Kërko

Sinodi i Ipeshkvijve - Rrethet e Vogla, foto arkivi 2024 Sinodi i Ipeshkvijve - Rrethet e Vogla, foto arkivi 2024

Shpallen etapat e ardhshme të rrugëtimit sinodal

Më 17 prill, përmes një takimi online, Këshilli i Jashtëzakonshëm i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit diskutoi mbi rrugën që duhet ndjekur në pragun e Asambleve të vlerësimit kontinental në qershor, në një sesion të të cilave do të marrë pjesë edhe Papa. Në tryezë ishte edhe mbështetja organizative dhe metodologjike për takimin mbi Amoris laetitia, të thirrur nga vetë Papa për në tetor.

R.SH. / Vatikan

Planifikimi i takimeve të shumta në të cilat do të jetë e angazhuar Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit ishte në qendër të një takimi të Këshillit të XVI-të të Rregullt që u mbajt pasditen e së premtes, 17 prill, në modalitetin online. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate ku lexohet se, pas një momenti lutjeje të udhëhequr nga motër Nathalie Becquart, nënsekretare e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, kardinali sekretar i përgjithshëm Mario Grech hapi punimet me disa njoftime lidhur me rrugëtimin aktual të zbatimit të Dokumentit Përfundimtar të Asamblesë së XVI-të të Sinodit të Ipeshkvijve, punën e Grupeve të Studimit, raportet përfundimtare të të cilëve janë në proces publikimi, dhe realizimin së shpejti të dy takimeve.

Kontributi i Papës

I pari takim do të mbahet nga 23-25 qershor 2026 për të përgatitur Asambletë e vlerësimit kontinental të parashikuara për katërmujorin e parë të vitit 2028. Në një sesion specifik pune do të marrë pjesë edhe Papa Leoni. Në këtë takim – lexohet në komunikatë – janë ftuar: një përfaqësues i Patriarkëve të Këshillit të Patriarkëve të Kishave të Lindjes, Presidentët e Mbledhjeve Ndërkombëtare të Konferencave Episkopale, si dhe Presidentët e Konferencave Episkopale të SHBA-së dhe Kanadasë, secili i shoqëruar nga Koordinatori i Ekipit sinodal të organizmit përkatës dhe, nëse është e mundur, nga Sekretari i Përgjithshëm.

Takimi mbi Amoris laetitia

Me rastin e takimit në Vatikan të thirrur nga Papa, nga 7 deri më 14 tetor 2026, për dhjetëvjetorin e publikimit të Nxitjes apostolike post-sinodale Amoris laetitia, do të mblidhen presidentët e Konferencave Episkopale nga e gjithë bota dhe të Sinodeve të Kishave Lindore Katolike sui iuris mbi temën e familjes. Me këtë takim, Papa Leoni XIV synon të «procedojë, përmes dëgjimit të ndërsjellë, në një shoshitje sinodale mbi hapat që duhen ndërmarrë për t'u shpallur Ungjillin familjeve sot [...] dhe duke pasur parasysh atë që po realizohet në Kishat lokale». Do të jetë Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën që do të përgatisë mbledhjen, e cila ka vlerë këshillimore.

Një dokument për të treguar rrugën

Gjatë mbledhjes, atë Giacomo Costa, konsulent i Sekretarisë së Përgjithshme dhe Sekretar Special i Asamblesë së XVI-të të Sinodit, propozoi një dokument për rrugëtimin e zbatimit të Sinodit dhe veçanërisht për realizimin e asambleve të vlerësimit. Pas diskutimit të tekstit, dokumenti u miratua në strukturën e tij të përgjithshme; versioni përfundimtar, i cili do të shërbejë si integrim i "Gjurmëve për fazën e zbatimit" të publikuara në qershor 2025, do të rishikohet nga Këshilli i Rregullt dhe do të publikohet brenda fillimit të verës.

Së fundi, anëtarët e Këshillit të Rregullt i kërkuan Kardinalit Mario Grech t'i shprehë imzot Luis Marín De San Martín mirënjohjen e tyre për angazhimin e këtyre viteve pranë Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, duke i siguruar lutjet e tyre për shërbimin e ri si Lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij dhe Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Bamirësinë.

21 prill 2026, 09:53