Françesku: "të ndjesh" praninë e Zotit në vogëlsi
R.SH. / Vatikan
Katekizmi i Papës përgatitur për audiencën e përgjithshme që do të mbahej sot, 26 shkurt, anuluar për shkak të qëndrimit të Françeskut në Poliklinikën Gemelli, u publikua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Më poshtë, teksti i konceptuar si pjesë e ciklit jubilar të katekizmit me temë "Jezu Krishti, shpresa jonë. Fëmijëria e Jezusit", propozon reflektimin kushtuar paraqitjes së Jezusit në Tempull.
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!
Kundrojmë sot bukurinë e "Jezu Krishtit, shpresës sonë" (1 Tim 1,1) në misterin e paraqitjes së tij në Tempull.
Në tregimet e foshnjërisë së Jezusit, Shën Luka Ungjilltar na tregon sesi Maria e Jozefit i binden Ligjit të Zotit dhe të gjitha urdhërimeve të tij. Në Izrael nuk kishte asnjë detyrim për ta paraqitur foshnjën në Tempull, por ata që jetonin duke dëgjuar Fjalën e Zotit dhe dëshironin të përkonin me të, e shikonin si praktikë të çmuar. Kështu pati bërë edhe Ana, nëna e Samuelit profet, që nuk kishte fëmijë; Hyji ia dëgjoi lutjen e, pasi lindi një djalë, e çoi në tempull dhe ia dhuroi Zotit përgjithmonë (shih 1 Sam 1,24-28).
Prej këndej Luka rrëfen aktin e parë të adhurimit të Jezusit, akt që ndodh në qytetin shenjt, në Jerusalem, i cili do të jetë caku i mbarë shërbesës së tij shëtitëse, që nga çasti kur merr vendimin për të shkuar atje lart (shih Luka 9,51), duke u nisur drejt përmbushjes së misionit.
Maria dhe Jozefi nuk kufizohen me përbujtjen e Jezusit në historinë e familjes, të njerëzve, të aleancës me Zotin, ata kujdesen për rojën dhe rritjen e tij dhe e rrisin në atmosferën e fesë dhe të adhurimit, drejt fatit të tij shpirtëror. Edhe ata vetë rriten gradualisht - jo pa dhimbje - në kuptimin e një thirrjeje, që i tejkalon shumë forcat e tyre.
Në Tempull, që është "shtëpia e lutjes" (Lk 19,46), Shpirti Shenjt fryn dhe i flet zemrës së një të moshuari: Simeonit, anëtar i popullit shenjt të Zotit, i stërvitur në pritje e në shpresë, që ushqen dëshirën e përmbushjes së premtimeve që i bëri Zoti Izraelit nëpërmjet profetëve. Simeoni ndjen në Tempull parfumin e të Vajosurit të Zotit, sheh dritën që shkëlqen ndërmjet njerëzve të përhumbur "në terrina" (shih Is 9,1) dhe shkon të takojë atë fëmijë që, siç profetizon Isaia, "lindi për ne", është djali që "na u dha", "Princi i Paqes" (I 9,5). Simeoni e përqafon atë fëmijë që, i vogël e i pambrojtur, i prehet në krahë; ndërsa është ai vetë që gjen ngushëllim dhe shpresë në jetën e tij, duke e shtrënguar në kraharor. Gjë që e shpreh në një këngë prekëse, plot mirënjohje, që në Kishë u bë lutja e perëndimit të ditës:
“Tani, o Zot, mund ta lejosh shërbëtorin tënd,
të shkojë në paqe, sikur the ti vetë,
sepse me sytë e mi pash shëlbimin,
që ti e bëre gati
në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit” (Lk 2,29-32).
Simeoni këndon gëzimin e atyre që e panë, të atyre që e njohën dhe mund t'ua transmetojnë të tjerëve takimin me Shëlbusin e Izraelit dhe të njerëzve. Është dëshmi feje, të cilën e merr si dhuratë e ua komunikon edhe të tjerëve; është dëshmitar i shpresës që nuk zhgënjen; dëshmi e dashurisë së Zotit, e cila e mbush zemrën e njeriut me gëzim e paqe. I mbushur me këtë ngushëllim shpirtëror, Simeoni plak e sheh vdekjen jo si fund, por si përkryerje, si plotësi, e pret atë si "motër" që nuk e asgjëson, por i hap udhën drejt jetës së vërtetë. Atë jetë, që e parafoli. Jetë në të cilën beson.
Atë ditë, Simeoni nuk ishte i vetmi që pa shpëtimin në korpin e Krishtit fëmijë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Anën, grua rreth të tetëdhjetave, e vejë, kushtuar plotësisht shërbimit të tempullit dhe lutjes. Duke parë sytë e foshnjes, Ana feston Hyjin e Izraelit, që pikërisht në atë çast e shpengoi popullin e tij e u tregon edhe të tjerëve për këtë, duke përhapur bujarisht fjalën profetike. Kënga e shëlbimit të dy pleqve përhap, kështu, shpalljen e Jubileut për të gjithë njerëzit e për mbarë botën. Në tempullin e Jeruzalemit ringjallet shpresa ndër zemra, sepse Krishti, shpresa jonë, hyri në të.
Të dashur vëllezër dhe motra - përfundon Papa - t’i imitojmë edhe Simeonin dhe Anën, këta “shtegtarë të shpresës”, me sy të kthjellët, të aftë për të parë përtej dukjes, që dinë ta “nuhasin” praninë e Zotit në vogëlsi, dinë ta mirëpresin vizitën e Zotit me gëzim dhe të ringjallin shpresën në zemrat e vëllezërve e të motrave!