Papa: Krishti i shndërron plagët e historisë dhe ndriçon zemrën e njeriut

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së dytë të Kreshmëve, Papa Leoni XIV reflekton mbi zbulesën e fytyrës së Zotit, përgjigje e dëshpërimit të ateizmit dhe vetmisë së agnosticizmit, e parapërgatitje e dritës së Pashkëve mbi trupat që vuajnë dhunë, dhimbje, mjerim.

R.SH. / Vatikan

Mbi të gjithë trupat "e fshikulluar nga dhuna", "të kryqëzuar nga dhimbja", "të braktisur në mjerim", përmes Shndërrimit Krishti rrezaton parapërgatitjen e dritës së Pashkëve, "ngjarje vdekjeje e ringjalljeje, errësire dhe drite të re". Kështu e komentoi Leoni XIV, para lutjes së Engjëllit të Zot, sot, 1 mars,  Ungjillin e dielës së dytë e Kreshmëve, në të cilin  Mateu ungjilltar (17,1-9) rrëfen episodin e Jezusit që u tregon lavdinë e tij hyjnore në Malin Tabor dishepujve të tij Pjetri, Jakobi dhe Gjoni.

Ndërsa e keqja e redukton mishin tonë në mall shkëmbimi ose në masë anonime, i njëjti mish shkëlqen me lavdinë e Zotit.

Shkëlqimi njerëzor i Zoti

Duke folur nga dritarja e studios së tij të Pallatit Apostolik për besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në një ditë të zymtë dimrore dhe për ata që e ndiqnin përmes medias, Papa vuri në dukje zemrën e historisë së Ungjillit, kur Shpirti Shenjt e mbështjell Jezusin me një "re të ndritshme" - me fytyrë "si dielli" dhe me veshjet  "e bardha si drita" - duke i lejuar dishepujt të admirojnë "shkëlqimin njerëzor" të Jezu Krishtit Zot.

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni sodisin një lavdi të përvuajtur, e cila nuk ndiqet si një shfaqje për turmat, por si një besim solemn.

Kundër dëshpërimit e vetmisë

Duke u nisur nga ky gjest, Jezusi i shndërron "plagët e historisë" dhe "duke ndriçuar mendjet dhe zemrat tona", zbulon me zbulesën e tij "një surprizë shpëtimi".

A mbetemi të magjepsur? A gjen fytyra e vërtetë e Zotit tek ne një shikim mrekullie dhe dashurie?

Këto janë pyetjet e Ipeshkvit të Romës, i cili reflekton mbi mënyrën se si Hyji Atë i përgjigjet "dëshpërimit të ateizmit" me dhuratën e Birit të tij Jezus; si na shpengon Shpirti Shenjt nga "vetmia agnostike" me ofertën e një "bashkimi të përjetshëm" të jetës dhe të hirit; dhe si, përballë "fesë së ligësht" është kumtimi  i ringjalljes së ardhshme.

Kohë heshtjeje dhe kthese

Të gjitha këto, theksoi, Dishepujt i panë në shkëlqimin e Krishtit, por "për ta kuptuar duhet kohë": kohë "heshtjeje",  për ta dëgjuar Fjalën, dhe kohë "kthese" për të shijuar shoqërinë e Zotit.

Ndërsa i përjetojmë të gjitha këto gjatë Kreshmëve, t'i kërkojmë Marisë, Mësueses së lutjes dhe Yllit të mëngjesit, t’i ruajë në fe hapat tonë!

01 mars 2026, 13:46

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >