Francë: ipeshkvijtë nisin nëntshën e lutjes për Jetën
Vatican News
Përpara votimit të Asamblesë Kombëtare të Kishës katolike franceze për projektligjin lidhur me kujdesin në fund të jetës, planifikuar për 30 qershor, Konferenca ipeshkvnore franceze i fton katolikët të bashkohen në nëntshën e lutjes për jetën, që nisi dje, e diel, 21 qershor, e do të vijojë deri të hënën, 29 qershor. Nëntëditshja u hap me këtë temë, lexuar në Meshë gjatë Lutjes së besimtarëve. Sipas njoftimit të ipeshkvijve, për ditët në vijim u përgatitën "Tetë qëllime të tjera të veçanta". "Ne mund t'i përfshijmë në lutjet tona të përditshme, me një Atynë, një Të falemi Mari dhe një Lumni Atit. Shpirti Shenjt e ndriçoftë në agimin e debateve të reja, ndërgjegjen tonë dhe na ripërtëriftë në shpresë, në mënyrë që dinjiteti i çdo jete njerëzore të njihet, të mbrohet e të respektohet", theksojnë ata.
Qëndrimi i episkopatit mbi projektligjin
Projektligji, i cili u kthye në sallë për një lexim të tretë, synon t’i legalizojë eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar në Francë. Që nga debatet fillestare, episkopati pohoi se kujdesi për jetën nuk arrihet duke i dhënë fund jetës, por duke e shoqëruar me kujdes deri në fund të fundit. Në një deklaratë të datës 14 maj, ipeshkvijtë denoncuan rrezikun e "pakujdesisë morale" dhe të "mosrespektimit të demokracisë". Referenca ishte për faktin se Senati kishte miratuar përfundimisht projektligjin për kujdesin paliativ, por kishte hedhur poshtë projektligjin për vetëvrasjen e asistuar, duke zbuluar ndërmjet parlamentarëve përçarjen mbi këtë çështje themelore.
Mosmarrëveshje nisën edhe në Asamblenë Kombëtare. "Në këto rrethana - shkruajnë prelatët - imponimi i miratimit të një projektligji që legalizon eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar do të ishte ekuivalent me injorimin e zërit të një numri të konsiderueshëm parlamentarësh".
Mbështetje nga fjalët e Papës drejtuar parlamentarëve spanjolë
Në komunikatën që njofton nëntshën e lutjes, Konferenca Ipeshkvnore kujton se më 8 qershor, Papa Leoni XIV iu drejtua anëtarëve të Parlamentit spanjoll me këto fjalë:"Mbrojtja e jetës njerëzore nuk është çështje me interes apo me rrëfim të veçantë: është një qëllim i qytetërimit. Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që nga zënia, deri në fundin e saj të natyrshëm, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj [...]. Madhështia morale e një kombi duket, mbi të gjitha, në aftësinë e tij për të shoqëruar, për të mbrojtur dhe për të dashuruar jetët e shënuara nga brishtësia më e madhe".