2020.09.22 Eutanasia assistenza vita

Francë: ipeshkvijtë nisin nëntshën e lutjes për Jetën

Që më 21 qershor, deri të hënën, më 29, Konferenca Ipeshkvnore e Francës i fton besimtarët të luten para votimit të Asamblesë Kombëtare për projektligjin, lidhur me kujdesin në fund të jetës, planifikuar për 30 qershor. "Shpirti Shenjt e shndëritët ndërgjegjen tonë e na ripërtëriftë në shpresë, në mënyrë që dinjiteti i çdo jete njerëzore të njihet, të mbrohet dhe të respektohet", theksojnë ipeshkvijtë.

Vatican News

Përpara votimit të Asamblesë Kombëtare të Kishës katolike franceze për projektligjin lidhur me kujdesin në fund të jetës, planifikuar për 30 qershor, Konferenca ipeshkvnore franceze i fton katolikët të bashkohen në nëntshën e lutjes për jetën, nisi dje, e diel, 21 qershor, e do të vijojë deri të hënën, 29 qershor. Nëntëditshja u hap me këtë temë, lexuar në Meshë gjatë Lutjes së besimtarëve. Sipas njoftimit të ipeshkvijve, për ditët në vijim u përgatitën "Tetë qëllime të tjera të veçanta". "Ne mund t'i përfshijmë në lutjet tona të përditshme, me një Atynë, një Të falemi Mari dhe një Lumni Atit. Shpirti Shenjt e ndriçoftë në agimin e debateve të reja, ndërgjegjen tonë dhe na ripërtëriftë në shpresë, në mënyrë që dinjiteti i çdo jete njerëzore të njihet, të mbrohet e të respektohet", theksojnë ata.

Qëndrimi i episkopatit mbi projektligjin

Projektligji, i cili u kthye në sallë për një lexim të tretë, synon t’i legalizojë eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar në Francë. Që nga debatet fillestare, episkopati pohoi se kujdesi për jetën nuk arrihet duke i dhënë fund jetës, por duke e shoqëruar me kujdes deri në fund të fundit. Në një deklaratë të datës 14 maj, ipeshkvijtë denoncuan rrezikun e "pakujdesisë morale" dhe të "mosrespektimit të demokracisë". Referenca ishte për faktin se Senati kishte miratuar përfundimisht projektligjin për kujdesin paliativ, por  kishte hedhur poshtë projektligjin për vetëvrasjen e asistuar, duke zbuluar ndërmjet parlamentarëve përçarjen mbi këtë çështje themelore.

Mosmarrëveshje nisën edhe në Asamblenë Kombëtare. "Në këto rrethana - shkruajnë prelatët - imponimi i miratimit të një projektligji që legalizon eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar do të ishte ekuivalent me injorimin e zërit të një numri të konsiderueshëm parlamentarësh".

Mbështetje nga fjalët e Papës drejtuar parlamentarëve spanjolë

Në komunikatën që njofton nëntshën e lutjes, Konferenca Ipeshkvnore kujton se më 8 qershor, Papa Leoni XIV iu drejtua anëtarëve të Parlamentit spanjoll me këto fjalë:"Mbrojtja e jetës njerëzore nuk është çështje me interes apo me rrëfim të veçantë: është një qëllim i qytetërimit. Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që nga zënia, deri në fundin e saj të natyrshëm, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj [...]. Madhështia morale e një kombi duket, mbi të gjitha, në aftësinë e tij për të shoqëruar, për të mbrojtur dhe për të dashuruar jetët e shënuara nga brishtësia më e madhe".

22 qershor 2026, 12:01