Shpallen etapat e ardhshme të rrugëtimit sinodal
R.SH. / Vatikan
Planifikimi i takimeve të shumta në të cilat do të jetë e angazhuar Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit ishte në qendër të një takimi të Këshillit të XVI-të të Rregullt që u mbajt pasditen e së premtes, 17 prill, në modalitetin online. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate ku lexohet se, pas një momenti lutjeje të udhëhequr nga motër Nathalie Becquart, nënsekretare e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, kardinali sekretar i përgjithshëm Mario Grech hapi punimet me disa njoftime lidhur me rrugëtimin aktual të zbatimit të Dokumentit Përfundimtar të Asamblesë së XVI-të të Sinodit të Ipeshkvijve, punën e Grupeve të Studimit, raportet përfundimtare të të cilëve janë në proces publikimi, dhe realizimin së shpejti të dy takimeve.
Kontributi i Papës
I pari takim do të mbahet nga 23-25 qershor 2026 për të përgatitur Asambletë e vlerësimit kontinental të parashikuara për katërmujorin e parë të vitit 2028. Në një sesion specifik pune do të marrë pjesë edhe Papa Leoni. Në këtë takim – lexohet në komunikatë – janë ftuar: një përfaqësues i Patriarkëve të Këshillit të Patriarkëve të Kishave të Lindjes, Presidentët e Mbledhjeve Ndërkombëtare të Konferencave Episkopale, si dhe Presidentët e Konferencave Episkopale të SHBA-së dhe Kanadasë, secili i shoqëruar nga Koordinatori i Ekipit sinodal të organizmit përkatës dhe, nëse është e mundur, nga Sekretari i Përgjithshëm.
Takimi mbi Amoris laetitia
Me rastin e takimit në Vatikan të thirrur nga Papa, nga 7 deri më 14 tetor 2026, për dhjetëvjetorin e publikimit të Nxitjes apostolike post-sinodale Amoris laetitia, do të mblidhen presidentët e Konferencave Episkopale nga e gjithë bota dhe të Sinodeve të Kishave Lindore Katolike sui iuris mbi temën e familjes. Me këtë takim, Papa Leoni XIV synon të «procedojë, përmes dëgjimit të ndërsjellë, në një shoshitje sinodale mbi hapat që duhen ndërmarrë për t'u shpallur Ungjillin familjeve sot [...] dhe duke pasur parasysh atë që po realizohet në Kishat lokale». Do të jetë Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën që do të përgatisë mbledhjen, e cila ka vlerë këshillimore.
Një dokument për të treguar rrugën
Gjatë mbledhjes, atë Giacomo Costa, konsulent i Sekretarisë së Përgjithshme dhe Sekretar Special i Asamblesë së XVI-të të Sinodit, propozoi një dokument për rrugëtimin e zbatimit të Sinodit dhe veçanërisht për realizimin e asambleve të vlerësimit. Pas diskutimit të tekstit, dokumenti u miratua në strukturën e tij të përgjithshme; versioni përfundimtar, i cili do të shërbejë si integrim i "Gjurmëve për fazën e zbatimit" të publikuara në qershor 2025, do të rishikohet nga Këshilli i Rregullt dhe do të publikohet brenda fillimit të verës.
Së fundi, anëtarët e Këshillit të Rregullt i kërkuan Kardinalit Mario Grech t'i shprehë imzot Luis Marín De San Martín mirënjohjen e tyre për angazhimin e këtyre viteve pranë Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, duke i siguruar lutjet e tyre për shërbimin e ri si Lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij dhe Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Bamirësinë.