Kërko

Papa:«zemra e trazuar e njeriut gjen paqe në Krishtin e Ngjallur, jo në thesaret e botës»

Të kthehemi te zemra dhe të ndriçohemi nga Krishti: tha Leoni XIV në audiencën e përgjithshme. Çdo njeri, i zhytur në angazhime të përditshme, lodhje dhe përgjegjësi, të mos mbingarkohet nga “një mijë gjëra praktike që megjithatë nuk e zgjidhin kuptimin e fundit” të ekzistencës. “Arritja e vërtetë e zemrës nuk qëndron në zotërimin e të mirave të kësaj bote, por në arritjen e asaj që mund ta mbushë plotësisht, domethënë dashurinë e Hyjit”, e cila gjendet “vetëm duke dashur të afërmin”

R.SH. – Vatikan

Ndonjëherë, në fund të ditëve plot veprimtari, ndihemi bosh. Pse? Sepse ne nuk jemi makina, kemi një “zemër”, madje mund të themi se jemi zemër. E zemra është simboli i gjithë njerëzisë sonë, përmbledhje e mendimeve, ndjenjave dhe dëshirave, qendra e padukshme e personit tonë. Mateu ungjilltar na fton të reflektojmë mbi rëndësinë e zemrës, duke cituar këtë frazë të bukur të Jezusit: “Aty ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote”(Mt 6,21) .

Me fjalët e tij, Leoni XIV prek pjesën më të thellë të çdo njeriu gjatë audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit dhe nxit kthimin te zemra. Mësimi i Papës ka një frymë augustiniane, sepse ai e kujton zemrën si vendin ku “ruhet thesari i vërtetë”, “jo në kasafortat e tokës” apo “në investime të mëdha financiare”, sot “të idhujtarizuara” deri në sakrifikimin e njerëzve dhe të krijimit.

Përshëndetja për të sëmurët në Sallën Pali VI

Papa Leoni XIV arrin në Sheshin përpara Bazilikës së Vatikanit pas xhiros së zakonshme mes besimtarëve dhe shtegtarëve me xhipin e tij të bardhë, pasi është ndalur të takojë disa të sëmurë të pritur në Sallën Pali VI për shkak të kushteve të pasigurta të motit të ditës së sotme.
Ta shfrytëzojmë këtë takim të vogël, pak më personal, për t’ju përshëndetur – thotë Papa – për t’ju dhënë bekimin e Zotit e edhe një urim: duke qenë se jemi pranë Festës së Krishtlindjes, duam t’i kërkojmë Zotit që gëzimi i kësaj kohe t’ju shoqërojë të gjithëve – familjet tuaja, të dashurit tuaj – dhe që të jeni gjithmonë në duart e Zotit me besim, me atë dashuri që vetëm Hyji mund të na japë”.

Jezusi ndriçon jetën e vrullshme të njerëzve

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme kushtuar “Pashkës si ankorim i zemrës së shqetësuar”, pjesë e kapitullit mbi “Ngjalljen e Krishtit dhe sfidat e botës së sotme”, brenda ciklit jubilar “Jezu Krishti Shpresa Jonë”, Papa Leoni XIV ndalet fillimisht te përditshmëria e secilit, te ajo “lëvizje e vazhdueshme që na shtyn të bëjmë, të veprojmë”, që karakterizon “jetën njerëzore”, dhe te “shpejtësia” e kërkuar “kudo” për të arritur rezultate optimale në fusha të ndryshme. Ati i Shenjtë fton të reflektojmë se si “ngjallja e Jezusit” mund ta ndriçojë gjithë këtë realitet.

Përballë pyetjeve që lindin natyrshëm duke krahasuar jetën tokësore me atë qiellore, me Krishtin, Papa ofron edhe përgjigje: “Kur të marrim pjesë në fitoren e tij mbi vdekjen, a do të pushojmë? Feja na thotë: po, do të pushojmë. Nuk do të jemi pasivë, por do të hyjmë në pushimin e Zotit, që është paqe dhe gëzim”. Por si duhet t’i jetojmë vitet tokësore?

Thesari i vërtetë nuk është në kasaforta apo investime

“Jemi të përfshirë në shumë veprimtari që jo gjithmonë na bëjnë të ndjehemi të kënaqur”, vëren Papa, duke pranuar se “shumë nga veprimet tona lidhen me gjëra praktike, konkrete”, me probleme dhe lodhje të përditshme. Edhe Jezusi i ka përjetuar këto, duke u përfshirë “me njerëzit dhe me jetën, pa u kursyer, madje duke dhuruar veten deri në fund”.

