Papa pret në audiencë kryeministrin e Republikës së Polonisë
R.SH. - Vatikan
Donald Tusk, kryeministri i Republikës së Polonisë, u prit në audiencë sot paradite, 7 maj, nga Papa Leoni XIV në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Pas takimit me Papën, Tusk bisedoi edhe me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, të shoqëruar nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Biseda në Sekretarinë e Shtetit
"Gjatë bisedës së përzemërt në Sekretarinë e Shtetit", thuhet në një deklaratë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, "u shpreh kënaqësi për marrëdhëniet e mira midis Selisë së Shenjtë dhe Polonisë. Diskutimet u përqendruan më pas në situatën shoqërore dhe ekonomike të vendit, si edhe në marrëdhëniet midis Kishës lokale dhe Shtetit, veçanërisht në sferën arsimore dhe për çështjet etike".
"Gjatë bisedës," vazhdon deklarata, "pati një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën aktuale ndërkombëtare, duke iu referuar veçanërisht konfliktit në Ukrainë, si edhe rolit të Polonisë në gjirin e Bashkimit Evropian".
