Kërko

Refugjatët në Sudanin e Jugut (AFP) Refugjatët në Sudanin e Jugut (AFP)

Papa për refugjatët: askush nuk mund të kthejë kokën nga ana tjetër

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa kujtoi Ditën e 75-të Botërore të Refugjatëve, kremtuar dje më 20 qershor, dhe shprehu besimin se ndërgjegjja e udhëheqësve kombëtarë do të ndriçohet nga Konventa mbi Statusin e Refugjatëve. Shprehu edhe ngushëllimet për aksidentin rrugor në Brazil, që u mori jetën shtatë lojtarëve të rinj të basketbollit. Përshëndeti edhe anëtarët e Dialogut Ndërkombëtar Pentekostal Katolik të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar se "Kisha beson, ndërsa lutet".

Vatican News

"Askush nuk mund t'u largohet atyre që kërkojnë mbrojtje dhe siguri".

Kjo është thirrja për mirëseardhje, që sjell paqe, dinjitet dhe besim në të ardhmen e që u lartua sot, 21 qershor, nga Sheshi i ngrohtë i Shën Pjetrit. Ndërkaq Hemicikli i Berninit, në ditën e parë të verës, ndriçohet nga një dritë verbuese, duke i nxitur shumë besimtarë të hapin çadrat, për t'u mbrojtur nga dielli.

Mirëpritja e viktimave të persekutimit

Duke kujtuar Ditën e 75-të Botërore të Refugjatëve, kremtuar dje, më 20 qershor, dhe promovuar nga Kombet e Bashkuara në përvjetorin e Konventës lidhur me Statusin e Refugjatëve, e krijuar për të mbrojtur ata që persekutohen dhe detyrohen të largohen nga atdheu i tyre, Papa Leoni XIV shpreson se fryma që i priu hartimit të saj do të vazhdojë të "ndriçojë ndërgjegjen e udhëheqësve të kombeve".

U bëj thirrje të gjithëve të mirëpresin ata që janë viktima të persekutimit, në mënyrë që të mund të jetojnë në paqe, me dinjitet dhe të shikojnë drejt së ardhmes me shpresë.

Raporti i Trendeve Globale 2025 i UNHCR-së, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, vlerëson se 117.8 milionë njerëz - një në 70 në mbarë botën - janë detyruar të largohen nga konflikti, dhuna dhe persekutimi. Nga këta, fëmijët përfaqësojnë 38 përqind.

Meksika, një udhëkryq i emigrantëve. Misioni JRS për të Mbrojtur të Drejtat dhe Dinjitetin

"Kisha beson, ndërsa lutet"

Ndërmjet shumë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Zotit të së Dielës ishin edhe anëtarë të Dialogut Ndërkombëtar Pentekostal Katolik, themeluar me qëllimin e respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellë në çështjet e praktikës së besimit ndërmjet Kishave Katolike dhe Pentekostale. Duke i përshëndetur në anglisht, Papa kujtoi se "Kisha beson ndërsa lutet" dhe theksoi se reflektimi mbi parimin lex orandi, lex credendi është veçanërisht i rëndësishëm në kohën e sotme.

Lutje për aksidentin në Brazil

Papa kujtoi gjithashtu edhe lutjet e tij për shtatë të rinjtë që humbën jetën në një aksident me makinë të hënën e kaluar, në shtetin brazilian të Cearës. Të rinjtë ishin anëtarë të një ekipi basketbolli dhe po ktheheshin në shtëpi me autobus, pasi fituan një turne në kategorinë e tyre.

21 qershor 2026, 14:23