Teleskopi i Vatikanit VATT robotizohet dhe automatizohet
R.SH. – Vatikan
Një hap i rëndësishëm përpara në punën kërkimore-shkencore për Observatorin Astronomik të Vatikanit: Teleskopi i Avancuar i Vatikanit (VATT) i vendosur në malin Graham të Arizonës, në SHBA, i njohur për optikën e tij të shkëlqyer dhe vendndodhjen e privilegjuar, u pajis kohët e fundit me një sistem të avancuar kontrolli të automatizuar, quajtur "Don", për nder të Donald M. Alstadt (1921-2007), ish-president dhe drejtor i përgjithshëm i Lord Corporation.
Sistemi, i zhvilluar nga ProjectSoft HK, një kompani inxhinierike me seli në Republikën Çeke, u instalua më 3 qershor 2024. Më pas, filloi një fazë testimi dhe formimi, që përfshin bashkësinë e Specola Vaticana, siç njihet Observatori i Vatikanit, si edhe personelin e Universitetit të Arizonës.
Risi teknologjike: sistemi "Don"
Sistemi "Don" bazohet në kontrollorë logjikë të programueshëm Beckhoff dhe teknologji të tjera të avancuara si kodifikatorët Renishaw dhe konvertuesit EMLO. Ky automatizim i sofistikuar bën që teleskopi të lëvizë në drejtimin e duhur me saktësi të jashtëzakonshme, deri në 3 sekonda të harkut, pra, aq sa duket përmasa e një zari, vendosur në një stadium të madh sportiv.
Falë sistemit "Don", Teleskopi i Avancuar i Vatikanit (VATT) është në gjendje të ndjekë objektet qiellore për 20 minuta me saktësi të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e njeriut. "Është vërtet emocionuese", pohon Át Paul Gabor, zëvendësdrejtor i Observatorit të Vatikanit në Arizonë.
Drejt robotizimit të plotë
Ky sistem, jo vetëm që lehtëson funksionimin e përditshëm të teleskopit, por hap mundësi të reja për të ardhmen: do të ketë mënyra të ndryshme operative, nga "modaliteti tradicional" për përdorim më të lehtë nga vendi ku ndodhet, tek "modaliteti nga larg", i cili do t'i lejojë astronomët të kontrollojnë VATT në Arizonë nga Observatori i Vatikanit në Castel Gandolfo të Italisë.
Mënyra më e sofistikuar, "modaliteti i planifikuar", parashikon që sistemi "Don" të ekzekutojë sekuenca udhëzimesh, të programuara nga një astronom, pa nevojën e mbikqyrjes së drejtpërdrejtë njerëzore, duke e bërë VATT të funksionojë në autonomi të plotë.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
“Don” u bë i mundur nga donacioni i Fondacionit Bamirës Thomas Lord dhe nga një shumë tjetër dhuruar nga znj. Judith Alstadt, gruaja e Donald M. Alstadt. Është hera e tridhjetë që ProjectSoft HK, në vijën e parë të frontit të automatizimit industrial, instalohet në një teleskop. Edhe instalimi i sistemit në kohë ishte një sfidë, që u fitua në sajë të planifikimit të mirë nga ana e Gary Grey, kreut të strukturës së VATT, i cili i bëri ballë, për shembull, stuhive të papritura të borës në fund të marsit dhe në fillim të prillit.
E ardhme premtuese për vrojtimin astronomik
Tashmë, vijon me ritëm të plotë faza e kolaudimit. E ardhmja e robotizuar e teleskopit VATT, në vitin e 30-të të funksionimit, është premtuese dhe e projekton Observatorin e Vatikanit drejt një pune brilante në kërkimet astronomike.