Betimi i Gardës Papnore Zvicerane, foto arkivore (Vatican Media) Betimi i Gardës Papnore Zvicerane, foto arkivore (Vatican Media)

Më 6 maj, betimi i 28 rojeve zvicerane papnore

Ceremonia solemne, në ditën që përkujton plaçkitjen e Romës në vitin 1547, gjatë së cilës 147 roje zvicerane humbën jetën duke mbrojtur Papën Klementi VII, ndërsa 42 arritën ta shpëtonin atë në Castel Sant'Angelo, do të zhvillohet në prani të Leonit XIV në orën 17:00, në Oborrin e Shën Damazit, të Pallatit Apostolik në Vatikan.

R.SH. / Vatikan

Më 6 majin e ardhshëm do të betohen "për t'i shërbyer besnikërisht, sinqerisht dhe ndershmërisht" Papës, alabardierët e rinj të Gardës Papnore Zvicerane. Ndërsa ditën kur kujtohet plaçkitja e Romës, në vitin 1527, gjatë së cilës 189 Roje zvicerane mbrojtën Papën Klementi VII nga ushtria e Karlit V, 28 roje të reja do të bëjnë betimin solemn. Ceremonia do të zhvillohet në orën 17:00 në Oborrin e Shën Damazit të Pallatit Apostolik në Vatikan. Ndërsa në rast moti të keq, do të mbahet në Sallën Pali VI. Çdo roje betohet, mbi flamurin e Korpusit Papnor të Gardës Zvicerane dhe në prani të Papës Leoni XIV, për ta ruajtur e për ta mbrojtur Papën në detyrë dhe të gjithë pasardhësit e tij legjitimë, edhe me rrezikun e jetës së tyre, siç bënë shumë roje të tjera në të kaluarën. Ngjarja karakterizohet nga një atmosferë festive. Rojet veshin uniformën e “Bekimit Papnor”, duke përfshirë edhe armaturën, që përdoret gjatë "Urbi et Orbi" në Krishtlindje e në Pashkë.

Programi

Ceremonia solemne e betimit do të paraprihet më 5 maj nga kremtimi i Mbrëmjes, në orën 17:00, në Kishën e Santa Maria della Pietà në Campo Santo Teutonico, në Vatikan. Do të pasohet nga vendosja e një kurore në nder të atyre që ranë më 6 maj 1527 dhe nga shpërndarja e dekoratave. Për më tepër, në ditën e betimit, më 6 maj, në orën 7:30 të mëngjesit, Sekretari i Shtetit, Kardinal Pietro Parolin, do të kremtojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ceremonia e betimit mund të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të internetit të Gardës Papnore Zvicerane: www.guardiasvizzera.ch.

Delegacione nga Zvicra

Do të jetë i pranishëm një delegacion nga Konfederata Zvicerane, i udhëhequr nga Presidenti Guy Parmelin, Presidenti i Këshillit Kombëtar Pierre-André Page dhe Presidenti i Këshillit të Shteteve Stefan Engler. Ushtria Zvicerane do të përfaqësohet nga Shefi i Ushtrisë, Komandanti Lejtnant Benedikt Roos, ndërsa Konferenca Episkopale Zvicerane do të përfaqësohet nga Presidenti i saj, Ipeshkvi Charles Morerod, ipeshkvi i Lozanës, Gjenevës dhe Friburgut. Delegacioni i Kantonit Thurgau, mysafir i këtij viti, do të drejtohet nga Këshilli i Shtetit dhe do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Dominik Diezi.

Ushtria më e vjetër e botës

Garda Zvicerane Papnore është ushtria më e vjetër në botë. E themeluar më 22 janar 1506 nga Papa Juli II,  është përgjegjëse për mbrojtjen e Papës dhe të rezidencës së tij. E udhëhequr nga Koloneli Christoph Graf, është përgjegjëse për kontrollin e hyrjes në Vatikan dhe në Pallatin Apostolik, sigurimin e rendit dhe kryerjen e funksioneve përfaqësuese gjatë ceremonive papnore dhe pritjeve shtetërore, si dhe mbrojtjen e Kolegjit të Kardinalëve gjatë kohës së vendit të lirë. Korpusi përfshin roje nga të gjitha rajonet gjuhësore të Zvicrës. Shumica e anëtarëve të Korpusit vijnë nga Kantoni i Vallese (18), të tjerët janë nga Kantonet e Ticinos (13) e nga Lucerna (11).

29 prill 2026, 14:01