Kërko

Lutja Engjëllit të Zotit, 28 dhjetor 2025 Lutja Engjëllit të Zotit, 28 dhjetor 2025

Papa: të lutemi për familjet e prekura nga lufta, pushteti nuk duhet ta mbysë dashurinë

Në Engjëllin e Tënzot të së dielës së fundvitit, Papa theksoi se "bota, për fat të keq, i ka gjithmonë Herodët e saj", me pasojën e vetmisë, dëshpërimit, përçarjes dhe konfliktit. Foli, në vijim, për "ngurrimin e zemrës" që "e nxjerr edhe më shumë në pah vlerën e pranisë dhe misionit të Familjes Shenjte e cila, në botën despotike dhe lakmitare që përfaqëson tirani, është foleja dhe djepi i përgjigjes së vetme të mundshme të shpëtimit: asaj të Zotit".

R.SH. / Vatikan

"Në dritën e lindjes së Zotit, le të vazhdojmë të lutemi për paqen". Në Festën e Familjes së Shenjtë, pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot nga Sheshi i Shën Pjetrit, Leoni XIV na fton të lutemi për familjet që vuajnë për shkak të luftës. Shqetësimi i Papës është për më të ligshtit: për fëmijët, të moshuarit, më të brishtët... T'i besojmë së bashku ndërmjetësimit të Familjes Shenjte të Nazaretit.

Në katekizmin para lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni rikthehet te tema e ikjes së Familjes së Shenjtë në Egjipt, treguar nga Mateu në Ungjillin e festës, "çast prove për Jezusin, Marinë dhe Jozefin", që lëshon "hijen shqetësuese të një kërcënimi vdekjeprurës" mbi skenën e ndritshme të lindjes së Shëlbuesit. Jeta e Herodit mbret është "e trazuar", e ai vetë, "njeri mizor dhe gjakatar,  që kall frikë për brutalitetin e tij", kujton Papa, e shton: "Pikërisht për këtë arsye është thellësisht i vetmuar dhe i përndjekur prej frikës së rrëzimit nga froni".

Gëzimi i Krishtlindjes, jehonë e shtrembëruar kërcënimi për Herodin

Urdhri për t’i mbytur të gjithë fëmijët e moshës së Jezusit është fryt i një drite që s’ mund ta pranojë zemra e Herodit. Në mbretërinë e tij, Zoti po kryen mrekullinë më të madhe në histori, në të cilën përmbushen të gjitha premtimet e lashta të shpëtimit, por ai nuk mund ta shohë, i verbuar nga frika e humbjes së fronit, pasurisë , privilegjeve të tij. Në Betlehem ka dritë dhe gëzim: disa barinj morën lajmin qiellor dhe e lavdëruan Zotin para skenës së Lindjes së Jezusit (shih Lk 2,8-20), por nga e gjithë kjo, asgjë nuk arrin të depërtojë në mbrojtjet e blinduara të pallatit mbretëror, përveçse si jehona e shtrembëruar e një kërcënimi, për t'u mbytur me dhunë të verbër.

Familja e Shenjtë, fole shpëtimi

Jozefi arrin të ruajë "flakën e dashurisë familjare" duke shpëtuar familjen e tij të Nazaretit, burim i shpengimit të mbarë botës, e cila mund të përfitojë, nëse i hap sytë e zemrat. "Habi e mirënjohje" për këtë mister ngjall Papa:

“Pikërisht kjo zemër guri nxjerr më tej në pah vlerën e pranisë dhe misionit të Familjes së Shenjtë e cila, në botën despotike dhe lakmitare, e cila përfaqëson tiranin, është foleja dhe djepi i përgjigjes së vetme të mundshme për shpëtim: ajo e Zotit që, me bujari të plotë, i dhurohet njerëzimit pa ngurrim e pa kërkesa.

Joshjet e pushtetit nuk duhet t’i mbysin familjet e krishtera

Në vijim Papa i drejton sytë nga familjet e sotme. Fjalët e tij janë paralajmërim i hidhur, ndërsa ruajnë në to vlerat e Ungjillit: lutjen, marrjen e shpeshtë të sakramenteve - veçanërisht Rrëfimin dhe Kungimin - dashurinë e shëndetshme, dialogun e sinqertë, besnikërinë, konkretësinë e thjeshtë e të bukur të fjalëve dhe gjesteve të mira çdo ditë.

Bota, për fat të keq, i ka gjithmonë "Herodët" e saj, mitet e saj të suksesit me çdo kusht, të pushtetit të paskrupullt, të mirëqenies boshe dhe sipërfaqësore, e shpesh i paguan pasojat në vetmi, në dëshpërim, në përçarje e në konflikt. Nuk do të lejojmë që këto mirazhe të shuajnë flakën e dashurisë në familjet e krishtera.

