Kërko

Fortlumturia e Tij Polis III Nona Fortlumturia e Tij Polis III Nona

Papa i jep Bashkimin Kishtar Patriarkut të Bagdadit të Kaldejve

Pas një kërkese nga Fortlumturia e Tij Polis III Nona, Leoni XIV, me një letër, pranoi t'i jepte Ecclesiastica Communio, "shprehje dhe lidhje e bashkimit të plotë me Selinë Apostolike, në shërbimin e përbashkët të unitetit në Kishë dhe në ndërtimin e Korpit të Krishtit"

R.SH. - Vatikan

"Me zemrën e mbushur plot gëzim ju jap Ecclesiastica Communio": kështu  shkroi Papa në një përgjigje të publikuar dje, më 28 prill, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, drejtuar Patriarkut të Bagdadit të Kaldeasve, Polis III Nona, i zgjedhur kanonikisht më 12 prill 2026, në Romë, nga Sinodi i Ipeshkvijve të Kishës së tij sui iuris.

Fortlumturia e Tij pati shkruar më parë për të kërkuar, në përkim me Kanonin 76 § 2 të Codex Canonum Ecclesiarum Orientalium, dhënien e Bashkimit Kishtar, i cili - shkruan Papa - është "shprehje dhe lidhje e bashkimit të plotë me Selinë Apostolike, në shërbimin e përbashkët të unitetit në Kishë dhe në ndërtimin e Korpit të Krishtit".

"Kam kënaqësinë të naltoj lutje të zjarrta që Fortlumturia Juaj, si Atë dhe Krye i kësaj Kishe të dashur sui iuris ̵  nënvizoi Papa Leoni ̵  të ushtrojë me kujdes baritor shërbesën që ju është besuar, duke i prirë Popullit të Zotit sipas Zemrës së Krishtit dhe duke e përforcuar në fe, shpresë e dashuri".

Papa i lutet Shpirtit Shenjt për ta mbështetur misionin që Patriarku është thirrur ta kryej, "në mënyrë që Kisha Kaldease, e pasur me traditën e saj të lashtë apostolike dhe me dëshminë e ndritshme të martirëve dhe rrëfyesve të shumtë, të vijojë ta bëjë shpalljen e Ungjillit të frytshme", "duke forcuar", shton Papa, "bashkimin kishtar në trojet e veta dhe në ato të diasporës, gjithnjë në rritje". 

Papa Leoni u përcjell, më pas, përshëndetjet e tij Ipeshkvijve anëtarë të Sinodit, klerit, rregulltarëve, burrave dhe grave, seminaristëve, kandidatëve për jetë të kushtuar dhe të gjithë besimtarëve laikë. Kujton edhe se zgjedhja u zhvillua "në ditën kur liturgjia kaldease përkujton takimin e Krishtit të Ngjallur me Shën Tomën, nga i cili buron tradita e gjallë e kësaj Kishe". 

Në plagët e shndritshme të Jezusit, Toma njohu "dukjen e mëshirshme të Zotit", prej këndej, shpresa se Zoti do ta shoqërojë shërbesën e Fortlumturisë së Tij "nën shenjën e besimit, që kërkon shumë guxim dhe këmbëngulje, nga shumë besimtarë të bashkësive kaldease të cilët, si besnikë të vërtetë  krenarë të Kishës, ndeshen, shpesh herë me prova mjaft të vështira".

29 prill 2026, 12:07