Leoni XIV: kalimin nga nje vit ne tjetrin, të mendojmë se Zoti është dashuri e jetë
R.SH. Vatikan
Është dita e fundit e vitit, momenti kur bëhet një bilanc, kur shikohet sa kemi jetuar me gëzim dhe nuk harrohet as vuajtja që kemi përjetuar. Papa Leoni, në katekizmin e fundit të audiencës së përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit sot, më 31 dhjetor, ofron një reflektim duke nisur nga Jubileu i shpresës dhe Krishtlindja, momente që shikojnë drejt të ardhmes me sigurinë e faljes së Zotit, hirin që na vë në lëvizje.
Duke përshëndetur shtegtarët që erdhën në Vatikan, Ati i Shenjtë Leoni XIV rilexon ngjarjet e gëzuara "si shtegtimi i shumë besimtarëve me rastin e Vitit të Shenjtë të Shpresës"; ato të dhimbshme "si ndarja nga Papa i paharrueshëm Françesku dhe skenaret e luftës që vazhdojnë të tronditin planetin".
Kisha na fton të vendosim gjithçka para Zotit, duke iu besuar Provanisë së Tij Hyjnore dhe duke i kërkuar që të rinovohen, në ne dhe rreth nesh, në ditët që do të vijnë, mrekullitë e hirit të Tij dhe mëshirës së Tij.
Te Deum
Një vit, kujton Papa, që përfundon me këngën solemne të falënderimit ‘Te Deum’, ku shprehet mirënjohje, por jo, siç theksonte Papa Françesku në vitin 2023, "një mirënjohje botërore" që shuan egon, por me lavdërim dhe falënderim.
Dhe është me këto qëndrime që sot jemi të ftuar të meditojmë mbi atë që Zoti ka bërë për ne gjatë vitit që kaloi, si dhe të bëjmë një ekzaminim të sinqertë të ndërgjegjes, të vlerësojmë përgjigjen tonë ndaj dhuratave të Tij Hyjnore dhe të kërkojmë falje për të gjitha momentet kur nuk e kemi vlerësuar frymëzimet e Tij dhe nuk kemi investuar sa duhet në talentet Zoti që na ka besuar.
Jeta, një udhëtim drejt Zotit
Konsiderata e Papa Leoni XIV është mbi "shenjat" e këtyre muajve. "Udhëtimi" dhe "caku" shprehin mirë kuptimin e Jubileut. Papa sjell fjalët e Shën Palit VI, i cili e quante Vitin e Shenjtë "një akt të madh feje në pritje të fatëve të ardhshme që ne që nga tani i parashijojmë, dhe i përgatitim", dhe thekson rëndësinë e shtegtimit të besimtarëve te varri i Shën Pjetrit për të konfirmuar "po-në" ndaj Krishtit.
Ky na kujton që e gjithë jeta jonë është një udhëtim, ku caku i fundit e kalon hapësirën dhe kohën, për t’u realizuar në takimin me Zotin dhe në bashkimin e plotë dhe të përjetshëm me Të.
Porta e Shenjtë, një po për jetën e re
Një tjetër shenjë është "kalimi i Portës së Shenjtë, të cilën shumë nga ne – thekson Papa – e kemi kaluar, duke u lutur dhe kërkuar ndjesën e fajeve dhe të mëkateve për ne e për të dashurit tanë."
Kjo shpreh "po-në" tonë ndaj Zotit, i cili me faljen e Tij na fton të kalojmë pragun e një jete të re, të ngjallur nga hiri, të modeluar sipas Ungjillit... Kjo është "po-ja" jonë për një jetë të jetuar me angazhim në të tashmen dhe të orientuar ndaj përjetësisë.
Një jetë "e përflakur nga dashuria" ndaj të tjerëve, ndaj vëllait që ka nevojë për ndihmë, mirëkuptim "edhe nëse – siç theksonte Papa Montini – është i panjohur për ne, edhe nëse është i bezdisshëm dhe armiqësor".
Zoti, shokë udhe
Papa Leoni na fton të meditojmë për "këto shenja në dritën e Krishtlindjes"; shenja që janë kumtim i gëzimit për lindjen e Jezusit.
Thirrja e tij sot na drejtohet ne të gjithëve, të shenjtë në saje të Pagëzimit, sepse Zoti u bë shok udhëtimi drejt Jetës së vërtetë; ne, mëkatarë, pasi jemi, të falur, me hirin e Tij mund të ngrihemi dhe të vijojmë udhën; dhe së fundi neve, të varfër dhe të brishtë, Zoti, duke e marrë mbi vete dobësinë tonë njerëzore, na ka shëlbuar dhe na ka treguar bukurinë e forcën në njerëzoren e Tij të përsosur.
Dashuria e Zotit
Mendimet e fundit të Papës, në kalimin nga viti i vjetër në vitin e ri, dhe pastaj gjithmonë, në jetën tonë, ai i përmbledh duke e përmendur edhe një herë fjalën e Papës Palit VI, kur në përmbyllje të Jubileut të vitit 1975 përshkruante mesazhin themelor në fjalën "dashuri".
Ai shtonte "Zoti është Dashuri! Kjo është zbulesa e patregueshme e Zotit, me të cilën Jubileu, me pedagogjinë e tij, me ndjesën e mëkateve, me faljen e tij dhe përfundimisht me paqen e tij, plot lot dhe gëzim, ka dashur të mbushë shpirtin tonë sot, dhe gjithmonë jetën nesër: Zoti është Dashuri! Zoti më do! Zoti më ka pritur dhe unë e kam gjetur! Zoti është mëshirë! Zoti është falje! Zoti është shpëtim! Zoti, po, Zoti është jetë!".
