Papa për refugjatët: askush nuk mund të kthejë kokën nga ana tjetër
Vatican News
"Askush nuk mund t'u largohet atyre që kërkojnë mbrojtje dhe siguri".
Kjo është thirrja për mirëseardhje, që sjell paqe, dinjitet dhe besim në të ardhmen e që u lartua sot, 21 qershor, nga Sheshi i ngrohtë i Shën Pjetrit. Ndërkaq Hemicikli i Berninit, në ditën e parë të verës, ndriçohet nga një dritë verbuese, duke i nxitur shumë besimtarë të hapin çadrat, për t'u mbrojtur nga dielli.
Mirëpritja e viktimave të persekutimit
Duke kujtuar Ditën e 75-të Botërore të Refugjatëve, kremtuar dje, më 20 qershor, dhe promovuar nga Kombet e Bashkuara në përvjetorin e Konventës lidhur me Statusin e Refugjatëve, e krijuar për të mbrojtur ata që persekutohen dhe detyrohen të largohen nga atdheu i tyre, Papa Leoni XIV shpreson se fryma që i priu hartimit të saj do të vazhdojë të "ndriçojë ndërgjegjen e udhëheqësve të kombeve".
U bëj thirrje të gjithëve të mirëpresin ata që janë viktima të persekutimit, në mënyrë që të mund të jetojnë në paqe, me dinjitet dhe të shikojnë drejt së ardhmes me shpresë.
Raporti i Trendeve Globale 2025 i UNHCR-së, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, vlerëson se 117.8 milionë njerëz - një në 70 në mbarë botën - janë detyruar të largohen nga konflikti, dhuna dhe persekutimi. Nga këta, fëmijët përfaqësojnë 38 përqind.
Meksika, një udhëkryq i emigrantëve. Misioni JRS për të Mbrojtur të Drejtat dhe Dinjitetin
"Kisha beson, ndërsa lutet"
Ndërmjet shumë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Zotit të së Dielës ishin edhe anëtarë të Dialogut Ndërkombëtar Pentekostal Katolik, themeluar me qëllimin e respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellë në çështjet e praktikës së besimit ndërmjet Kishave Katolike dhe Pentekostale. Duke i përshëndetur në anglisht, Papa kujtoi se "Kisha beson ndërsa lutet" dhe theksoi se reflektimi mbi parimin lex orandi, lex credendi është veçanërisht i rëndësishëm në kohën e sotme.
Lutje për aksidentin në Brazil
Papa kujtoi gjithashtu edhe lutjet e tij për shtatë të rinjtë që humbën jetën në një aksident me makinë të hënën e kaluar, në shtetin brazilian të Cearës. Të rinjtë ishin anëtarë të një ekipi basketbolli dhe po ktheheshin në shtëpi me autobus, pasi fituan një turne në kategorinë e tyre.
