Kërko

Françesku gjatë Engjëllit Tënzot: feja është shtegtim, si udha e Dijetarëve të Lindjes

Në ditën e festës së Epifanisë së Zotit, Papa Françesku na nxit të kërkojmë Jezusin duke ecur si dijetarët e Lindjes që dinin të dallonin "qëllimin e jetës nga tundimet". Pas një udhëtimi të gjatë, ata gjetën "një fëmijë me nënën e tij" dhe e mirëpritën "surprizën e Zotit"

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, pas Meshës së kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në solemnitetin e Epifanisë, kujton se dijetarët njihen “për dhuratat që i kanë dhënë” Foshnjës së Betlehemit. Por para së gjithash ata “marrin tre dhurata që na shqetësojnë edhe ne” në jetën e përditshme: Thirrja, shqyrtimi, befasia. Pra dhuarata e parë - kujtoi Papa Françesku - është ajo e thirrjes,  dhurata e dytë është ajo e aftësisë për të shqyrtuar e dalluar të mirën nga e keqja dhe dhurata e tretë është befasia a mahnitja.

Këstu, në qendër të vëmendjes në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kur Kisha kremton solemnitetin e Epifanisë a të Dëftimit të Zotit, festë e cila ndër shqiptarë njihet si festa e Ujit të Bekuar,  janë Tre Mbretërit dijetarë, parë sipas Ungjillit të Mateut (Mt.2,11). Përmes tyre  Zoti na  thërret të kërkojmë hirin e aftësisë për të dalluar  e shqyrtuar të mirën nga e keqja!

Jezusi dhe Tre mbretërit, që erdhën ta adhurojnë Krishtin Fëmijë në Shpellën e Betelhemit, ishin sot në qendër të vëmendjes të lutjes së Engjëllit të Tënzot Kalohej kështu nga dita e djeshme e ngarkuar me pikëllimin e thellë të botës së krishterë për humbjen e një Pape të jashtëzakonshëm, tek e sotmja, me  ngazëllimin, që buron nga adhurimi i Tre Mbretërve para Foshnjës Hyjnore.

Sot, në solemnitetin e Epifanisë a të Dëftimit të Zotit – këto fjalët e para të Papës Françesku në lutjen e  Engjëllit -  Ungjilli i Mateut na flet për Tre Mbretërit të cilët, pasi arritën në Betlehem, hapën peshtafet dhe i dhuruan Jezusit ar, kem  dhe mirrë (krh. Mt 2,11). Këta të urtë të Lindjes janë të famshëm për dhuratat që bënë – shpjegoi Papa - megjithatë, duke menduar për historinë e tyre, mund të themi se ata, para së gjithash, jo vetëm i japin Krishtit Fëmijë tri dhurata, por edhe marrin tri dhurata të çmuara, të cilat kanë të bëjnë edhe me ne.

Ta kërkojmë Zotin

 Dhuarata e parë - kujtoi Françesku - është ajo e thirrjes. Mbretërit nuk u parajmëruan nga leximi i Shkrimeve, nuk patën as vegime të engjëjve.  Ishte studimi i yjeve që i nxiti të niseshin drejt Shpellës, ku një Zot i posalindur i priste i shtrirë mbi kashtë! Kjo na tregon diçka të rëndësishme: Zoti na thërret përmes aspiratave dhe dëshirave tona më të mëdha.

Të thirrur ta kërkojmë Zotin

Duke ndjekur lutjen e Papës, nuk mund të mos mendojmë për lidhjen ndërmjet shtegtimit të Mbretërve e shtegtimeve tona. Dijetarët u mahnitën,  u shqetësuan nga risia e yllit dhe u nisën drejt asaj, që nuk e dinin. Të kulturuar dhe të mençur siç ishin, u mahnitën më shumë nga ajo që nuk e dinin, sesa nga ajo që e dinin. Ndjenë thirrjen për të shkuar më tej – kujtoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot:

“E kjo ka shumë rëndësi edhe për ne: jemi thirrur të mos kënaqemi, ta kërkojmë Zotin duke dalë nga rehatitë tona, duke ecur drejt Tij me të tjerët, duke u zhytur në realitet. Sepse Zoti thërret çdo ditë, këtu dhe sot, në botën tonë”.