LEXONI TEKSTIN E PLOTË TË ENGJËLLIT - NGA LEONI XIV

Lutja e Engjëllit të Zotit kremtuar nga Papa Leoni XIV
28 dhjetor 2025

Të dashur vëllezër dhe motra, të dielë të mbarë!

Sot kremtojmë Festën e Familjes së Shenjtë dhe Liturgjia na propozon tregimin e “ikjes në Egjipt” (krh. Mt 2,13-15.19-23).
Është një moment prove për Jezusin, Marinë dhe Jozefin. Mbi kuadrin e ndritshëm të Krishtlindjes projektohet, pothuajse papritur, hija shqetësuese e një kërcënimi vdekjeprurës, që e ka origjinën në jetën e trazuar të Herodit, një njeri mizor dhe gjakatar, i frikshëm për egërsinë e tij, por pikërisht për këtë thellësisht i vetmuar dhe i pushtuar nga frika se mos rrëzohet nga pushteti. Ai, kur merr vesh nga Dijetarët se ka lindur “mbreti i Judenjve” (krh. Mt 2,2), duke u ndier i kërcënuar në pushtetin e tij, urdhëron vrasjen e të gjithë fëmijëve të moshës që i përket asaj të Jezusit. Në mbretërinë e tij Zoti po realizon mrekullinë më të madhe të historisë, në të cilën gjejnë përmbushje të gjitha premtimet e lashta të shpëtimit, por ai nuk arrin ta shohë këtë, i verbuar nga frika se mos humbasë fronin, pasuritë dhe privilegjet e tij. Në Betlehem ka dritë, ka gëzim: disa barinj kanë marrë shpalljen qiellore dhe para shpellës së Betlehemit kanë lavdëruar Zotin (krh. Lk 2,8-20), por asgjë nga kjo nuk arrin të depërtojë përtej mbrojtjeve të blinduara të pallatit mbretëror, përveçse si jehonë e shtrembëruar e një kërcënimi, për t’u mbytur me dhunë të verbër.

Pikërisht kjo ngurtësi zemre, megjithatë, nxjerr edhe më në pah vlerën e pranisë dhe të misionit të Familjes së Shenjtë që, në botën despotike dhe lakmitare që përfaqëson tirani, është fole dhe djep i së vetmes përgjigje të mundshme të shpëtimit: asaj të Zotit që, në dhurimin tërësisht falas, u jepet njerëzve pa rezerva dhe pa pretendime. Dhe gjesti i Jozefit, i cili, i bindur ndaj zërit të Zotit, shpëton Nusen dhe Fëmijën, shfaqet këtu në të gjithë domethënien e tij shëlbimtare. Në Egjipt, në fakt, flaka e dashurisë familjare, së cilës Zoti ia ka besuar praninë e Tij në botë, rritet dhe forcohet për t’i sjellë dritë mbarë botës.

Ndërsa e shohim me habi dhe mirënjohje këtë mister, mendojmë për familjet tona dhe për dritën që edhe prej tyre mund t’i vijë shoqërisë në të cilën jetojmë. Bota, për fat të keq, ka gjithmonë “Herodët” e saj, mitet e suksesit me çdo kusht, të pushtetit pa skrupuj, të mirëqenies bosh dhe sipërfaqësore, dhe shpesh i paguan pasojat në vetmi, dëshpërim, përçarje dhe konflikte. Të mos lejojmë që këto mirazhe të mbytin flakën e dashurisë në familjet e krishtera. Përkundrazi, le të ruajmë në to vlerat e Ungjillit: lutjen, pjesëmarrjen e rregullt në sakramente – veçanërisht Rrëfimin dhe Kungimin – ndjenjat e shëndosha, dialogun e sinqertë, besnikërinë, konkretësinë e thjeshtë dhe të bukur të fjalëve dhe gjesteve të mira të përditshme. Kjo do t’i bëjë ato dritë shprese për mjediset ku jetojmë, shkollë dashurie dhe mjet shpëtimi në duart e Zotit (krh. FRANÇESKU, Homeli në Meshën për Takimin dhe Ditën X Botëror të Familjeve, 25 qershor 2022).

Le t’i kërkojmë atëherë Atit të Qiellit, me ndërmjetësimin e Marisë dhe të Shën Jozefit, të bekojë familjet tona dhe të gjitha familjet e botës, që, duke u rritur sipas modelit të Familjes së Birit të Tij të bërë njeri, të jenë për të gjithë shenjë e efektshme e pranisë së Tij dhe e dashurisë së Tij pa fund.

28 dhjetor 2025, 09:46

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >