Leoni XIV "shtegtar" në Amerikën Latine: 6-17 nëntor në Uruguaj, Argjentinë dhe Peru
Vatican News
Ka qenë atje si misionar, si famullitar, si formator, si epror i përgjithshëm dhe si ipeshkëv: Leoni XIV, "el Papa Peruano" siç e quajnë të gjithë në Peru, kthehet si Papë në tokën e Andeve, vendi i viteve të tij misionare. E ky është kulmi i udhëtimit të gjatë apostolik - i gjashti i kësaj papnire - njoftuar sot, më 5 gusht, i cili do ta çojë atë jo vetëm në Peru, por edhe në Uruguaj dhe Argjentinë. Ky shtegtim në Amerikën Latine nga 6 deri më 17 nëntor, me dymbëdhjetë ditët dhe dhjetë qytetet e tij, e tejkalon rekordin e mbajtur më parë nga udhëtimi i prillit në Afrikë.
Njoftimi zyrtar
Për muaj të tërë, media lokale dhe Konferencat Ipeshkvnore të tri vendeve ishin në pritje të një vizite të Papës, ndërsa sot u publikua deklarata zyrtare e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Në tekst shkruhet:
“Duke pranuar ftesën e krerëve të shteteve dhe të autoriteteve kishtare të vendeve përkatëse, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të bëjë një Udhëtim Apostolik në Uruguaj, Argjentinë dhe Peru nga 6 deri më 17 nëntor 2026”.
Etapa në dhjetë qytete
Sipas njoftimit, Papa do të shkojë në Montevideo, Paisandú dhe Florida në Uruguaj nga 6 deri në 8 nëntor; në Buenos Aires, Kordoba dhe Luján nga 8 deri në 11 nëntor, gjatë udhëtimit të tij në Argjentinë; dhe së fundi, në Lima, Chiclayo, Cusco dhe Pucallpa nga 11 deri në 17 nëntor, gjatë etapës së tij në Peru. "Programi i udhëtimit do të shpallet në kohën e duhur", informon Salla e Shtypit.
Shtegtimi në Amerikën Latine do të jetë, siç e thamë, udhëtimi i gjashtë ndërkombëtar i Papës Leoni XIV, pas atyre në Turqi dhe Liban në nëntor 2025; e pas shtegtimeve në Principatën e Monakos, në Afrike e në Spanjë gjatë këtij viti, në të cilin Ati i Shenjtë do të shkojë edhe në Francë, nga 24 deri në 28 shtator.
