Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: të besojmë në paqe duke zgjedhur rrugën e paarmatosur të martirëve

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Zotit, në ditën e festës së Shën Shtjefnit, Leoni XIV kujton se, sipas shembullit të martirit të parë të krishterimit, është e mundur të zgjidhet drejtësia edhe kur kushton, duke vënë paqen dhe të varfrit përpara frikës dhe egoizmit. Me gëzimin dhe forcën e fesë: i krishteri “nuk ka armiq”, e edhe në vdekje nuk sheh vetëm errësirë.

R.SH.– Vatikan

Një forcë “më e vërtetë se ajo e armëve”. Dhe një gëzim që mund të duket “i pamundur”, sidomos në “pasigurinë” dhe “vuajtjen” e botës së sotme, ku ai që “beson në paqe” duke zgjedhur “rrugën e paarmatosur të Jezusit dhe të martirëve” shpesh “tallet, përjashtohet nga diskursi publik dhe jo rrallë akuzohet se favorizon kundërshtarë dhe armiq”. Është një histori që nuk resht së qeni aktuale, edhe pse “e vjetër” rreth dy mijë vjet. Sot, më 26 dhjetor, festa e Shën Shtjefnit protomartir, Leoni XIV kujton, në meditimin e tij me rastin e lutjes së Engjëllit të Zotit të 26 dhjetorit, martirin e parë të historisë së krishterimit.

T’i vësh paqen përpara frikës
Nga dritarja e studios private të Pallatit Apostolik në Vatikan në një ditë me diell, Papa u drejtohet të besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në sheshin Shën Pjetrit në Vatikan dhe kujton shembullin e Shtjefnit që me guxim dha jetën si dëshmitari i parë i fesë së krishterë, për të pohuar se edhe sot “kudo në botë ka nga ata që zgjedhin drejtësinë edhe kur kushton, që vënë paqen përpara frikërave të veta, që u shërbejnë të varfërve në vend të vetvetes”.

Një mirësi që zbulon mendimet e zemrave
Ky stil, që frymëzohet nga “lindja mes nesh e Birit të Hyjit”, na “thërret të jetojmë si bijë të Hyjit”. Por “ajo e Jezusit dhe e atyre që jetojnë si Ai” është “një bukuri e refuzuar”: forca e tij “tërheqëse”, në fakt, që nga fillimi ka shkaktuar “reagimin e atyre që frikësohen për pushtetin e tyre, të atyre që janë zbuluar në padrejtësinë e tyre nga një mirësi që zbulon mendimet e zemrave”.

Shpresa, pavarësisht gjithçkaje
Megjithatë, deri më sot, asnjë pushtet nuk është në gjendje të “mbizotërojë mbi veprën e Zotit”. Kështu që ka nga ata që bëjnë zgjedhje të vështira, të pakëndshme dhe të kushtueshme, duke vënë të tjerët përpara egoizmit të vet: ja ku, thotë Papa, “mbin shpresa, dhe ka kuptim të festojmë pavarësisht gjithçkaje”.

Një zgjedhje gjithmonë e mundshme
Edhe në kushtet e “pasigurisë” dhe të “vuajtjes” së botës së sotme, nëse gëzimi “do të dukej i pamundur”, ai që sot “beson në paqe” dhe zgjedh “rrugën e paarmatosur të Jezusit dhe të martirëve” shpesh “tallet, përjashtohet nga diskursi publik dhe jo rrallë akuzohet se favorizon kundërshtarë dhe armiq”. Megjithatë ekziston një detaj jo i vogël: i krishteri “nuk ka armiq”, por “vëllezër e motra, që mbeten të tillë edhe kur nuk kuptohemi”.

Misteri i Krishtlindjes na sjell këtë gëzim: një gëzim i motivuar nga qëndresa e atyre që tashmë e jetojnë vëllazërinë, e atyre që tashmë njohin rreth vetes, edhe te kundërshtarët e tyre, dinjitetin e pashlyeshëm të bijave dhe bijve të Zotit.

Të rilindësh sërish në dritë
Për këtë arsye Shtjefni “vdiq duke falur”: në fuqi të asaj force “falas” të Jezusit Zot e Shëlbues, tashmë “të pranishme” në zemrën e të gjithëve, e cila “riaktivizohet dhe komunikohet në mënyrë të papërmbajtshme kur dikush fillon ta shohë ndryshe të afërmin e vet, t’i ofrojë vëmendje dhe njohje”.

Po, kjo do të thotë të rilindësh, kjo do të thotë të dalësh sërish në dritë, kjo është Krishtlindja jonë!

Feja nuk sheh kurrë vetëm errësirë
Një ditë pas lindjes së Jezusit, në “krishtlindjen” e Shën Shthefnit – siç thoshin brezat e parë të krishterë, të bindur se “njeriu nuk lind vetëm një herë” –, Papa Leoni XIV kujton se “martirizimi është lindje për në qiell: sepse një vështrim feje, edhe në vdekje, nuk sheh më vetëm errësirë”.

Ne vijmë në botë pa e vendosur vetë, por më pas kalojmë nëpër shumë përvoja në të cilat na kërkohet gjithnjë e më me vetëdije të “vijmë në dritë”, të zgjedhim dritën.
Në Veprat e Apostujve tregohet se ata që panë Shtjefnin të shkonte drejt martirizimit “u mahnitën nga drita e fytyrës dhe e fjalëve të tij”.

Është fytyra, shpjegon Leoni XIV, e atij që nuk largohet “indiferent nga historia”, por e përballon atë “me dashuri”. Në gjestet dhe fjalët e martirit të parë të krishterë paraqitet sërish “dashuria hyjnore e shfaqur në Jezusin, Drita që shkëlqeu në errësirat tona”.

Si bora në diell
Së fundi, nga Papa vjen lutja drejtuar Virgjërës Mari, “e bekuar ndër të gjitha gratë që u shërbejnë jetës dhe i kundërvihen dhunës me kujdes, mosbesimit me fe”, me urimin që “të na çojë në të njëjtin gëzim të saj”, një gëzim që shkrin frikërat dhe kërcënimet “siç shkrihet bora në diell”.

26 dhjetor 2025, 13:27

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >