Papa: liturgjia kremton unitetin e Kishës, të mos marrim pjesë si të huaj
Vatican News
Një dialog nuk mund të reduktohet në monolog. Në liturgji, pra, "biseda" me Zotin është përvojë, para së cilës besimtarët nuk mund të jenë "spektatorë të heshtur", sepse janë të thirrur të ofrojnë shumë më tepër sesa thjesht prani fizike. Lidhur me këtë, gjatë historisë mijëvjeçare, Kisha i është drejtuar popullit të vet, duke ia përshtatur format e liturgjisë nevojave të epokave. Një përshtatje që lehtëson kuptimin dhe zbatimin, duke pastruar fushën nga keqkuptimet dhe absolutizimet. Papa Leoni XIV ia kushtoi katekizmin e tij të fundit Kushtetutës Sacrosanctum Concilium, mbajtur sot, 26 gusht, në audiencën e përgjithshme në Bazilikën e Shën Pjetrit, vlerës së veprimeve rituale të Kishës.
Shprehja njerëzore dhe hyjnore
Duke kujtuar arsyet pse Etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit nxitën reformën e liturgjisë, Papa Leoni XIV citoi Letrën e tretë nga Koncili, që Kardinali Giovanni Battista Montini, asokohe Kryeipeshkëv i Milanos dhe Papa i ardhshëm Pali VI, ua dërgoi më 28 tetor 1962 besimtarëve të Kishës së tij:
Liturgjia – shkruante - "është shprehje e sinqertë si e hyjnores, ashtu edhe e njerëzores. Është gjuhë. Është mjet i mësimdhënies hyjnore nga njëra anë, e zë dialogu me Zotin. E është e qartë se nuk mund të heqë dorë nga funksioni i saj didaktik dhe nuk mund të mos i ofrojë fesë dhe devotshmërisë mundësinë për t'u shprehur spontanisht kuptueshëm".
Pjesëmarrje e ndërgjegjshme
Pohime që përkojnë me atë që do të përcaktohet në pikën 48 të Kushtetutës së Koncilit II të Vatikanit Sacrosanctum Concilium,
Kisha është thellësisht e shqetësuar që besimtarët të mos marrin pjesë në këtë mister të fesë si të huaj ose si spektatorë të heshtur, por që, duke e kuptuar mirë përmes riteve dhe lutjeve, ata të marrin pjesë në veprimin e shenjtë me vetëdije, me përshpirtëri dhe në mënyrë aktive”.
Duke miratuar përkujtimin e veprës së shëlbimit, shton Leoni XIV, njeriu hyn në marrëdhënie të vërtetë dhe autentike me Zotin, dhe "meqenëse gjestet dhe fjalët e liturgjisë së shenjtë janë vendimtare në realizimin e kësaj përvoje, pjesëmarrja e besimtarëve nuk mund të jetë pasive".
Të përshtatemi ndaj epokave të ndryshme
Gjatë historisë së Kishës, vëmendja e veçantë kushtuar themelit të jetës kishtare solli nevojën që pasuria e teksteve biblike dhe e lutjeve të ishte më e kuptueshme dhe më e qasshme për të gjithë besimtarët, si edhe që renditja e kremtimeve liturgjike të ishte më e thjeshtë, më e qartë dhe më e natyrshme, në përputhje me librat liturgjikë të kohës.
Liturgjia, duke qenë realitet i gjallë, iu nënshtrua gjithnjë zhvillimeve dhe ndryshimeve gjatë shekujve. Magjisteri ia përshtati format e saj nevojave të epokave të ndryshme. Prandaj nuk është për t'u habitur që Koncili II i Vatikanit, me respektin më të madh për trashëgiminë e traditës dhe pikërisht me qëllim që ta bënte atë më të kapshëm, për ta bërë më të qasshëm për besimtarët, e konsideroi të nevojshëm rishikimin e librave liturgjikë.
Pjesë të pandryshueshme dhe të ndjeshme ndaj ndryshimit
Qëllimi i Etërve të Koncilit të Dytë të Vatikanit shprehet qartë në pikën 21 të Sacrosanctum Concilium, ku thuhet se liturgjia “përbëhet nga një pjesë e pandryshueshme, sepse është me themelim hyjnor, dhe nga pjesë që mund të ndryshojnë”. Këto të fundit, me kalimin e kohës, “mund, madje duhet të ndryshojnë, nëse në to janë futur elemente që nuk i përgjigjen më natyrës së brendshme të liturgjisë, ose nëse këto pjesë janë bërë të papërshtatshme”. Një dallim, saktëson Papa, i cili daton që nga enciklika Mediator dei e Papa Piut XII.
Një reformë e dëshiruar në kohë
Një dëshirë e tillë për një "reformë të përgjithshme" nuk lindi papritur, por ishte manifestuar tashmë në ndërhyrjet e Papëve të njëpasnjëshëm, që nga fillimi i shekullit të 20-të. Nevoja që besimtarët të mos marrin pjesë në kremtime "si të huaj ose spektatorë të heshtur" ishte përsëritur tashmë në Kushtetutën apostolike Divini Cultus të Piut XI. Leoni XIV përmend edhe ndërhyrjet e Piut XII në organizimin e riteve të Javës së Madhe të Pashkëve dhe kujton se Papa Shën Gjoni XXIII e pa të nevojshme t’i thjeshtonte rubrikat e Breviarit dhe të Mesharit, duke e miratuar atë me Motu Proprio Rubricarum Instructum.
Në vazhdën e traditës së gjallë
Reforma liturgjike e nxitur nga Koncili II i Vatikanit, pra, ndjek traditën e gjallë të Kishës.
Kuptimi i saktë i kësaj reforme na bën të mundur t'i hidhen poshtë abuzimet që kanë ndodhur në disa fusha të Kishës në periudhën pas Koncilit dhe që, për fat të keq, herë pas here vazhdojnë të ndodhin edhe sot, si pasojë e absolutizimit ose keqkuptimit të disa prej parimeve që qëndronin në themel të vetë reformës.
Në këtë drejtim, Papa Leoni XIV riafirmon se kremtimet e Kishës nuk duhet të kufizohen në "veprime private", por duhet të kremtojnë "sakramentin e unitetit". Prandaj, është përgjegjësi e barinjve, ipeshkvijve dhe çdo meshtari, ta ruajnë dhe ta nxisin një liturgji që, në përkim me normat liturgjike, "shkëlqen me thjeshtësi fisnike", e kështu e manifeston Kishën një, shenjte, katolike dhe apostolike.
Një liturgji e tillë do të jetë gjithashtu edhe një mjet themelor i ungjillëzimit, instrument i hirit përmes të cilit, siç mëson Koncili Dytë i Vatikanit, ne mund të mësojmë ta ofrojmë veten dhe, përmes ndërmjetësimit të Krishtit, të përsosemi në unitet me Zotin.