Më 6 maj, betimi i 28 rojeve zvicerane papnore
R.SH. / Vatikan
Më 6 majin e ardhshëm do të betohen "për t'i shërbyer besnikërisht, sinqerisht dhe ndershmërisht" Papës, alabardierët e rinj të Gardës Papnore Zvicerane. Ndërsa ditën kur kujtohet plaçkitja e Romës, në vitin 1527, gjatë së cilës 189 Roje zvicerane mbrojtën Papën Klementi VII nga ushtria e Karlit V, 28 roje të reja do të bëjnë betimin solemn. Ceremonia do të zhvillohet në orën 17:00 në Oborrin e Shën Damazit të Pallatit Apostolik në Vatikan. Ndërsa në rast moti të keq, do të mbahet në Sallën Pali VI. Çdo roje betohet, mbi flamurin e Korpusit Papnor të Gardës Zvicerane dhe në prani të Papës Leoni XIV, për ta ruajtur e për ta mbrojtur Papën në detyrë dhe të gjithë pasardhësit e tij legjitimë, edhe me rrezikun e jetës së tyre, siç bënë shumë roje të tjera në të kaluarën. Ngjarja karakterizohet nga një atmosferë festive. Rojet veshin uniformën e “Bekimit Papnor”, duke përfshirë edhe armaturën, që përdoret gjatë "Urbi et Orbi" në Krishtlindje e në Pashkë.
Programi
Ceremonia solemne e betimit do të paraprihet më 5 maj nga kremtimi i Mbrëmjes, në orën 17:00, në Kishën e Santa Maria della Pietà në Campo Santo Teutonico, në Vatikan. Do të pasohet nga vendosja e një kurore në nder të atyre që ranë më 6 maj 1527 dhe nga shpërndarja e dekoratave. Për më tepër, në ditën e betimit, më 6 maj, në orën 7:30 të mëngjesit, Sekretari i Shtetit, Kardinal Pietro Parolin, do të kremtojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ceremonia e betimit mund të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të internetit të Gardës Papnore Zvicerane: www.guardiasvizzera.ch.
Delegacione nga Zvicra
Do të jetë i pranishëm një delegacion nga Konfederata Zvicerane, i udhëhequr nga Presidenti Guy Parmelin, Presidenti i Këshillit Kombëtar Pierre-André Page dhe Presidenti i Këshillit të Shteteve Stefan Engler. Ushtria Zvicerane do të përfaqësohet nga Shefi i Ushtrisë, Komandanti Lejtnant Benedikt Roos, ndërsa Konferenca Episkopale Zvicerane do të përfaqësohet nga Presidenti i saj, Ipeshkvi Charles Morerod, ipeshkvi i Lozanës, Gjenevës dhe Friburgut. Delegacioni i Kantonit Thurgau, mysafir i këtij viti, do të drejtohet nga Këshilli i Shtetit dhe do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Dominik Diezi.
Ushtria më e vjetër e botës
Garda Zvicerane Papnore është ushtria më e vjetër në botë. E themeluar më 22 janar 1506 nga Papa Juli II, është përgjegjëse për mbrojtjen e Papës dhe të rezidencës së tij. E udhëhequr nga Koloneli Christoph Graf, është përgjegjëse për kontrollin e hyrjes në Vatikan dhe në Pallatin Apostolik, sigurimin e rendit dhe kryerjen e funksioneve përfaqësuese gjatë ceremonive papnore dhe pritjeve shtetërore, si dhe mbrojtjen e Kolegjit të Kardinalëve gjatë kohës së vendit të lirë. Korpusi përfshin roje nga të gjitha rajonet gjuhësore të Zvicrës. Shumica e anëtarëve të Korpusit vijnë nga Kantoni i Vallese (18), të tjerët janë nga Kantonet e Ticinos (13) e nga Lucerna (11).