Leoni XIV: bota vazhdon në të keqen, por Zoti nuk na lë vetëm në provat e jetës

Në katekizmin e Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa reflektoi mbi vlerën e marrëdhënieve autentike: nuk nënkuptojnë "shantazhe" a "pezullime të dyshimta", aq më pak "por" a "ndoshta", ndërsa bëhen gurrë dhuratash të ofruara "pa dashur të zotërojnë" dhe të një jete të dhënë, "pa marrë asgjë në këmbim"

R.SH. - Vatikan

"Nëse më doni, do t'i mbani urdhërimet e mia". Pohimi i Jezusit gjatë Darkës së Mbrame i habit dishepujt, e edhe besimtarët e sotëm, sepse i çliron nga marrëdhënia e dyshimeve dhe e shantazhit. Është e qartë në dhurimin pa rezerva, pa pritur asgjë në këmbim. Është dhuratë dashurie, sepse premton mbështetje në provat e jetës, atë Paraklit që "bota nuk mund ta pranojë", duke këmbëngulur në shtypjen e të varfërve, në përjashtimin e të ligshtëve e vrasjen e të pafajshmëve. Këto janë reflektimet që Papa Leoni XIV u ofroi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit sot, më 10 maj, për kremtimin e Mbretëreshës Qiellore.

Të lirë nga keqkuptimet

Katekizmi i Papës bazohet mbi fragmentin e Ungjillit të Gjonit dhe në fjalët e thëna nga Jezusi, ndërsa "e bën bukën dhe verën shenjë të gjallë të dashurisë së tij". Duke treguar respektimin e urdhërimeve si pasojë të drejtpërdrejtë të kësaj, Zoti "na çliron nga një keqkuptim", vëren Ipeshkvi i Romës:

Nga ideja se jemi të dashur, nëse i zbatojmë urdhërimet: drejtësia jonë do të ishte atëherë kusht për dashurinë e Zotit. Përkundrazi, dashuria e Zotit është kusht për drejtësinë tonë.

Një pamje e Sheshit të Shën Pjetrit (@Vatican Media)
Një pamje e Sheshit të Shën Pjetrit (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Dashuri, nga e cila  buron dashuria

T'i përmbushësh  urdhërimet sipas vullnetit të Zotit, pohon Papa, do të thotë ta njohësh dashurinë e tij për ne, "ashtu si ia zbulon Krishti botës", duke na ftuar në marrëdhënie, jo në "shantazh a në pezullim të dyshimtë".

Ja pra pse Zoti na urdhëron ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na deshi Ai: është dashuria e Jezusit që e bën të lindë në ne dashurinë.

Marrëdhënie pa "por" e pa "ndoshta"

Lidhje që lindin lidhje të tjera dhe që në Krishtin gjejnë shprehjen e tyre më të qartë: një dashuri "besnike përgjithmonë, e pastër dhe e pakushtëzuar", që nuk njeh "por" as "ndoshta", e dhurohet "pa dashur të zotërojë", duke dhënë jetën "pa marrë asgjë në këmbim".

Meqenëse Zoti na do i pari, edhe ne mund të duam; e kur e duam vërtet Zotin, e duam vërtet edhe njëri-tjetrin.

Besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit (@Vatican Media)
Besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Rend jete, që na shëron nga dashuritë e rreme

E gjithë kjo, theksoi Leoni XIV, ka të bëjë konkretisht me vetë jetën: "vetëm ai që e mori, mund ta jetojë, e kështu vetëm kush u desht, mund edhe të dojë".

Urdhërimet e Zotit janë pra urdhër i jetës, që na shëron nga dashuritë e rreme; ato janë stil shpirtëror, rrugë drejt shpëtimit.

Parakliti, shenjë e një marrëdhënieje të palëkundur

Shenjë e dashurisë së Zotit për njeriun, pohoi Papa, është edhe premtimi i Paraklitit, dhuratë që "nuk na lë vetëm në provat e jetës". Është "avokati mbrojtës" dhe "Shpirti i së vërtetës", të cilin, megjithatë, "bota nuk mund ta pranojë" sepse është kokëfortë në të keqen. Të korrespondosh me dashurinë universale të Jezusit, do të thotë të gjesh në Shpirtin Shenjt një aleat të palëkundur.

Gjithmonë dhe kudo, pra, mund ta dëshmojmë Zotin, që është dashuri: kjo fjalë nuk do të thotë ide e mendjes njerëzore, por realitet i jetës hyjnore, me anë të së cilës të gjitha gjërat u krijuan nga asgjëja dhe u shpenguan nga vdekja.

Të bashkuar si popull

Përmes ofertës së dashurisë së vërtetë dhe të amshuar, Jezusi e ndan identitetin e tij si "Bir i Dashur". Pohim që përgënjeshtron "Akuzuesin, domethënë kundërshtarin e Paraklitit, shpirtin që i kundërvihet mbrojtësit tonë".

Ndërsa Shpirti Shenjt është forca e së vërtetës, ky Akuzues është ati i gënjeshtrave, që kërkon ta nxisë njeriun kundër Perëndisë e njerëzit kundër njëri-tjetrit: krejt e kundërta e asaj që bën Jezusi, duke na shpëtuar nga e keqja dhe duke na bashkuar si vëllezër e motra në Kishë.

10 maj 2026, 12:34

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >