Leoni: Papal Foundation, mjete paqeje dhe nismëtarë të zhvillimit të vërtetë
R.SH. / Vatikan
Bujari që bëhet afërsi, ndihmë, mbështetje, por mbi të gjitha, pasqyrim konkret i "mirësisë" dhe "mëshirës së Zotit". Ky, mendimi i Papës Leoni XIV gjatë fjalimit anglisht në audiencën e Vatikanit sot, 2 maj, drejtuar administratorëve, anëtarëve të bordit dhe anëtarëve të Fondacionit Papnor, organizatë bamirëse amerikane, që mbështet iniciativat e Papës në vende të ndryshme të botës.
Papa Leoni XIV shprehu mirënjohjen, pasi e kishte prekur me dorë punën e Fondacionit në Dioqezën e Çiklajos, "ku", pohoi, "pata mundësi ta dëshmoja personalisht ndikimin pozitiv të subvencionin e Fondacionit, pasi si dioqeza, ashtu edhe një bashkësi fetare, u bekuan të merrnin ndihmë në projekte të ndryshme, falë bujarisë suaj".
Inkurajimi i harmonisë
Ky aktivitet, për Papën, është mision ungjillëzues, që "kontribuon në nxitjen e paqes në nivel rajonal dhe lokal".
Shën Pali VI shkroi se zhvillim është emri i ri për paqen. Me këtë, ai nënkuptonte se harmonia e vërtetë nuk është thjesht mungesa e konfliktit, por rrjedh nga nxitja aktive e zhvillimit të mirëfilltë dhe integral njerëzor. Progresi i vërtetë përmes nismave konkrete, si ato që mbështetën nga Fondacioni, është mënyrë e sigurt për të inkurajuar harmoninë ndërmjet komuniteteve dhe individëve.
Edhe në vitin e tij të parë të papnisë, Leoni deklaroi se e jetoi nga afër "angazhimin e vazhdueshëm në ndihmë të Pasardhësit të Pjetrit, në misionin e tij të kujdesjes për nevojat e Kishës universale". Ky angazhim inkurajoi gjithnjë e më shumë anëtarësimin e Fondacionit, duke rritur mbështetjen për nismat e tij të ndryshme.
Mëshira e Zotit
Duke kujtuar se shtegtimi në Romë bie gjatë kohës së Pashkëve, Papa kujtoi veprën e ungjillëzimit, në të cilën është i thirrur çdo njeri i pagëzuar. "Siç i shkroi Shën Jaku bashkësisë së parë të krishterë, "feja pa vepra është e vdekur dhe nuk ka fuqi të shpëtojë, e Ungjijtë na mësojnë se Zoti pret që dishepujt e tij të kujdesen për nevojat e më të varfërve dhe më të ligshtëve". "Duke financuar projekte, ndihmë humanitare dhe bursa për njerëz nga mbarë bota, Papal Foundation - vazhdoi Papa ̵ merr pjesë në misionin ungjillëzues të Kishës".
Bujaria juaj u lejoi njerëzve të panumërt ta provojnë konkretisht mirësinë dhe mëshirën e Zotit në bashkësinë e tyre.
Shumë meshtarë e të shuguruar, qenë në gjendje të marrin arsim të lartë në Universitetet Papnore, në Romë. “Ndoshta nuk do t’i takoni kurrë të gjithë njerëzit që përfituar nga mirësia juaj - thotë Papa - kështu që në emër të tyre shpreh vlerësimin tim të sinqertë”.
“Megjithatë, një nga këta njerëz - theksoi Papa, duke kujtuar sekretarin e tij personal Imzot Edgard Iván Rimaycuna Inga - është ulur pranë meje dhe ka marrë një bursë nga ju, ndaj jam i sigurt se ai do t’juthotë me kënaqësi: ‘Faleminderit'”.