Por Leoni XIV paralajmëron kundër “të bërit të tepruar”, i cili “në vend që të na japë plotësi”, mund të kthehet në “një vorbull që na trullos, na heq qetësinë dhe na pengon të jetojmë më mirë atë që është vërtet e rëndësishme për jetën tonë”. Kështu ndodh që ndihemi “të lodhur” dhe “koha duket se shpërndahet në një mijë gjëra praktike që nuk e zgjidhin kuptimin e fundit të ekzistencës sonë”. E pra, këtë kuptim mund ta gjejmë brenda vetes, në zemër.

Prandaj, në zemër ruhet thesari i vërtetë, jo në kasafortat e tokës, jo në investime të mëdha financiare, kurrë si sot të çmendura dhe të përqendruara padrejtësisht, të idhujtarizuara me çmimin e përgjakshëm të miliona jetëve njerëzore dhe shkatërrimit të krijimit të Hyjit.

Të shqetësuar sepse të përkushtuar për realitimin e plotë

Është e nevojshme, pra, të kthehemi te zemra dhe të lejojmë të udhëhiqemi nga Krishti, sepse “në angazhimet e shumta që përballojmë vazhdimisht, rreziku i shpërndarjes bëhet gjithnjë e më i madh”, këmbëngul Papa, “ndonjëherë edhe i dëshpërimit, i mungesës së kuptimit, madje edhe te njerëzit që duken të suksesshëm”.

Ta lexosh jetën në dritën e Pashkës, ta shohësh jetën me Jezusin e Ngjallur, do të thotë të gjesh hyrjen në thelbin e personit njerëzor, në zemrën tonë: cor inquietum. Me këtë mbiemër “i shqetësuar”, Shën Augustini na bën të kuptojmë hovin e qenies njerëzore drejt përmbushjes së saj të plotë. Fjalia e plotë na çon në fillimin e Rrëfimeve, ku Augustini shkruan: “O Zot, na ke krijuar për Ty dhe zemra jonë është e shqetësuar derisa të pushojë në Ty”.

Hyji Dashuri e mbush zemrën e njeriut

“Atëherë, shqetësimi është shenjë se zemra jonë nuk lëviz rastësisht, në mënyrë të çrregullt, pa qëllim apo synim”, shpjegon Papa, por “është e orientuar drejt cakut të saj të fundit”.

Arritja e vërtetë e zemrës nuk qëndron në zotërimin e të mirave të kësaj bote, por në arritjen e asaj që mund ta mbushë plotësisht: dashurinë e Zotit, ose më saktë, Zotin Dashuri. Ky thesar, megjithatë, gjendet vetëm duke dashur të afërmin që takojmë gjatë udhës: vëllezër e motra prej mishi e gjaku, prania e të cilëve e nxit dhe e vë në pyetje zemrën tonë, duke e thirrur të hapet dhe të dhurohet.

Përtej asaj që kalon

Në praktikë, i afërmi na “kërkon të ngadalësojmë, ta shikojmë në sy, ndonjëherë të ndryshojmë programin, ndoshta edhe drejtimin”. Edhe kjo na rikthen te zemra.

Ja sekreti i lëvizjes së zemrës njerëzore: të kthehet te burimi i qenies së saj, të shijojë gëzimin që nuk shuhet, që nuk zhgënjen. Askush nuk mund të jetojë pa një kuptim që shkon përtej të përkohshmes, përtej asaj që kalon. Zemra njerëzore nuk mund të jetojë pa shpresë, pa e ditur se është krijuar për plotësinë, jo për mungesën.

Shpresa e krishterë

Shpresa që e mban zemrën është “Jezu Krishti, me Mishërimin, Mundimin, Vdekjen dhe Ngjalljen e Tij”, përfundon katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme Papa Leoni XIV, duke siguruar se “zemra e shqetësuar nuk do të zhgënjehet nëse hyn në dinamizmin e dashurisë për të cilën është krijuar”. Aty zemra gjen sigurinë se “jeta ka fituar dhe në Krishtin do të vazhdojë të fitojë në çdo vdekje të përditshme. Kjo është shpresa e krishterë”.

17 dhjetor 2025, 11:17

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >