Papa: shkenca nuk siguron lumturi të pafundme, vdekja është pjesë e jetës
R.SH. / Vatikan
"Ne jemi krijesa paradoksale", varur ndërmjet dritës së mendjes dhe paaftësisë së zemrës përballë misterit të vdekjes. Vetëdije e heshtur, jehonë që duhet shmangur ndërsa kërkojmë strehim ndërmjet premtimeve të shkencës dhe teknologjive të reja, të cilat shohin "pavdekësi imanente". Por si mund t'u besojmë këtyre horizonteve, kur askush nuk mund të thotë se "jeta pa vdekje është edhe jetë e lumtur?". Njëra nga pyetjet më të thella e më delikate të përvojës njerëzore, për të cilën Papa Leoni XIV reflektoi sot paradite, 9 dhjetor, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të mijëra besimtarëve dhe shtegtarëve të ardhur nga vende të ndryshme. Tema e katekizmit - e gjashta në serinë kushtuar Ngjalljes së Krishtit dhe sfidave të botës së sotme, brenda ciklit jubilar Jezu Krishti shpresa jonë - janë “Pashkët e Jezu Krishtit: përgjigjia e fundme e pyetjes mbi vdekjen tonë”. E shpaloset rreth ngjarjes "më të natyrshme e, në të njëjtën kohë, më të panatyrshme" që ekziston.
Dikotomia e vdekjes
Papa Leoni XIV paraqet këtë dyanshmëri të parë: nga njëra anë, vërshimi i jetës dhe i amshimit, që banon në zemrën njerëzore, për veten dhe për të dashurit; nga ana tjetër, barra e vdekjes e jetuar si dënim, a si "kontradiktë". Një dikotomi e dytë duket në mënyrën se si shoqëria bashkëkohore e kumton vdekjen: ndërsa dikur shoqërohej me rituale dhe zakone, sot është tabu, diçka që duhet mbajtur larg, për të cilën duhet folur me zë të ulët, për t’u shmangur deri tek një vizitë e thjeshtë ndër varreza.
I vetëdijshëm dhe i pafuqishëm
Çfarë është, pra, vdekja? A është vërtet fjala e fundit e jetës sonë?
Këto janë pyetjet, që mundojnë vetëm qeniet njerëzore, "mbasi vetëm ata e dinë se duhet të vdesin". Siguri, që na rëndon në krahasim me krijesat e tjera. Vuajtja, theksoi Papa Leoni XIV, është e zakonshme edhe për kafshët, "por ato nuk e dinë se vdekja është pjesë e fatit të tyre. Nuk e vënë në dyshim kuptimin, qëllimin ose fundin e jetës".
Duke pranuar këtë aspekt, duhet të mendojmë se jemi krijesa paradoksale, të palumtura, jo vetëm sepse vdesim, por edhe mbasi jemi të sigurt se kjo ngjarje do të ndodhë, edhe pse nuk jemi të vetëdijshëm si-e-kur. Ky është, ndoshta, burimi i largimeve tona të shpeshta dhe ikjeve ekzistenciale nga çështja e vdekjes.
"Një mësuese e madhe e jetës"
Megjithatë, në vdekje mund të shohim edhe një vlerë pedagogjike. Shën Alfonsi Maria de' Liguori e kujton këtë në shkrimin "Përgatitje për vdekjen", duke e quajtur atë "mësuese e madhe e jetës". Afrimi i saj e meditimi mbi të na ndihmon t’i përcaktojmë përparësitë tona në jetë, të çlirohemi nga tepritë dhe të jetojmë me vetëdijen se koha tokësore na përgatit për amshimin.
E pra shumë vizione antropologjike aktuale premtojnë pavdekësi imanente, duke teorizuar zgjatjen e jetës tokësore përmes teknologjisë. Ky është skenari trans-human, që del në horizontin e sfidave të kohës sonë. Athua vdekja mund të mposhtet vërtet me shkencë? Por atëherë, a mund të na garantojë e njëjta shkencë se jeta pa vdekje është gjithashtu jetë e lumtur?
Vdekja, "pjesë e natyrshme" e jetës
Përgjigjen na e jep Ngjallja e Krishtit: na tregon se vdekja nuk është armiku i jetës, por përkundrazi "pjesë e natyrshme" e saj, dera që hapet drejt jetës së përjetshme. Pashkët e Jezusit na lejojnë ta "parashijojmë", në kohën e tashme, ende të mbushur me prova dhe vuajtje, përsosurinë e asaj që vjen pas vdekjes.
Një agim i ri
Një bindje e shën Lukës Ungjilltar, në fund të pasdites, kur errësira dukej se po e kapërdinte Kalvarin.
Ishte dita e Pashkëve e po shkëlqenin tashmë dritat e së shtunës.
Rrezet e para të mëngjesit të Pashkëve shkëlqenin në një natë ende të qetë e të heshtur, duke kumtuar një agim të ri.
Vetëm kjo ngjarje është e aftë të ndriçojë plotësisht misterin e vdekjes. Në këtë dritë, dhe vetëm në të, bëhet e vërtetë çka zemra jonë e dëshiron dhe e shpreson: se vdekja nuk është fundi, por kalimi drejt dritës së plotë, drejt amshimit të lum.
Një shtëpi, që pret
Jezusi i Ngjallur na e hapi shtegun përmes vdekjes, duke e kapërcyer "provën" e saj dhe duke përgatitur për secilin prej nesh një "pushim të amshuar", një shtëpi që pret. Një jetë të plotë, ku nuk kanë vend errësira dhe kontradiktat.
Falë Atij, që vdiq dhe u ringjall nga dashuria, njëherësh me shën Françeskun mund ta quajmë vdekjen "motër". Ta presësh vdekjen me shpresën e sigurt të Ringjalljes, na ruan nga frika e zhdukjes përgjithmonë e na përgatitë për gëzimin e jetës së pambarim”.
