Roli i Inteligjencës Artificiale në botën e ungjillëzimit, një konferencë në Universitetin Papnor Gregorian
R.SH. / Vatikan
«Roli i Inteligjencës Artificiale në botën e ungjillëzimit, një sfidë antropologjike, shpirtërore dhe teknologjike.» Ky është titulli i konferencës që do të mbahet më 13 qershor, duke filluar nga ora 10:30 e mëngjesit në Aula Magna të Universitetit Papnor Gregorian, në Romë. Në këtë ngjarje, organizuar nga Universiteti në bashkëpunim me Lëvizjen e Trinisë së Lavdishme dhe Institutin e Trinisë së Shenjtë, dhe nën patronazhin e Dikasterit për Komunikim, do të mblidhen disa studiues, ekspertë dhe gazetarë për të reflektuar mbi temën e IA-së, parë edhe në dritën e enciklikës «Magnifica Humanitas» të Papa Leonit XIV, të botuar më 25 maj.
Punimet
Dita do të hapet me një fjalim përshëndetës nga Atë Amaury Begasse de Dhaem SJ, dekan i Fakultetit të Teologjisë në Universitetin Papnor Gregorian. Folësi i parë i mëngjesit do të jetë Andrea Tornielli, drejtor editorial i Dikasterit për Komunikim, i cili do të përqendrohet në manipulimin e opinionit publik, në vazhdën e mendimit të Leonit XIV mbi IA-në. Pas kësaj do të vijë Atë Andrew Liaugminas, zyrtar i Dikasterit për Doktrinën e Besimit dhe profesor në Universitetin Gregorian, i cili do të paraqesë një perspektivë teologjike, morale dhe shpirtërore mbi problemin dhe sfidat që sjell me vete IA, duke u mbështetur gjithashtu në dokumentin «Antiqua et Nova». Në fund, Atë Paolo Benanti, profesor i etikës, bioetikës dhe etikës së teknologjisë në Universitetin Gregorian, do të shqyrtojë perspektivën e zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke marrë në shqyrtim ndikimin e saj në rritje në jetën e përditshme.
Diskutimet në panel
Pasdite do të zhvillohet një diskutim mbi temën e këtij takimi. Në panelin e diskutimeve do të marrin pjesë: Atë Dariusz Kowalczyk, profesor i Teologjisë Dogmatike në Universitetin Gregorian; Atë Andrea Święciński, themelues i Lëvizjes së Trinisë së Lavdishme dhe drejtor i Institutit të Trinisë së Shenjtë; Atë Laurent Touze, profesor i Teologjisë Shpirtërore në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë dhe Mira Jankowska, gazetare, themeluese dhe drejtoreshë e Akademisë Master të Dashurisë. Moderatori do të jetë Atë Andrzej Choromanski, zyrtar i Dikasterit për Promovimin e Unitetit të Krishterë. Takimi do të përfundojë në orën 16:30 me kremtimin e Meshës në kishën e Dymbëdhjetë Apostujve.