Ta kërkojmë hirin e aftësisë për të dalluar të mirën nga e keqja

Më pas, Dijetarët na kujtojnë një dhuratë të dytë: aftësinë për të dalluar. Meqenëse po kërkojnë një mbret, nisen e shkojnë në Jeruzalem ku takohen me mbretin Herod, njeri i etur për pushtet, që dëshiron t’i përdorë për ta zhdukur Mesinë Foshnje.

“Por – shpjegoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - Mbretërit nuk mashtrohen nga Herodi. Ata dinë të bëjnë dallimin ndërmjet cakut të udhëtimit dhe tundimeve që hasin gjatë rrugës. Largohen, prandaj, nga pallati i Herodit dhe, të vëmendshëm ndaj sinjaleve të Zotit, nuk kalojnë më andej, por kthehen nga një rrugë tjetër (krh. v. 12)”.

E këtu Papa na kujton sesa vlen aftësia për të dalluar:

 “Sa e rëndësishme është të dish ta dallosh cakun e jetës, nga tundimet e udhëtimit! Të dish të heqësh dorë nga ajo që të josh, por të çon në rrugë të keqe, për të kuptuar dhe për të zgjedhur rrugët e Zotit! Aftësia dalluese është dhuratë e madhe dhe njeriu nuk duhet të lodhet kurrë duke e kërkuar atë në lutje. Ta kërkojmë, pra, këtë hir!”.

Dhurata e tretë: e papritura

Më në fund, Mbretërit na flasin për një dhuratë të tretë: të papriturën - kujtoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa - Pas shtegtimit të gjatë e kapitës, çfarë gjejnë këta burra të rangut të lartë shoqëror? Një foshnjë  në krahët e së ëmës (krh. v. 11): skenë e butë, por jo e habitshme! Nuk i shohin engjëjt, as barinjtë, por takojnë Zotin në varfëri.

Ndoshta prisnin një Mesi të fuqishëm dhe të mrekullueshëm, ndërsa gjetën një ferishte. Megjithatë ata nuk mendojnë se gabuan, sepse dinë ta njohin. E edhe ta mirëpresin habinë e Zotit e ta përjetojnë mahnitshëm takimin me Të, duke e adhuruar:

“Në vogëlsi, njohin fytyrën e Zotit. Si njerëz, të gjithë jemi të thirrur ta kërkojmë madhështinë, por të dish ta gjesh atë me të vërtetë, është dhuratë: të dish të gjesh madhështinë në vogëlsinë, që Zoti e do aq shumë.  Sepse kështu ndeshet Zoti: në përvujtëri, në heshtje, në adhurim, në të vegjlit, në të varfërit”.

Thirrja e Papës

Në këtë ditë kur flitet për Mbretër, sidomos për Mbretin e rruzullimit, të voglin, të shtririn mbi kashtë, të gjithë jemi thirrur nga Jezusi, të gjithë mund ta dallojmë praninë e tij, të gjithë mund të përjetojmë të papriturat e tij:

“Sot do të ishte mirë t’i kujtonim këto dhurata, të cilat tashmë i kemi marrë: t’i mendojmë përsëri kur ndjejmë thirrjen e Zotit në jetë; ose kur, ndoshta pas shumë përpjekjesh, arritëm të dallonim thirrjen e Tij; ose akoma, patëm një të papritur të paharrueshme, që na e bëri, duke na mahnitur”.

Kjo, ftesa e Papës për çdo besimtar në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, që përfundoi me thirrjen e zakonshme, që Françesku ia drejton gjithnjë në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Marisë:

“Zoja na ndihmoftë për t’i kujtuar dhe për t’i ruajtur dhuratat, që morëm”.

06 janar 2023, 12:51

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >