Leoni XIV: feja nuk është akt i verbër, na ndihmon të shohim plagët e botës
R.SH. / Vatikan
Përballë "shumë pyetjeve të zemrës njerëzore" dhe "situatave dramatike të padrejtësisë", "dhunës" dhe "vuajtjes" së sotme, "ndjehet nevoja për një fe vigjilente, të vëmendshme dhe profetike, që na hap sytë mbi errësirën e botës", duke na sjellë "dritën e Ungjillit përmes impenjimit për paqe, drejtësi dhe solidaritet".
Fe do të thotë të shohësh në këndvështrimin e Jezusit
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës së gëzimi tnë Zotin, e katërta e Kreshmëve, që të fton të gëzohesh për afrimin e Pashkëve, Leoni XIV na nxit të lexojmë episodin e dyfishtë të shërimit të të verbërit, rrëfyer nga Shën Gjoni. Nga njëra anë, fragmenti i Ungjillit zbulon "misterin e shpëtimit" - ndërsa "njerëzimi ecte në errësirë, Zoti dërgoi Birin e vet si dritën e botës, për të hapur sytë e të verbërve dhe për të ndriçuar jetën tonë - e nga ana tjetër, na nxit të kuptojmë se “u shëruam nga dashuria e Krishtit" dhe na inkurajon “ta jetojmë Krishterimin 'me sy hapur’'". Sepse besimi nuk është një lloj 'kërcimi në errësirë'", siç është menduar "gjatë shekujve", sqaron Papa; nuk është "heqje dorë nga mendimi", as "besim verbërisht".
Feja nuk është akt i verbër, as heqje dorë nga arsyeja e as fiksim në njëfarë sigurie fetare, që e bën shikimin të largohet nga bota. Përkundrazi, feja na ndihmon të shohim "nga këndvështrimi i Jezusit, me sytë e tij: është pjesëmarrje në mënyrën e tij të të parit" dhe, për këtë arsye, na kërkon "t’i hapim sytë", siç bënte Ai, veçanërisht mbi vuajtjet e të tjerëve dhe plagëve të botës.
Të vetëm nuk mund ta shohim misterin e jetës
Duke folur mbi Sheshin e Shën Pjetrit, nga dritarja e studimit privat në Pallatin Apostolik, Papa, në katekizmin e tij të shkurtër të së dielës, rikujton historinë e shëlbimit: njoftimin e profetëve "se Mesia do t'u hapte sytë të verbërve"; Jezusin që "akrediton" misionin e tij "duke treguar se 'të verbërve do t’u rikthehet drita e syve' dhe duke e paraqitur veten si "drita e botës".
Të gjithë jemi "të verbër që nga lindja", sepse të vetëm nuk jemi në gjendje të shohim thellësitë e misterit të jetës. Prandaj, Zoti u mishërua në Jezusin, në mënyrë që balta e njerëzimit tonë, e përzier me frymën e hirit të tij, të mund të merrte një dritë të re, të aftë të na bëjë, më në fund, ta shohim veten, të tjerët dhe Zotin në të vërtetë.
Të hapim sytë e zemrës e të dëshmojmë Krishtin
Ungjilli thotë se “në kontakt me Krishtin, sytë hapen”, prandaj, përfundon Leoni, duhet t’i kërkojmë Marisë “të ndërmjetësojë për ne” në mënyrë që “drita e Krishtit të hapë sytë e zemrës sonë, e të mund të dëshmojmë për Të me thjeshtësi e guxim”.