Papa: Kreshma, udhë e ndritshme. T’i bëjmë vend heshtjes dhe dëgjimit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së parë të kohës që paraprin Pashkët, Leoni XIV kujton se si Jezusi i mposhti mashtrimet e djallit dhe flet për pendesën si një udhëtim që nuk e varfëron njerëzimin tonë, por e pasuron, e pastron dhe e forcon. Pasuria, fama dhe pushteti, shton ai, "janë vetëm zëvendësime të mjerueshme të gëzimit, për të cilin jemi krijuar dhe, në fund, na lënë në mënyrë të pashmangshme dhe përjetësisht të pakënaqur, të shqetësuar dhe të zbrazët"

R.SH. - Vatikan

Shkretëtira, tundimet e djallit, ankorimi te Shpirti Shenjt, i cili nuk i kursen vështirësitë e gjendjes njerëzore, por të mëson mënyrën për t'i rezistuar mashtrimit dhe kurtheve. Kjo është skena e dyzet ditëve të provave të ashpra, jetuar nga Jezusi, rrëfyer në Ungjillin e së Dielës I të Kreshmëve, e cila i ofron Papës fillimin e një katekizmi bazuar në kuptimin e udhëtimit - atij që i paraprin Pashkëve - të quajtur "i ndritshëm".

Pendesa, për ta bërë jetën të lulëzojë

Është "jeta" horizonti që dëshiron të nënvizojë Leoni, si kur komenton vështirësitë e përballuara nga Jezusi, ashtu edhe kur i kujton ato të të  krishterit sot. Pendesa që na mëson Ungjilli nuk është qëllim në vetvete, pra, por rrugë drejt gëzimit të plotë; nuk është vetëm mjet që përballet me kufizimet e dikujt, por mundësi "për t'i kapërcyer e për të jetuar".

Liturgjia, me këtë Fjalë Jete, na fton t’i shikojmë Kreshmët si udhë të ndritshme, në të cilën, përmes lutjes, agjërimit dhe lëmoshës, mund ta përtërijmë bashkëpunimin me Zotin në krijimin e kryeveprës unike të jetës sonë. Bëhet fjalë për ta lejuar Atë t’i heqë njollat ​​dhe të shërojë plagët që mund t'i ketë shkaktuar mëkati, e edhe për t'u impenjuar për ta bërë të lulëzojë në të gjithë bukurinë e saj, derisa të arrijë përsosurinë e dashurisë, burimin e vetëm të lumturisë së vërtetë.

 Pasuria, fama, pushteti: surrogate të gëzimit

Papa citon Shën Palin VI kur pati theksuar se pendesa, larg qoftë nga varfërimi i njerëzimit tonë, e pasuron atë, e pastron dhe e forcon. I vetëdijshëm për çkurajimin, që mund të shënojë sfidën me djallin dhe për tërheqjen drejt "shtigjeve më pak të kërkuara të përmbushjes", Leoni tërheq vëmendjen kundër iluzionit të pasurisë, të famës dhe të pushtetit. E saktëson:

Këto, që ishin edhe tundime të Jezusit, janë vetëm zëvendësime të ligshta të gëzimit, për të cilin u krijuam e, në fund, na lënë në mënyrë të pashmangshme dhe përjetësisht të pakënaqur, të shqetësuar e bosh.

 T’i bëjmë të heshtin paksa televizorët, radiot dhe smartphonët

Në përfundim, duke ndjekur gjurmët e Shën Augustinit, të cilit Papa i drejtohet përsëri, nxitja është të forcohemi në burimin e lutjes dhe të veprave të mëshirës. E, në një epokë kur heshtja është mall gjithnjë e më i rrallë, ai na inkurajon ta gjejmë dhe ta zgjerojmë përmes flijimeve konkrete.

 T'i bëjmë vend heshtjes; t'i bëjmë të heshtin televizorët, radiot dhe telefonat inteligjentë për një farë kohe. Ta meditojmë Fjalën e Zotit e t'i afrohemi Sakramenteve; ta dëgjojmë zërin e Shpirtit Shenjt, i cili flet në zemrat tona, e ta dëgjojmë edhe njëri-tjetrin, në familjet tona, në vendet tona të punës dhe në bashkësitë tona. T’u kushtojmë kohë atyre që janë vetëm, veçanërisht të moshuarve, të varfërve dhe të sëmurëve. Të heqim dorë nga tepria dhe ta ndajmë çka e kursejmë, me ata që nuk kanë as gjënë më të nevojshme.

22 shkurt 2026, 14:17

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >