Papa: Kisha nuk mund të gabojë në fe, duhet të japë dëshmi të vazhdueshme për Krishtin
R.SH. - Vatikan
"Kisha, si bashkësi besimtarësh që padyshim përfshin edhe barinjtë, nuk mund të gabojë në fe”.
Një postulat, një vetëdije për unitetin e qëllimit që lind mirënjohje, por edhe një ndjenjë përgjegjësie: çdo i pagëzuar nuk është zbatues pasiv, por "subjekt aktiv i ungjillëzimit", i thirrur për të dhënë "dëshmi të vazhdueshme për Krishtin" përmes "dhuratës profetike që Zoti e mbjell në mbarë Kishën e tij". Kjo është zemra e katekizmit, mbajtur sot në mëngjes, e mërkurë, 18 mars, nga Papa Leoni XIV, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Reflektimi ndjek dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, veçanërisht Kushtetutën Dogmatike Lumen gentium, dhe zhvillohet rreth konceptit të Kishës si "popull meshtarak e profetik".
Misioni i përbashkët i të shuguruarve dhe laikëve
"Populli mesianik merr nga Krishti pjesëmarrjen në veprën meshtarake, profetike e mbretërore, në të cilën përkryhet misioni i tij shëlbues", pohoi Papa, duke i bërë jehonë mësimeve të Etërve konciliarë, sipas të cilëve Jezusi "themeloi, nëpërmjet besëlidhjes së re e të amshuar, mbretërinë meshtarake, duke i mbledhur dishepujt e tij në një meshtari mbretërore". Emërim i përbashkët, i dhënë nëpërmjet Pagëzimit - "i cili na mundëson të adhurojmë Zotin në shpirt e në të vërtetë dhe të shpallim publikisht fenë që morëm nga Krishti Zot nëpërmjet Kishës" - dhe Krezmimit, nëpërmjet të cilit të pagëzuarit "janë më të përsosur të lidhur me Kishën, pasurohen me një forcë të veçantë nga Shpirti Shenjt e, në këtë mënyrë janë më të detyruar ta përhapin dhe ta mbrojnë fenë me fjalë e me vepra, si dëshmitarë të vërtetë të Krishtit".
Ky shugurim është në rrënjën e misionit të përbashkët, që bashkon ministrat e shuguruar dhe besimtarët laikë.
Pagëzimi, sakrament ku duhet shkuar me krenari
Për ta përcaktuar më mirë këtë aspekt, Leoni XIV rikujton fjalët e Papës Françesku, i cili vërente se, duke e parë popullin e Zotit, është e nevojshme të kujtojmë se çdo person hyn në Kishë si laik. "Sakramenti i parë, ai që vulos përgjithmonë identitetin tonë dhe për të cilin duhet të jemi gjithnjë krenarë, është Pagëzimi", pati shkruar Papa Françesku në një letër drejtuar presidentit të atëhershëm të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, Kardinalit Marc Ouellet. Përmes këtij sakramenti dhe vajosjes së Shpirtit Shenjt, besimtarët "shenjtërohen për të formuar një tempull shpirtëror dhe një meshtari të shenjtë, në mënyrë që të gjithë të formojmë Popullin e shenjtë dhe besnik të Zotit".
Eukaristia, lutja, asketizmi e bamirësia
Ushtrimi i kësaj meshtarie mbretërore, vazhdoi Papa Leoni, realizohet në mënyra të ndryshme, të gjitha të orientuara "drejt shenjtërimit tonë": së pari përmes pjesëmarrjes në Eukaristi, pastaj përmes lutjes, asketizmit e dashurisë vepruese.
"Karakteri i shenjtë dhe struktura organike e bashkësisë meshtarake krijohen nëpërmjet sakramenteve dhe virtyteve".
Ndjenja e fesë
Etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit pohuan edhe pjesëmarrjen e popullit të Zotit në "misionin profetik të Krishtit" nëpërmjet temës së sensus fidei dhe të miratimit të besimtarëve. Kjo është "aftësi e të gjithë Kishës, falë së cilës ajo njeh në besimin e saj zbulesën e transmetuar, duke dalluar ndërmjet të vërtetës dhe të rremes në çështjet e fesë, e në të njëjtën kohë depërton në të më thellë dhe e zbaton më plotësisht në jetë".
Ndjesia e fesë, pra, u përket besimtarëvetë veçantë, jo në të drejtën e tyre, por si anëtarë të popullit të Zotit në tërësinë e tij.
Manifestimi i pëlqimit të besimtarëve
Kushtetuta e Koncilit të Dytë të Vatikanit Lumen Gentium e thellon më tej këtë aspekt, duke e lidhur me pagabueshmërinë e Kishës e duke deklaruar se "tërësia e besimtarëve, që morën vajimin nga Shenjti, nuk mund të gabojë në fe. Kjo veti e veçantë manifestohet përmes ndjenjës së mbinatyrshme të fesë së mbarë popullit, kur, nga ipeshkvijtë e deri te i fundmi i besimtarëve laikë, shprehin pëlqimin e tyre universal në çështjet e fesë e të moralit".
Prandaj Kisha, si bashkësi besimtarësh që padyshim përfshin edhe barinjtë, nuk mund të gabojë në fe: organi i kësaj prone të saj, themeluar mbi vajimin e Shpirtit Shenjt, është ndjenja mbinatyrore e fesë të të gjithë popullit të Zotit, që manifestohet në pëlqimin e besimtarëve.
Hiret e veçanta i dhurohen çdo besimtari
Nga kjo bashkësi rrjedh pjesëmarrja aktive në veprën e ungjillëzimit të çdo personi të pagëzuar, të thirrur për të dëshmuar Krishtin në përputhje me dhuratën profetike të dhënë nga Zoti në Kishë.
Shpirti Shenjt, që na vjen nga Krishti i Ngjallur, u dhuron besimtarëve të çdo rangu hire të veçanta, duke i pajisur dhe duke i përgatitur për të marrë role dhe detyra të ndryshme të dobishme për ripërtëritjen dhe zgjerimin më të madh të Kishës.
Gjallëria karizmatike e jetës së shuguruar
Papa e përfundoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme duke vënë në dukje jetën e shuguruar si "shembull të veçantë të kësaj gjallërie karizmatike", së bashku me format e shoqatave kishtare, "shembuj të ndritshëm të larmisë dhe fekonditetit të fryteve shpirtërore për ndërtimin e Popullit të Zotit".
Ta zgjojmë brenda nesh vetëdijen dhe mirënjohjen për marrjen e dhuratës si pjesë e Popullit të Zotit; e edhe të përgjegjësisë, që përfshin.
