Teleskopi i Vatikanit VATT robotizohet dhe automatizohet

Përmirësim i rëndësishëm për Teleskopin e Avancuar të Vatikanit (VATT) në Arizonë të SHBA-ve. Përdorimi e një sistemi të ri kontrolli të automatizuar, që quhet "Don", do t’i japë mundësinë Observatorit të Vatikanit të funksionojë me saktësi dhe autonomi të pamendueshme më parë. Realizuar falë një donacioni bujar dhe i përfunduar në kohë, projekti hap mundësi të reja për bashkësinë shkencore globale

R.SH. – Vatikan

Një hap i rëndësishëm përpara në punën kërkimore-shkencore për Observatorin Astronomik të Vatikanit: Teleskopi i Avancuar i Vatikanit (VATT) i vendosur në malin Graham të Arizonës, në SHBA, i njohur për optikën e tij të shkëlqyer dhe vendndodhjen e privilegjuar, u pajis kohët e fundit me një sistem të avancuar kontrolli të automatizuar, quajtur "Don", për nder të Donald M. Alstadt (1921-2007), ish-president dhe drejtor i përgjithshëm i Lord Corporation.

Sistemi, i zhvilluar nga ProjectSoft HK, një kompani inxhinierike me seli në Republikën Çeke, u instalua më 3 qershor 2024. Më pas, filloi një fazë testimi dhe formimi, që përfshin bashkësinë e Specola Vaticana, siç njihet Observatori i Vatikanit, si edhe personelin e Universitetit të Arizonës.

Risi teknologjike: sistemi "Don"

Sistemi "Don" bazohet në kontrollorë logjikë të programueshëm Beckhoff dhe teknologji të tjera të avancuara si kodifikatorët Renishaw dhe konvertuesit EMLO. Ky automatizim i sofistikuar bën që teleskopi të lëvizë në drejtimin e duhur me saktësi të jashtëzakonshme, deri në 3 sekonda të harkut, pra, aq sa duket përmasa e një zari, vendosur në një stadium të madh sportiv.

Falë sistemit "Don", Teleskopi i Avancuar i Vatikanit (VATT) është në gjendje të ndjekë objektet qiellore për 20 minuta me saktësi të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e njeriut. "Është vërtet emocionuese", pohon Át Paul Gabor, zëvendësdrejtor i Observatorit të Vatikanit në Arizonë.

Drejt robotizimit të plotë

Ky sistem, jo vetëm që lehtëson funksionimin e përditshëm të teleskopit, por hap mundësi të reja për të ardhmen: do të ketë mënyra të ndryshme operative, nga "modaliteti tradicional" për përdorim më të lehtë nga vendi ku ndodhet, tek "modaliteti nga larg", i cili do t'i lejojë astronomët të kontrollojnë VATT në Arizonë nga Observatori i Vatikanit në Castel Gandolfo të Italisë.

Mënyra më e sofistikuar, "modaliteti i planifikuar", parashikon që sistemi "Don" të ekzekutojë sekuenca udhëzimesh, të programuara nga një astronom, pa nevojën e mbikqyrjes së drejtpërdrejtë njerëzore, duke e bërë VATT të funksionojë në autonomi të plotë.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

“Don” u bë i mundur nga donacioni i Fondacionit Bamirës Thomas Lord dhe nga një shumë tjetër dhuruar nga znj. Judith Alstadt, gruaja e Donald M. Alstadt. Është hera e tridhjetë që ProjectSoft HK, në vijën e parë të frontit të automatizimit industrial, instalohet në një teleskop. Edhe instalimi i sistemit në kohë ishte një sfidë, që u fitua në sajë të planifikimit të mirë nga ana e Gary Grey, kreut të strukturës së VATT, i cili i bëri ballë, për shembull, stuhive të papritura të borës në fund të marsit dhe në fillim të prillit.

E ardhme premtuese për vrojtimin astronomik

Tashmë, vijon me ritëm të plotë faza e kolaudimit. E ardhmja e robotizuar e teleskopit VATT, në vitin e 30-të të funksionimit, është premtuese dhe e projekton Observatorin e Vatikanit drejt një pune brilante në kërkimet astronomike.

04 korrik 2024, 15:31