Kërko

Kievi, pasojat e sulmit rus Kievi, pasojat e sulmit rus

Ukraina, sulm i rëndë me raketa ruse në Kiev

Mbrëmë kryeqyteti ukrainas iu nënshtrua një bombardimi masiv. Një njeri u vra, ndërsa thuhet se janë plagosur të paktën 30 persona, disa prej të cilëve u shtruan në spital në gjendje të rëndë. Trump dhe Zelensky do të takohen nesër në Florida. Moska kundërshton versionin e ri të planit të paqes të SHBA-së.

R.SH. / Vatikan

Në kryeqytet gjatë natës u dëgjuan shpërthime, që lanë një të vdekur dhe të paktën 30 të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin njerëz nga rrënojat. Ngrohja dhe energjia elektrike u ndërprenë për qindra mijëra njerëz. Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko u bëri thirrje banorëve "të mos largohen nga strehimet e tyre derisa të përfundojë shtetrrethimi". Mediat lokale raportuan se ushtria ruse lëshoi ​​disa raketa hipersonike Kinzhal, katër raketa balistike Iskander dhe një grup raketash lundrimi Kalibr në kryeqytet dhe në shtatë rrethe. Sipas gazetës Kyiv Independent, disa shpërthime u dëgjuan në të gjithë qytetin. Një nga raketat goditi një konvikt universitar në rrethin Solomyansky dhe një ndërtesë banimi 24-katëshe në rrethin Darnytsky. Shtëpi të shumta private u dogjën në flakë. Ndërprerje të energjisë elektrike vijuan gjatë në qytetin Brovary (rreth 20 kilometra nga kryeqyteti) dhe zonat përreth.

Takimi Trump-Zelensky

"Sulmet ruse tregojnë se Moska nuk dëshiron paqe", deklaroi Presidenti ukrainas Zelensky, i cili po përgatitet të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump nesër, në orën 21:00 sipas kohës italiane, në Mar-a-Lago, Florida, në përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit gati katërvjeçar. Negociatat janë shpejtuar javët e fundit pas paraqitjes të një plani paqeje publikuar nga presidenti amerikan. Ndërsa ukrainasit dhe evropianët fillimisht e konsideruan këtë dokument shumë të njëanshëm, në favor të Federatës Ruse, Zelensky më vonë publikoi detajet e një versioni të ri, të rishikuar e të kritikuar nga Moska, e cila akuzoi Ukrainën se donte të "minonte" negociatat e paqes. Varianti i Kievit bën thirrje për një ngrirje të vijës aktuale të frontit, pa ofruar  zgjidhje të menjëhershme për pretendimet territoriale të Moskës, ushtria e së cilës pushton mbi 19% të territorit ukrainas. Sipas Zelensky-t, diskutimet me Trumpin në Mar-a-Lago, do të përqendrohen kryesisht në çështjet më të ndjeshme, nga fati i Donbasit, rajoni industrial dhe minerar i Ukrainës lindore të pretenduar nga Moska, deri te termocentrali bërthamor Zaporizhia, më i madhi në Evropë, i pushtuar nga ushtarët rusë.

Plani i Paqes i SHBA-së

Ndër pikat e ndryshme në tryezë, ekziston edhe mundësia që udhëheqësi i Kievit të organizojë një referendum mbi planin e paqes të Trump-it për t'i dhënë fund luftës, me kusht që Rusia të pranojë armëpushimin për të paktën 60 ditë. Të dy presidentët do të diskutojnë edhe garancitë e sigurisë që Perëndimi mund t'i ofrojë Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë. Varianti i fundit i planit të SHBA-së - një dokument me 20 pika - propozon ngrirjen e pozicioneve të të dyja palëve pa iu përgjigjur kërkesës së Rusisë për tërheqjen e forcave ukrainase nga afërsisht 20% e rajonit të Donetskut në Donbas, të cilin ata ende e kontrollojnë.

Opozita Ruse

Në kundërshtim me variantin origjinal të hartuar nga Uashingtoni dhe të paraqitur më shumë se një muaj më parë, teksti i ri nuk përfshin më asnjë detyrim ligjor për Ukrainën për t'u tërhequr nga anëtarësimi në NATO. Për këto arsye, duket e pamundur që Rusia ta pranojë dokumentin në formën e tij aktuale. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov deklaroi se teksti i ri "ndryshon rrënjësisht" nga çka që u bisedua ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, dhe bëri thirrje për rikthim në marrëveshjet e mëparshme. "Pa zgjidhjen e duhur të çështjeve që qëndrojnë në themel të kësaj krize, do të jetë e pamundur të arrihet marrëveshja përfundimtare", shtoi Ryabkov. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kujtoi një bisedë telefonike ndërmjet rusëve dhe amerikanëve në orët e fundit, por nuk pranoi të zbulonte hollësira, sepse "përhapja e këtij informacioni mund të ketë një ndikim negativ në procesin e negociatave".

Rusia, NATO dhe BE

 Megjithatë, Federata Ruse është gati të angazhohet për të hartuar një pakt të ndërsjellë mossulmimi me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. E siguroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, sipas kanaleve të mediave sociale të ministrisë. "Gatishmëria për të formalizuar ligjërisht mungesën e planeve agresive ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian në baza reciproke, është vazhdim logjik i qëndrimit parimor të Moskës" - deklaroi Zakharova, duke shtuar se Kremlini "është gati t’i formalizojë këto angazhime me shkrim".

27 dhjetor 2025, 16:26