Shpresa si pjesëmarrje, e ka një fytyrë për Papën Leoni: është ajo e të Lumit Alberto Marvelli, një i ri nga Veprimi Katolik që jetoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, modeli i të cilit ishte Pier Giorgio Frassati. I edukuar në familje, në shkollën e Ungjillit, nuk ngurroi ta dënonte Luftën II Botërore në disa raste; ishte një i ri altruist.

“Në Rimini dhe zonën përreth”  - tregoi Papa - u përpoq me të gjitha forcat   për t’i ndihmuar të plagosurit, të sëmurët dhe të zhvendosurit. Shumë e admiruan për punën e tij vetëmohuese. Ndaj, pas luftës, u zgjodh këshilltar dhe u caktua në krye të komisionit për strehimin dhe rindërtimin. Kështu  hyri në jetën aktive politike”. Pikërisht teksa po shkonte me biçikletë në një tubim gjatë mbrëmjes së 5 tetorit 1946, një kamion ushtarak kaloi mbi trupin e tij. Ishte vetëm 28 vjeç.

Alberto na tregon se shpresa është pjesëmarrje, se shërbimi ndaj Mbretërisë së Zotit sjell gëzim edhe në mes të rreziqeve të mëdha. Bota bëhet më e mirë, nëse humbasim pak siguri dhe qetësi për të zgjedhur të mirën. Kësaj i thonë pjesëmarrje.

Buzëqeshja, në buzët e tij

Nga shembulli i Albertos dalin disa pyetje. "Ta pyesim veten - tha Papa Leoni XIV - a po marr pjesë në ndonjë nismë të mirë që angazhon talentet e mia? A e kam horizontin dhe frymën e Mbretërisë së Zotit kur kryej ndonjë shërbim? Apo e bëj duke u ankuar se gjithçka po shkon keq?". Përgjigja është gjithashtu edhe në fytyrën tënde.

Gazi në buzë është shenja e hirit brenda nesh. Shpresa është pjesëmarrje:  është dhuratë që na e jep Zoti. Askush nuk e shpëton botën vetëm. As Zoti nuk dëshiron ta shpëtojë atë vetëm: Ai do të mundte, por nuk dëshiron, sepse së bashku është më mirë. Pjesëmarrja na lejon të shprehim dhe e bën më tonën atë që, më në fund, do ta sodisim përgjithmonë, kur Jezusi të kthehet më në fund.

Dhurimi na bën më të lum

Në përshëndetjet drejtuar polakëve, Papa kujtoi Shën Nikollën, "ipeshkëv i njohur për ndjeshmërinë e tij ndaj nevojtarëve". "Le të mësojmë - pohoi Ati i Shenjtë - se dhënia na bën më të lum sesa marrja". Pastaj shprehu besimin se pjesëmarrja e fëmijëve dhe e të rinjve në Meshët e kremtuara gjatë Kohës së Ardhjes, do të ndihmojë "në zhvillimin e virtytit të shpresës, në pritje të Krishtlindjes Shenjte".

06 dhjetor 2025, 12:14

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >