Kërko

Në foto: Universiteti Papnor Gregorian, Romë. Në foto: Universiteti Papnor Gregorian, Romë.

Roli i Inteligjencës Artificiale në botën e ungjillëzimit, një konferencë në Universitetin Papnor Gregorian

Më 13 qershor, në Aula Magna të këtij Universiteti, do të mbahet një ditë studimi me të ftuar dhe ekspertë të ndryshëm për të reflektuar rreth "një sfide antropologjike, shpirtërore dhe teknologjike", duke filluar me enciklikën «Magnifica Humanitas» të Leonit XIV.

R.SH. / Vatikan

«Roli i Inteligjencës Artificiale në botën e ungjillëzimit, një sfidë antropologjike, shpirtërore dhe teknologjike.» Ky është titulli i konferencës që do të mbahet më 13 qershor, duke filluar nga ora 10:30 e mëngjesit në Aula Magna të Universitetit Papnor Gregorian, në Romë. Në këtë ngjarje, organizuar nga Universiteti në bashkëpunim me Lëvizjen e Trinisë së Lavdishme dhe Institutin e Trinisë së Shenjtë, dhe nën patronazhin e Dikasterit për Komunikim, do të mblidhen disa studiues, ekspertë dhe gazetarë për të reflektuar mbi temën e IA-së, parë edhe në dritën e enciklikës «Magnifica Humanitas» të Papa Leonit XIV, të botuar më 25 maj.

Punimet

Dita do të hapet me një fjalim përshëndetës nga Atë Amaury Begasse de Dhaem SJ, dekan i Fakultetit të Teologjisë në Universitetin Papnor Gregorian. Folësi i parë i mëngjesit do të jetë Andrea Tornielli, drejtor editorial i Dikasterit për Komunikim, i cili do të përqendrohet në manipulimin e opinionit publik, në vazhdën e mendimit të Leonit XIV mbi IA-në. Pas kësaj do të vijë Atë Andrew Liaugminas, zyrtar i Dikasterit për Doktrinën e Besimit dhe profesor në Universitetin Gregorian, i cili do të paraqesë një perspektivë teologjike, morale dhe shpirtërore mbi problemin dhe sfidat që sjell me vete IA, duke u mbështetur gjithashtu në dokumentin «Antiqua et Nova». Në fund, Atë Paolo Benanti, profesor i etikës, bioetikës dhe etikës së teknologjisë në Universitetin Gregorian, do të shqyrtojë perspektivën e zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke marrë në shqyrtim ndikimin e saj në rritje në jetën e përditshme.

Diskutimet në panel

Pasdite do të zhvillohet një diskutim mbi temën e këtij takimi. Në panelin e diskutimeve do të marrin pjesë: Atë Dariusz Kowalczyk, profesor i Teologjisë Dogmatike në Universitetin Gregorian; Atë Andrea Święciński, themelues i Lëvizjes së Trinisë së Lavdishme dhe drejtor i Institutit të Trinisë së Shenjtë; Atë Laurent Touze, profesor i Teologjisë Shpirtërore në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë dhe Mira Jankowska, gazetare, themeluese dhe drejtoreshë e Akademisë Master të Dashurisë. Moderatori do të jetë Atë Andrzej Choromanski, zyrtar i Dikasterit për Promovimin e Unitetit të Krishterë. Takimi do të përfundojë në orën 16:30 me kremtimin e Meshës në kishën e Dymbëdhjetë Apostujve.

03 qershor 2026, 12:42