Kërko

Papa: Zoti nuk është i largët, por i pranishëm në fytyrën e vëllezërve

Gjatë Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa shpjegoi se "ardhja e Jezusit në ligështinë e korpit njerëzor" na fton të kthehemi drejt Zotit dhe drejt njerëzimit. Prandaj, të jetojmë një fe të mishëruar, të "mendojmë, të lutemi dhe të shpallim" një Zot, që nuk është "i largët", por "i pranishëm në fytyrat e vëllezërve dhe motrave tona", që "zbulohet në situata të përditshme" e t'u drejtohemi të tjerëve, duke u angazhuar konkretisht "për nxitjen e vëllazërimit e të bashkimit

R.SH. / Vatikan

Kjo është vepra e Zotit: në Jezusin, u bë një nga ne, vendosi të ishte me ne,  donte të ishte Zoti-me-ne përgjithmonë. Ardhja e Jezusit në ligështinë e korpit njerëzor, ndërsa ringjall shpresën tek ne, na ngarkon me angazhim të dyfishtë: njërin ndaj Zotit e tjetrin ndaj njerëzimit.

Dy ditë para përfundimit të Jubileut të Shpresës, i cili do të përfundojë me mbylljen e Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Leoni XIV u kujtoi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit se "themeli" i shpresës së krishterë është "mishërimi i Zotit" dhe se besimtarët nuk e bazojnë shpresën "në parashikimet optimiste ose llogaritjet njerëzore, por në zgjedhjen e Zotit për ta ndarë udhëtimin e njerëzve, në mënyrë që "të mos jenë kurrë vetëm në udhën e jetës".

Drejt Zotit e drejt njeriut

Pikërisht duke u nisur nga Jezusi, Zoti i bërë njeri, Papa ofron një program për jetën: duke iu drejtuar Zotit, duke mos e konsideruar Atë të largët, por duke e parë në të tjerët, në ngjarjet e jetës së përditshme e duke iu kushtuar konkretisht “vëllazërisë”, "drejtësisë", "paqes" dhe "kujdesit për më të ligshtit".

Fe e mishëruar

Zoti "e zgjodhi brishtësinë tonë njerëzore si vendbanimin e Tij", prandaj jemi të ftuar t'i drejtohemi Atij, ta rimendojmë Atë, duke mos u nisur "nga doktrina abstrakte", por "nga korpi i Krishtit”.

Duhet të shqyrtojmë gjithmonë përshpirtërinë tonë e mënyrat me të cilat e shprehim fenë, që të jenë vërtet të mishëruara, të afta të mendojnë, të luten dhe ta shpallin Zotin që na vjen në Jezusin: jo Zot i largët që banon në  qiellin e përkryer përmbi ne, por Zotin e afërt, që banon në tokën tonë të brishtë, që bëhet i pranishëm në fytyrat e vëllezërve dhe motrave tona e që zbulohet në situatat e përditshme.

Nxitja e vëllazërisë dhe e  kungimit

E pastaj, meqë Zoti "u bë njëri prej nesh, çdo krijesë njerëzore është  pasqyrim i Tij", "mban brenda vetes shëmbëlltyrën e Tij, ruan një shkëndijë të dritës së Tij". Prandaj, angazhimi për t'u drejtuar kah njerëzimi, për të cilin Krishti na nxit, duhet të çojë "në njohjen e secilit njeri e në praktikimin e dashurisë së anasjelltë për njëri-tjetrin".

Mishërimi kërkon prej nesh edhe një angazhim konkret për të nxitur vëllazërinë e bashkimin, në mënyrë që solidariteti të bëhet kriter i marrëdhënieve njerëzore për drejtësinë e paqen, për kujdesin ndaj të ligshtëve dhe mbrojtjen e të pambrojturve. Zoti u bë njeri, prandaj nuk ka adhurim autentik të Zotit, pa kujdes për korpin njerëzor.

Gëzimi i Krishtlindjes duhet të jetë inkurajim për ta vazhduar këtë "udhë", përfundon Leoni XIV, i cili i lutet Virgjërës Mari t'i bëjë të gjithë "përherë e më të gatshëm për t'i shërbyer Zotit dhe të afërmit".

04 janar 2026, 12:32

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >