Leoni: Papal Foundation, mjete paqeje dhe nismëtarë të zhvillimit të vërtetë

Papa Leoni XIV, në audiencën e tij, shprehu mirënjohje të thellë për organizatën e cila, që prej 38 vjetësh, mbështet projekte për të varfrit në pjesë të ndryshme të botës, duke marrë kështu pjesë në "misionin ungjillëzues të Kishës". Angazhim, shpjegon Papa, "që kontribuon në dobi të paqes, në nivel rajonal dhe lokal".

R.SH. / Vatikan

Bujari që bëhet afërsi, ndihmë, mbështetje, por mbi të gjitha,  pasqyrim konkret i "mirësisë" dhe "mëshirës së Zotit". Ky, mendimi i Papës Leoni XIV gjatë fjalimit anglisht në audiencën e Vatikanit sot, 2 maj, drejtuar administratorëve, anëtarëve të bordit dhe anëtarëve të Fondacionit Papnor,  organizatë bamirëse amerikane, që mbështet iniciativat e Papës në vende të ndryshme të botës.

Papa Leoni XIV shprehu mirënjohjen, pasi e kishte prekur me dorë punën e Fondacionit në Dioqezën e Çiklajos, "ku", pohoi, "pata mundësi ta dëshmoja personalisht ndikimin pozitiv të subvencionin e Fondacionit, pasi si dioqeza, ashtu edhe një bashkësi fetare, u bekuan të merrnin ndihmë në projekte të ndryshme, falë bujarisë suaj".

Inkurajimi i harmonisë

Ky aktivitet, për Papën, është mision ungjillëzues, që "kontribuon në nxitjen e paqes në nivel rajonal dhe lokal".

Shën Pali VI shkroi se zhvillim është emri i ri për paqen. Me këtë, ai nënkuptonte se harmonia e vërtetë nuk është thjesht mungesa e konfliktit, por rrjedh nga nxitja aktive e zhvillimit të mirëfilltë dhe integral njerëzor.  Progresi i vërtetë përmes nismave konkrete, si ato që mbështetën nga Fondacioni, është mënyrë e sigurt për të inkurajuar harmoninë ndërmjet komuniteteve dhe individëve.

Edhe në vitin e tij të parë të papnisë, Leoni deklaroi se e jetoi nga afër "angazhimin e vazhdueshëm në ndihmë të Pasardhësit të Pjetrit, në misionin e tij të kujdesjes për nevojat e Kishës universale". Ky angazhim inkurajoi gjithnjë e më shumë anëtarësimin e Fondacionit, duke rritur mbështetjen për nismat e tij të ndryshme.

Mëshira e Zotit

Duke kujtuar se shtegtimi në Romë bie gjatë kohës së Pashkëve, Papa kujtoi veprën e ungjillëzimit, në të cilën është i thirrur çdo njeri i pagëzuar. "Siç i shkroi Shën Jaku bashkësisë së parë të krishterë, "feja pa vepra është e vdekur dhe nuk ka fuqi të shpëtojë, e Ungjijtë na mësojnë se Zoti pret që dishepujt e tij të kujdesen për nevojat e më të varfërve dhe më të ligshtëve". "Duke financuar projekte, ndihmë humanitare dhe bursa për njerëz nga mbarë bota, Papal Foundation - vazhdoi Papa ̵  merr pjesë në misionin ungjillëzues të Kishës".

Bujaria juaj u lejoi njerëzve të panumërt ta provojnë konkretisht mirësinë dhe mëshirën e Zotit në bashkësinë e tyre.

Shumë meshtarë e të shuguruar, qenë në gjendje të marrin arsim të lartë në Universitetet Papnore, në Romë. “Ndoshta nuk do t’i takoni kurrë të gjithë njerëzit që përfituar nga mirësia juaj - thotë Papa - kështu që në emër të tyre shpreh vlerësimin tim të sinqertë”.

“Megjithatë, një nga këta njerëz -  theksoi Papa, duke kujtuar sekretarin e tij personal Imzot Edgard Iván Rimaycuna Inga - është ulur pranë meje dhe ka marrë një bursë nga ju, ndaj jam i sigurt se ai do t’ju​​thotë me kënaqësi: ‘Faleminderit'”.

02 maj 2026, 15:58