2026.03.11 Udienza Generale

Leoni XIV "shtegtar" në Amerikën Latine: 6-17 nëntor në Uruguaj, Argjentinë dhe Peru

U njoftua zyrtarisht sot udhëtimi i gjashtë apostolik, gjatë të cilit Papa do të kthehet në Peru, në vendin e tij të misionit për më se njëzet vjet. Ndër të tjera, ai do të vizitojë Chiclayo-n, ku ka qenë ipeshkëv nga viti 2015 deri në vitin 2023, si edhe Pucallpa-n, në zemër të Amazonës. Më pas, do të shkojë në atdheun e Papës Françesku, në Argjentinë, si edhe në Uruguaj, vizituar për herë të fundit gati dyzet vjet më parë nga Gjon Pali II. Udhëtimi është dymbëdhjetëditor

Vatican News

         Ka qenë atje si misionar, si famullitar, si formator, si epror i përgjithshëm dhe si ipeshkëv: Leoni XIV, "el Papa Peruano" siç e quajnë të gjithë në Peru, kthehet si Papë në tokën e Andeve, vendi i viteve të tij misionare. E ky është kulmi i udhëtimit të gjatë apostolik - i gjashti i kësaj papnire - njoftuar sot, më 5 gusht, i cili do ta çojë atë jo vetëm në Peru, por edhe në Uruguaj dhe Argjentinë. Ky shtegtim në Amerikën Latine nga 6 deri më 17 nëntor, me dymbëdhjetë ditët dhe dhjetë qytetet e tij, e tejkalon rekordin e mbajtur më parë nga udhëtimi i prillit në Afrikë.

Njoftimi zyrtar

Për muaj të tërë, media lokale dhe Konferencat Ipeshkvnore të tri vendeve ishin në pritje të një vizite të Papës, ndërsa sot u publikua deklarata zyrtare e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Në tekst shkruhet:

“Duke pranuar ftesën e krerëve të shteteve dhe të autoriteteve kishtare të vendeve përkatëse, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të bëjë një Udhëtim Apostolik në Uruguaj, Argjentinë dhe Peru nga 6 deri më 17 nëntor 2026”.

Etapa në dhjetë qytete

Sipas njoftimit, Papa do të shkojë në Montevideo, Paisandú dhe Florida në Uruguaj nga 6 deri në 8 nëntor; në Buenos Aires, Kordoba dhe Luján nga 8 deri në 11 nëntor, gjatë udhëtimit të tij në Argjentinë; dhe së fundi, në Lima, Chiclayo, Cusco dhe Pucallpa nga 11 deri në 17 nëntor, gjatë etapës së tij në Peru. "Programi i udhëtimit do të shpallet në kohën e duhur", informon Salla e Shtypit.

Shtegtimi në Amerikën Latine do të jetë, siç e thamë, udhëtimi i gjashtë ndërkombëtar i Papës Leoni XIV, pas atyre në Turqi dhe Liban në nëntor 2025; e pas shtegtimeve në Principatën e Monakos, në Afrike e në Spanjë gjatë këtij viti, në të cilin Ati i Shenjtë do të shkojë edhe në Francë, nga 24 deri në 28 shtator.

05 gusht 2026, 13:03