Papa i jep Bashkimin Kishtar Patriarkut të Bagdadit të Kaldejve
R.SH. - Vatikan
"Me zemrën e mbushur plot gëzim ju jap Ecclesiastica Communio": kështu shkroi Papa në një përgjigje të publikuar dje, më 28 prill, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, drejtuar Patriarkut të Bagdadit të Kaldeasve, Polis III Nona, i zgjedhur kanonikisht më 12 prill 2026, në Romë, nga Sinodi i Ipeshkvijve të Kishës së tij sui iuris.
Fortlumturia e Tij pati shkruar më parë për të kërkuar, në përkim me Kanonin 76 § 2 të Codex Canonum Ecclesiarum Orientalium, dhënien e Bashkimit Kishtar, i cili - shkruan Papa - është "shprehje dhe lidhje e bashkimit të plotë me Selinë Apostolike, në shërbimin e përbashkët të unitetit në Kishë dhe në ndërtimin e Korpit të Krishtit".
"Kam kënaqësinë të naltoj lutje të zjarrta që Fortlumturia Juaj, si Atë dhe Krye i kësaj Kishe të dashur sui iuris ̵ nënvizoi Papa Leoni ̵ të ushtrojë me kujdes baritor shërbesën që ju është besuar, duke i prirë Popullit të Zotit sipas Zemrës së Krishtit dhe duke e përforcuar në fe, shpresë e dashuri".
Papa i lutet Shpirtit Shenjt për ta mbështetur misionin që Patriarku është thirrur ta kryej, "në mënyrë që Kisha Kaldease, e pasur me traditën e saj të lashtë apostolike dhe me dëshminë e ndritshme të martirëve dhe rrëfyesve të shumtë, të vijojë ta bëjë shpalljen e Ungjillit të frytshme", "duke forcuar", shton Papa, "bashkimin kishtar në trojet e veta dhe në ato të diasporës, gjithnjë në rritje".
Papa Leoni u përcjell, më pas, përshëndetjet e tij Ipeshkvijve anëtarë të Sinodit, klerit, rregulltarëve, burrave dhe grave, seminaristëve, kandidatëve për jetë të kushtuar dhe të gjithë besimtarëve laikë. Kujton edhe se zgjedhja u zhvillua "në ditën kur liturgjia kaldease përkujton takimin e Krishtit të Ngjallur me Shën Tomën, nga i cili buron tradita e gjallë e kësaj Kishe".
Në plagët e shndritshme të Jezusit, Toma njohu "dukjen e mëshirshme të Zotit", prej këndej, shpresa se Zoti do ta shoqërojë shërbesën e Fortlumturisë së Tij "nën shenjën e besimit, që kërkon shumë guxim dhe këmbëngulje, nga shumë besimtarë të bashkësive kaldease të cilët, si besnikë të vërtetë krenarë të Kishës, ndeshen, shpesh herë me prova mjaft të vështira".
