Kërko

Papa: Kisha të flasë fjalë të qarta për viktimat e dhunës e të luftave

Gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Leoni XIV vazhdoi serinë e katekizmave mbi Kushtetutën dogmatike të Koncilit II të Vatikanit, Lumen gentium. Shqyrtoi përmasën "eskatologjike" të Kishës, shpesh të bërë në asgjë, duke kujtuar se si jeton ajo ndërmjet "tashmë" fillimit të Mbretërisë së Zotit dhe "ende jo" të përmbushjes së premtuar e të pritur. Asnjë institucion i Popullit të Zotit, pohoi, "nuk mund të absolutizohet": përkundrazi, është i thirrur të jetojë "në histori e në kohë".

R.SH. / Vatikan

E pezulluar ndërmjet "tashmë" të fillimit të Mbretërisë së Zotit në Jezusin, e "jo ende" të përmbushjes së premtuar dhe të pritur, Kisha është e thirrur të mbajë qëndrim vendimtar kundër gjithçkaje që e degradon jetën dhe e pengon zhvillimin e saj, duke u mbështetur në më të ligshtit dhe duke interpretuar dinamikën e historisë në dritën e Ungjillit. Gjithashtu, nxitet të mos absolutizohen institucionet e saj, por të konsiderohen si realitete të gjalla "në histori e në kohë". Kështu e shpjegoi Papa Leoni XIV natyrën e Popullit të Zotit, në dritën e përmasës eskatologjike, në katekizmin e paradites së sotme, 6 maj, në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës.

Përmasë themelore eskatologjike

Reflektimi vazhdon serinë kushtuar dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit e, në veçanti, të Kushtetutës Dogmatike Lumen Gentium, duke analizuar orientimin "drejt qëllimit përfundimtar", atdheut qiellor, i cili duhet ta dallojë gjithmonë Kishën.

Është fjala për një përmasë themelore që, megjithatë, shpesh e anashkalojmë ose e minimizojmë, sepse jemi shumë të përqendruar në dinamikën menjëherë të dukshme dhe më konkrete të jetës së bashkësisë së krishterë.

T'i sjellim sytë drejt horizontit përfundimtar

Populli i Zotit, shpjegoi Papa, ka “Mbretërinë e Zotit si qëllim të gjithë veprimtarisë së tij”, Mbretërinë e dashurisë, të drejtësisë dhe të paqes, shpallur nga Krishti.

Prandaj, jemi të thirrur të shqyrtojmë përmasën komunitare dhe kozmike të shpëtimit në Krishtin dhe ta drejtojmë shikimin tonë drejt këtij horizonti të fundmë, për të matur e për të vlerësuar gjithçka nga kjo perspektivë.

Shërbimi në histori

Shpallja e fjalëve të këtij "premtimi" është shërbimi që Kisha kryen në histori, pohoi Papa, duke marrë një "depozitë" në kremtimin e Sakramenteve, veçanërisht të Eukaristisë, dhe duke zbatuar logjikën e saj në marrëdhënie dashurie dhe shërbimi.

Ajo, për më tepër, e di se është vendi e mjeti ku bashkimi me Krishtin arrihet më ngushtësisht duke pranuar, në të njëjtën kohë, se shpëtimi mund të jepet nga Ζoti në Shpirtin Shenjt, edhe jashtë kufijve të saj të dukshëm.

Kisha, "fara dhe fillimi" i premtimit hyjnor

"Kisha është sakramenti universal i shpëtimit": kështu shkruanin Etërit e Koncilit. Papa Leoni e kujtoi këtë duke identifikuar bashkësinë kishtare si  "shenjë dhe mjet" të plotësisë së jetës e të paqes së premtuar nga Zoti. Ajo, prandaj, nuk është pasqyrim i përsosur, por më tepër "fara dhe fillimi".

Besimtarët në Krishtin, pra, ecin nëpër këtë histori tokësore, shënuar nga pjekuria e së mirës,​​por edhe nga padrejtësia e nga vuajtja, pa u mashtruar ose pa u dëshpëruar; jetojnë të orientuar nga premtimi që morën nga Ai e që i bën të reja të gjitha sendet.

Populli i Zotit nuk e shpall veten

E prirur ndërmjet "tashmë" dhe "jo ende", Kisha është roje e një shprese "që ndriçon rrugën", vazhdoi Papa, por është gjithashtu e angazhuar "me misionin e të folurit të fjalëve të qarta, për ta flakur tutje gjithçka që e poshtëron jetën dhe e pengon zhvillimin e saj". Në këtë mënyrë, ajo bëhet  "shenjë e sakrament" i Mbretërisë, duke interpretuar dinamikën e historisë në dritën e Ungjillit, "duke e denoncuar të keqen në të gjitha format e saj" dhe duke e shpallur shpëtimin "që Krishti dëshiron ta arrijë për të gjithë njerëzimin".

Prandaj Kisha nuk shpall vetveten; përkundrazi, në gjithçka duhet të ritregojë shpëtimin në Krishtin.

Mos i absolutizoni institucionet

Megjithatë kjo perspektivë, paralajmëroi Papa Leoni, nuk duhet ta errësojë "brishtësinë dhe kalbjen e institucioneve kishtare, të cilat, "ndërsa i shërbejnë Mbretërisë së Ζotit, kanë edhe figurën kalimtare të kësaj bote".

Asnjë nga institucionet kishtare nuk mund të absolutizohet; madje, me që ekzistojnë në histori dhe në kohë, janë të thirrur për pendimin e vazhdueshëm, për ripërtëritjen e formave dhe reformimin e strukturave si dhe për rigjenerimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve, në mënyrë që të mund të korrespondojnë vërtet me misionin e tyre.

Shqetësim vëllazëror ndërmjet besimtarëve

Aspekti i fundit mbi të cilin u përqendrua katekizmi, ishte marrëdhënia ndërmjet të krishterëve që e përmbushin misionin e tyre mbi tokë - dhe atyre që tashmë e përfunduan ekzistencën e tyre tokësore.

Lumen Gentium pohon unitetin e Kishës e, në këtë drejtim, duke njohur edhe "një bashkësi e një ndarje të të mirave shpirtërore të bazuara në bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin". Kjo është kërkesë vëllazërore ndërmjet Kishës shtegtare dhe Kishës qiellore, e cila jetohet veçanërisht në liturgji, përmes bashkësisë së shenjtorëve.

Duke u lutur për të ndjerët dhe duke ndjekur gjurmët e atyre që tashmë jetuan si dishepuj të Jezusit, edhe ne mbështetemi në udhëtimin tonë dhe e forcojmë adhurimin tonë ndaj Zotit: të shënuar nga i vetmi Shpirt e të bashkuar në të vetmen liturgji, së bashku me ata që na paraprinë në fe, ne e lavdërojmë dhe i japim lavdi të Shenjtërueshmes Trini!

06 maj 2026, 12:47

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >